Dhurimi dhe përfitimi (Foto gazeta shëndet)
Të dhurosh gjak është një akt solidariteti human, që shpëton jetën e njerëzve në botë, i cili nuk duhet të jetë vetëm në rastin e dhurimeve familjare, por edhe atyre vullnetare. Ejona Braho mjeke në Qendrën e Transfusionit të Gjakut shpjegon se çfarë duhet të dimë rreth dhurimit.
“Të dhurosh gjak do të thotë të shpëtosh jetë, gjaku është jetik dhe një nga produket që nuk mund të prodhohet në mënyrë farmaceutike dhe e vetmja mënyrë për ta siguruar atë është nëpërmjet dhurimit të gjakut. Nuk mjafton kurrë dhe kërkohet në çdo kohë për përdorim të menjëhershëm. Nevojat në vendin tonë janë më të larta sesa dhurimet, janë pacientët me hemoglobinopati, talasemikët apo ato me dreponacitozë, që kërkojnë një ose dy njësi gjak për çdo dhjetë ditë, pa llogaritur ata që aksidentohen dhe kanë nevoja të menjëhershme për gjak dhe ata që kanë nevojë të menjëhershem për ndërhyrje kirurgjikale dhe gjak. Dhurimi është një akt i thjeshtë personal dhe i padhimshëm, por me vlera të mëdha humane dhe civile. Vendi ynë ka më tepër dhurime vullnetarë që shkojnë deri në 75% të dhurimeve, kanë një trend në rritje nga viti 2021-2022. Por edhe pse jemi në rrugën e duhur kemi akoma shumë punë, pasi ne ende nuk kemi mjaftueshmëri në gjak dhe nënprodukte të tij” U shpreh Braho.
Dhurimi-i-gjakut (Foto telegrafi)
Për të gjithë personat që i druhen dhurimit të gjakut për shkak të frikës së pajisjeve, mjekja shpjegon sesi këto pajisje janë të gjitha sterile dhe të kontrolluara.
“Parimi bazë i shëndetësisë është mos dëmto. Dhurimi nuk e cënon shëndetit tuaj dhe nuk krijon varësi ndaj tij. Çdo e dhënë që jepet për analizat është konfidencale, sasia që dhurohet është një sasi e papërfillshme për një organizëm të shëndoshë. Dhurimi zgjat 7-10 min për çdo njësi gjaku të dhuruar ju i nënshtroheni disa analizave për të zbuluar sëmundjë të transmetueshme si hepatit, sifiliz apo HIV/AIDS”, bën të ditur mjekja
Ejona Braho (Foto personale)
Gjak mund të dhurohet në çdo bankë gjaku spitalore ose në QKTGJ. Për të mbrojtur shëndetin e marrësit të gjakut është e rëndësishme që dhuruesi të gëzojë shëndet të plotë dhe të mos ketë sjellje në risk. Para se të kryeni këtë akt solidariteti, mjekët do të sigurohen se ju gëzoni shëndet të plotë dhe ky dhurim nuk do ta dëmtojë shëndetin tuaj. Kjo realizohet nëpërmjet intervistës dhe vizitës mjekësore. Pasi kryeni dhurimin, ju duhet të qëndroni disa minuta shtrirë dhe të pini të njëjtën sasi uji ose lëngjesh, për të zëvendësuar gjakun e dhuruar.
“Dhurimi i gjakut ka përftime për shëndetin tuaj si emocional ashtu edhe fizik, ndihma ndaj të tjerëve mund të reduktojë stresin dhe të përmirësojë gjendjen tuaj emocionale apo t’iu sjellë dobi në shëndetin tuaj fizik”, shtoi ajo
Sasitë e gjakut ( Foto Newsbomb)
Dhurimi i gjakut, sipas disa studimeve mund të ulë rriskun e sëmundjeve në zemër apo sëmundjeve të ndryshme. Në mënyrë që të jepni gjak ju i nënshtroheni ekzaminimit mjeksor nga ana e personelit shëndetësor, ku matet pulsi, tensioni arterial i gjakut, temperatura e trupit dhe niveli i hemoglobinës dhe ky mini ekzaminim mund të ofrojë njohuri për shëndetin tuaj. Gjaku testohet për të gjitha analizat, të cilat mund të na vënë në dijeni përsa i përket gjendjes tuaj shëndetësore apo probleme të tjera shëndetësore për të cilat ju nuk keni qenë në dijeni. Çdo person që gëzon shëndet të plotë mund të jetë një dhurues i përhershëm, personat nga 18-60 vjeç, ata që plotësojnë disa standarde përsa i përket peshës dhe gjatësisë, ata që nuk vuajnë nga sëmundjë të tjera si dhe ata që kanë dëshirën dhe vullnetin e lirë për të dhuruar gjak
Më parë, pjesa më e madhe e gjakut në Shqipëri, sigurohej nga dhënësit me pagesë, të cilët duke qenë njerëz nevojtarë shpesh sëmureshin, duke dhënë kështu gjak jo të sigurt për ata që kishin nevojë. Aktualisht, në sajë të informimit dhe promovimit të bërë nga institucionet shëndetësore dhe organizatat vullnetare, ajo sigurohet kryesisht nga familjarët dhe dhuruesit vullnetarë.