Mungesa e prindit në jetën e fëmijës
2022-12-01 14:34:00


Mungesa prindërve sidomos tek fëmijët e vegjël, konsiderohet si mungesa absolutisht  më e rrezikshme, sepse fëmija ka një nevojë të domosdoshme për praninë dhe kohën cilësore të prindërve. Fëmija i vogël është i kufizuar në të menduar dhe në fuqitë që disponon.

Në jetën e fëmijëve kërkohet patjetër prezenca e prindërve. E kundërta e kësaj është shkaku i parë i pjesës dërrmuese të problemeve dhe ndërlikimeve shpirtërore, që prekin fëmijët. Në kohët e sotme në vendin tonë prindërit janë mjaft të ngarkuar me punët e tyre, madje duke punuar me orë të zgjatura apo edhe duke bërë nga dy-tre punë për të përmbushur kërkesat e fëmijëve të tyre. Ata e  zgjidhin situatën duke i dërguar fëmijët në “after school”, apo me dado në shtëpi. Por si ndikon kjo mungesë e prindërve në jetën e fëmijëve? Një mendim të specializuar rreth kësaj teme jep për Grupin Mediatik të Kinës, Psikoterapiste BWRT Marsjola Domi.

CMG: Në kohët që po jetojmë prindërit janë përherë dhe më të ngarkuar me punët e tyre  dhe koha që kalojnë me fëmijën është e shkurtër. Si ndikon kjo mungesë e prindit në jetën e fëmijëve?

Marsjola Domi: Është e vërtetë. Stili i jetës në kohët e sotme rrjedh në atë formë që njeriu shpenzon shumicën e kohës së tij në punë, problematika është më e madhe në menaxhimin e kësaj kohe, është brenda një familje. Ndodh që prindi të jetë gjatë gjithë ditës në punë, shpeshherë edhe me orare të zgjatura. Kthimi në shtëpi ka të bashkangjitur edhe lodhjen e ditës, koha e kaluar me fëmijën të jetë e pakët për t’u shpenzuar, ose të mos konsumohet fare prej lodhjes së prindit. Në mungesë të kohës së tij, përpiqet të zerë edhe kohën e fëmijës duke i organizuar atyre gjithë ditën si në shkollë, after school , në kurse të ndryshme, etj. Kjo bën që fëmija të lodhet dhe kohën e paktë të mbetur në dispozicion me prindin të mos e shfrytëzojë. Patjetër që kjo shoqërohet me pasoja të shumta se kemi të bëjmë me mungesë dashurie, vëmendje, kujdesi, edukimi prindëror me neglizhim emocional që është patjetër i rëndësishëm. Fëmijët e ndjejnë mungesën e prindërve dhe e shfaqin atë në mënyra nga më të ndryshmet, që shpeshherë janë problematike. Ata kanë nëvojë për dashuri dhe nëse nuk e marrin nga prindërit do e marrin nga dikush tjetër në mënyrë të pashëndetshme sepse ata kanë nëvojë për këtë gjë. Kanë nevojë për vëmendje dhe shpesh e shfaqin me sjellje problematike. Edhe pse pasoja do jenë kritikat e marra, fëmija do marë në fund atë për të cilën ka nevojë, që ëshë vëmendja. Fëmijët kanë nevojë për prindërit që t’i mësojnë se çfarë është korrekte dhe çfarë është e gabuar, se si funksionojnë gjërat në tërësi, qoftë edhe teorikisht, sepse fëmijët patjetër që do bëjnë provat e tyre rreth botës, por ajo që do të mësojnë përpara është ajo që prindi i ofron, qoftë dhe me prezencën e tij duke i treguar se si veprimet e tij, sjellin pasoja të caktuara, dhe fëmijët do ta realizojnë këtë gjë, në bazë të asaj që shohin. Kanë nevojë të komunikojnë, fëmijët kanë nevojë të dëgjohen, por kur nuk e marrin këtë gjë, ata ndryshojnë sjellje, që shpesh kthehet në sjellje problematike.

CMG: Si mund të ndikojnë këto pasoja emocionale tek fëmijët në të ardhmen?

Marsjola Domi: Pasojat lidhen drejtpërdrejtë me fëmijët, në mënyrën se si ai do të kompesojë mungesën prindërore, psh; Një fëmijë që nuk merr dashuri nga prindi dhe duhet të ngulmojë ta marrë atë kur është i vogël bëhet zakonisht një i rritur që përfundon me një partner jo të dispunueshëm emocionalisht dhe që ja mohojnë dashurinë. Që do të thotë gjendet sërish në një situatë, ku i duhet të luftojë që të marrë dashurinë që i mohohet. Dhe nëse haset me një partner që dashurinë ja jep në një mënyrë të shëndetshme, por kjo gjë do të refuzohet prej tyre sepse nuk është e mësuar prej tyre. Fëmijët do të luftojnë për vëmendje, dhe ku më lehtë se sjelljet e gabuara marrin vëmendje të madhe. Kështu që fëmija do të vijojë që të bëjë sjellje deviante, jo të përshtatshme apo sjellje të gabuara në mënyrë të vazhdueshme, për të pasur vëmendjen e prindit të vet. Do të kemi problematika në lidhje me emocionet sepse mungon komunikimi dhe do të pasohet me sjellje të pakontrolluara shpërthyese  dhe shpeshherë fëmijët në ditët e sotme thonë që kanë probleme me inatin dhe zemërimin sepse nuk dinë ta menaxhojhnë atë. Kjo vjen si pasojë e moskomunikimit të emocioneve të tyre, që do të ketë ftohtësi në marrëdhënje me prindërit kjo është e sigurtë, por mund të ndodh si rrjedhojë e kohës së paktë të kaluar së bashku nga prindi dhe fëmija, ose si pasojë që fëmija do të dojë, do të ndëshkojë prindin për këtë gjë. Mungesa e përkujdesjes nga prindi do i bëj ata konfuzë, ndoshta refuzues kur të marrin këtë nga dikush tjetër. Nëse prindërit nuk janë aty për ti mësuar se çfarë është korrekte dhe çfarë është e gabuar, fëmija do i mësojë vetë, sipas mënyrës së vetë, gjë e cila mendohet të jetë jo e duhura e që në fund përfundon me pasoja.