Çmimi i energjisë, Balluku: Mbrojtje sociale familjeve
2022-09-01 11:32:15

Balluku (Foto ATSH)

Balluku (Foto ATSH)

 Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, njoftoi të mërkurën mbi disa propozime që po diskutohen sa i takon faturimit të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë. Në një deklaratë për mediet pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Balluku u shpreh se në vendimmarrje do të mbahet parasysh si mbrojtja sociale e familjeve,  ashtu edhe optimizimi i financave të sektorit.

“Është bërë një studim për të parë se sa familje do të preken dhe se sa do të jetë çmimi. Synojmë të mos prekim çmimin e tregut. Por, në orën 20:00 të ditës së djeshme, çmimi i një megavat/orë shkoi 1040 euro. Në rast se do të ekspozonim qytetarët tanë te këto çmime do të ishte e pamundur të përballohej. Ka disa propozime për faturimin me të njëjtin çmim të fashës deri në 800 kilovat/orë nga ministria dhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë që do të diskutohen në Këshillin e Ministrave për t’u zgjedhur ai propozim që do të jetë më i miri edhe për të optimizuar financat e sektorit, si dhe për të diferencuar mburojën sociale që ne i japim qytetarit”,-  tha Balluku. (Elona)