Zv.kryeministja kineze thekson sigurimin e tranzicionit të qëndrueshëm të fazave të përgjigjes ndaj COVID-19
2022-12-14 18:10:36

foto nga VCG

Banorë duke qëndruar në radhë për të blerë barna në një farmaci në Pekin, 9 dhjetor 2022/  foto nga VCG

Zv.kryeministja kineze Sun Chunlan theksoi të martën rëndësinë e zbatimit serioz të masave të ndryshme të përmirësuara për parandalimin dhe kontrollin e COVID-19, për të siguruar tranzicionin e qëndrueshëm të fazave të përgjigjes ndaj COVID-19 në vend.

Gjatë një inspektimi për punën e kontrollit të epidemisë në Pekin, Sun-i theksoi gjithashtu se përparësia e punës duhet të kalojë nga parandalimi i infektimeve në trajtimin mjekësor, për të siguruar shëndetin e njerëzve dhe për të parandaluar rastet e rënda.

Numri dy i qeverisë kineze theksoi gjithashtu nevojën për t’iu përmbajtur parimit të vënies së njerëzve dhe interesave të tyre në qendër.

Sipas saj, përgjigjja kundrejt COVID-19 duhet të bashkërendohet në mënyrë efektive me zhvillimin ekonomik e shoqëror.

Sun Chunlan-i e bëri inspektimin teksa numri i infektimeve nga COVID-19 në Pekin është shtuar shpejt. Por pjesa dërrmuese e këtyre rasteve janë asimptomatike ose me simptoma të lehta. Gjithsej ka 50 raste serioze dhe kritike në spitale dhe shumë prej tyre janë të lidhura me probleme të tjera shëndetësore.

Zv.kryeministrja kineze u shpreh se detyra më e ngutshme tani në Pekin është të përkrahet qyteti për të siguruar që banorët të kenë mundësi të marrin shërbime mjekësore dhe ilaçe.

Sun-i tha se, krahas 303 klinikave ekzistuese për ethet, më shumë klinika duhet të hapen në spitalet e përkohshme dhe duhet të shtohet edhe numri i punonjësve mjekësorë në këto klinika.

Ajo bëri thirrje për më shumë mbrojtje për të moshuarit, fëmijët, pacientët me sëmundje ekzistuese, gratë shtatzëna, pacientët e hemodializës dhe grupe të tjera të cenueshme.

Institucionet mjekësore duhet t’i trajtojnë pacientët pavarësisht nëse ata janë të sëmurë me COVID-19 apo jo, tha ajo.

Zv.kryeministrja theksoi se prodhimi dhe furnizimi me ilaçe e kuti testimi janë duke u përshpejtuar, duke shtuar se në përgjithësi, ato mund të përmbushin kërkesat.

“Të mbështetur te epërsia e sistemit që mund të mobilizojë burimet e mbarë vendit, jemi në gjendje ta kapërcejmë me siguri kulmin e COVID-19,” tha ajo. (Wang Lei/ Artan)