Kujdesi për ushqimet gjatë periudhës festive
2023-01-03 11:56:38

Gjatë festave konsumi i lartë i ushqimeve dhe pijeve ndikon në organizëm, duke sjellë një sërë pasojash dhe në shtimin në peshë.

Tryeza e fundvitit (Foto classlifestyle)

Tryeza e fundvitit (Foto classlifestyle)

Sezoni festiv është një nga periudhat më të mira të vitit, pa dyshim, por sjell edhe shumë tundime dhe është shumë e thjeshtë që të marrësh disa kilogramë më tepër. Në këtë periudhë të gjithë dietologët ndajnë këshillat e tyre për mënyrën sesi duhet të kujdesemi për organizmin gjatë këtyre ditëve. Për Radio Ejani nutricionistja Hyrida Basha tregon se ku qëndron rreziku më i madh.

“Sa i takon konsumit të ushqimit gjatë festave  nuk ka një rregull specifik  apo të veçantë, pasi ne gjithmonë flasim për mënyrën sesi duhet ta trajtojmë veten dhe mënyrën se si ushqehemi. Nuk është problemi vetëm tek ato ditë festash, por në të gjithë vitin nga data 1 janar deri në 31 dhjetorin e vitit të ardhshëm” thotë nutricionistja

Ndër të tjera ajo na këshillon se:

“Sigurisht që në këto ditë jemi të tunduar nga ushqimet që nuk i kemi përditë, por nëse konsumojmë sasinë e duhur nuk do të ndodhë ndonjë gjë e madhe. Por përkundrazi, organizmit i duhet dalja nga zona e komfortit për të fituar ato dy tre kilogram, që  nuk janë dhjamë prandaj nuk duhet krijuar panik. Ajo që duhet të kemi kujdes është mos mbajtja e dietave të rrezikshme, dietave detox, proteinike apo detox, sepse absolutisht nëse është festë trupi i njeriut ka nevojë për makro dhe mikro nutrientët çdo ditë në përmasat e duhura.

Hyrida Basha (Foto personale)_

Hyrida Basha (Foto personale)_

Duhet të mos pretendojmë për ngrënien e të gjitha produkteve si gjelin e detit apo bakllavanë brenda një nate. Ndërsa sa i përket alkoolit duhet të tregojmë kujdes dhe të jetë me reduktim. Nëse kam thënë që duhet 250 ml këtë herë po them 300ml, por duhet të tregojmë kujdes pasi nuk janë vetëm festat e fundvitit  sepse i gjithë dhjetori mund të jetë i mbushur me festa”, u shpreh ajo.

Arsyeja pse shpesh marrim disa kilogramë më tepër gjatë sezonit të festave të dimrit nuk është vetëm ngrënia e tepërt; është gjithashtu mungesa e kohës për t'u kujdesur siç duhet për trupin tonë. Me detyrimet e panumërta të punës dhe jetës private, si vizitat te miqtë dhe familjarët, festat, blerjet e dhuratave dhe ngarkesa e shtuar e punës para fundit të vitit, shpesh është e vështirë të gjesh kohë për të ushtruar rregullisht.

Por nëse zgjoheni një orë më herët në mëngjes, do të jeni në gjendje të kujdeseni për trupin tuaj dhe të bëni të gjitha punët e mbetura pasditeve dhe mbrëmjeve përgjatë ditëve festive.

Ushqimet e shëndetshme (Foto inovation media)

Ushqimet e shëndetshme (Foto inovation media)

“Duhet vënë theksi tek aktiviteti fizik dhe ne të gjithë në këto ditë festash  mezi presim që t’i bëjmë ditët pushim, por kjo nuk do të thotë që duhet të bëjmë një pushim tërësisht pasiv. Duhet të rikuperojmë gjumin e humbur dhe të gjejmë mënyra që të mos humbasim ritmin, kush preferon notin mund ta realizoj në pishinat e mbyllura dhe të tjerët mund të ecin”, thekson nutricionistja

Një tavolinë e bollshme gjatë ndërrimit të viteve, por edhe gjatë ditëve të festave bëhet shkak që shumë persona të abuzojnë me ushqimin. Për dietologët, kujdesi duhet treguar tek masa dhe jo tek mos konsumimi i ushqimeve, pra pak nga të gjitha dhe ushqime cilësorë. Kujdesi më i madh duhet të tregohet me cilësinë dhe masën, pasi kilet e shtuara do ndihen disa ditë pas festave. Për të eliminuar stresin e kileve më pas, dietologët rekomandojnë që të kërceni dhe lëvizni sa më shumë në këto ditë të ftohta dhe festive.

Alkooli gjatë festave (Foto inivation media)

Alkooli gjatë festave (Foto inivation media)

Mjekët e specializuar gjithashtu bëjnë thirrje që personat të cilët vuajnë nga sëmundje kronike duhet të bëjnë shumë kujdes me ushqimet. Por kujdesi më i madh duhet të bëhet në këto ditë festash, pasi ushqimet janë të shumta në shumëllojshmëri dhe në sasi. Po ashtu duhet të pini të paktën 6 deri në 10 gota uji në ditë.  Madje sa më shumë uji të pini aq më mirë është. Këto janë disa nga këshillat dhe sugjerime për sa përket kujdesit që duhet të ndiqen gjatë ushqimeve në raste festive.