thumbnail_Liqenet (Foto Atsh)
Liqenet akullnajorë të Lenies dhe maja e Valamarës, një pikë përbashkuese mes Maliqit, Pogradecit dhe Gramshit, janë zona me super potencial për zhvillimin e turizmit të natyrës.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale foto të këtyre liqeneve, të cilat i cilësoi si destinacion fantastik për turizmin e natyrës, citon “ATSH”.
Tre liqenet akullnajore ndodhen rreth 2200 metra mbi nivelin e detit, pranë fshatit Lenie. Ato kanë madhësi mesatare prej 300 metra të gjatë dhe 200 metra të gjerë, me ujë të ftohtë të pastër si kristal.
Liqenet e Valamarës krijojnë një ekosistem interesant dhe kanë gjithashtu vlera gjeologjike, ekologjike dhe kulturore.
Zona është e përshtatshme për shëtitje, ngjitje në mal, eksplorim shpellash dhe aktivitete të tjera në natyrë.
Valamara është mal me lartësi 2373 m në kufirin midis rrethit të Korçës, atij të Gramshit dhe të Pogradecit. Në veri kufizohet me Gurin e Topit, kurse në jug me Lenien. Është i ndërtuar kryesisht nga shkëmbinj ultrabazikë.
Aty gjenden forma të shumta të relievit akullnajor dhe liqene akullnajore mbi 1600 metra. Në shpatin lindor buron lumi Shkumbin, kurse në atë perëndimor dhe juglindor, Devolli. Bimësia përbëhet nga pyje ahu e pishe në pjesën e ulët dhe nga kullota të pasura verore në pjesën e sipërme. (Irma)