Fëmijët e para viteve ’90 mund të visheshin rroba të arnuara me sandalet apo këpucët gjithë pluhur, madje në pjesën më të madhe të kohës i mbanin nën sqetull, pasi u kishin thënë prindërit se këto do i kishin për një vit të tërë dhe duhet t’i ruanin edhe për në shkollë… Dikur fëmijët dilnin të lumtur shesheve për të luajtur me top, me peta, kukafshehti, me karrocë me guzhinjeta, etj. Fëmijët luanin deri natën vonë, rrobat e tyre bëheshin pis, por në fund të ditës çdo gjë ishte e lidhur më tepër me ndërveprimin social dhe jo me botën teknologjike. Atëherë fëmijët dukeshin të lumtur.
Femije te lumtur ne natyre (Foto nga Oxygenpress)
Fëmijët e sotëm i kanë kushtet e mundshme për një jetesë të lehtë e të rehatshme dhe prapë nuk janë të kënaqur.
Sot fëmijët jetojnë në kohët e shpërthimit të teknologjisë, ndaj brezin e tyre me keqardhje mund ta quajmë “brezi i Iphonave e Smartphoneve”, ku nuk i kënaqin më dhuratat e prekshme, por vetëm “diamantët” në lojërat e elektronike, kush ka më shumë, fiton më shumë pikë, është më i miri në lojë. Prindërve u rëndohet më shumë xhepi dhe në fund të ditës sheh fëmijët të palumtur. Në lidhje me këtë temë bashkëbiseduam me mësuesen Gilberta Simoni.
CMG: A kanë qenë të lumtur fëmijët dikur?
Gilberta Simoni: Kjo është një pyetje që ja bëjnë të gjithë sot vetes. Kur unë kam qenë fëmijë gjërat ishin ndryshe, nuk kishim teknologji. Vërtet ishim më të varfër, televizorin e kishim bardhë e zi, stacionin që shihnim e kishim vetëm tek Tvsh-ja, por ne ndiheshim të plotësuar, të plotë. Kishim aktivitetet që bënim në shkollë, lexonim shumë libra, luanim shumë me njëri-tjetrin, kurse sot nuk funksionon më si dikur.
CMG: Ju si mësuese për dy dekada, a shihni njëlloj gëzimin në sytë e fëmijëve?
Fëmijët dikur dhe sot (Foto facebook)
Gilberta Simoni: Sot fëmijët janë përfshirë në një jetë që i bie të jetë si shumë në dukje në atë që jepet, në Instagram, Facebook, Tik-Tok e jo në atë që përjetojnë në të vërtetë. Ajo që ata përjetojnë më të vërtetë është diçka tjetër. Nuk luajnë më si dikur me njëri- tjetrin, është rritur shumë numri i atyre që nuk lexojnë libra, aktivitetet e ndryshme në shkollë janë shumë të kufizuara. Fëmijët sot nuk bashkëveprojnë me njëri-tjetrin më dashamirësi e po ashtu është rritur shumë bullizmi. Me një fjalë çdo gjë është kthyer në diçka shumë individuale. Më vjen shumë keq ta them, por tek fëmijët po ushqehet kjo frymë.
Problemi i një fëmije sot është telefoni. Nëse ne dikur kishim shokë e shoqe dhe thërrisnim pafund tek porta e shtëpisë derisa të dilte shoku apo shoqja për të luajtur, sot problemi më i madh i tyre është celulari. Madje duhet marka më e fundit sepse në këtë mënyrë ata u mburren edhe të tjerëve. Nuk i kuptoj, vërtet disa gjëra unë nuk i kuptoj. Duke qenë se jam rritur në një periudhë tjetër, mundohem të përshtatem, por nuk më pëlqejnë. Nuk më pëlqejnë sepse teknologjia të veçon nga shoqëria dhe ne jemi qënie sociale. Jemi lindur dhe rritemi në shoqëri, kjo gjë na përmirëson.
CMG: Me kushtet e sotme, a mund të kemi një fëmijëri më të mirë?
Fëmijët dje dhe sot (Foto nga Facebook)
Gilberta Simoni: Nuk e diskutoj faktin që sot mundësitë për të jetuar e shkolluar janë shumë herë më të mira se në kohën kur unë kam qenë fëmijë, por nëse sot është shumë herë më e lehtë të arrish qëllimet e tua, të arrish botën, mjafton të kesh dëshirë, vullnet e guxim. Bashkë me gjithë këtë mirëqënie, me gjithë këtë hapje ndaj botës, me gjithë këtë jetë që na ofrohet sot, më vjen keq ta them se, nuk na ofrohet një fëmijëri më e mirë.
Si mund të arrijmë t’i bëjmë më të lumtur fëmijët sot?
Sipas disa studimeve, metoda daneze është konsideruar si më e përshtatshme për të patur fëmijë më të lumtur: Ata kanë 6 rregulla bazë për lumturinë: Lojëra, Emocionet, Realiteti, Empatia, Asnjë ultimatum dhe Intimitet.
Këto janë fjalët që përfaqësojnë 6 rregullat që përdorin prindërit danezë për të rritur fëmijët e tyre të lumtur.
Fëmijët sot (Foto Facebook)
Lojëra
Sipas rregullave të tyre, fëmijët duhet të luajnë shumë, madje edhe kur janë të angazhuar me shkollën. Prindërit duhet t’i lenë më të lirë fëmijët, t’i çojnë në park, në plazh, në pyll, pra t’i lënë ata të luajnë pa asnjë pengesë, duke i dhënë më shumë rëndësi lojërave në natyrë. Prindërit duhet të përpiqen të mos ndërhyjnë në lojërat e fëmijëve dhe t’i lejojnë ata të gabojnë, që të mësojnë.
Vetëm duke qenë të pavarur dhe pa kufizime, fëmijët mund të mësojnë nga të gjitha situatat, nëpërmjet lojës. Në Danimarkë, fëmijët nuk kanë detyra shtëpie: mësuesit fillojnë të caktojnë detyra kur ata janë në një moshë më të rritur. Kjo u lejon atyre të luajnë më shumë dhe të eksplorojnë.
Femijet para viteve 90
Emocionet
Autenticiteti i ndjenjave duhet të kultivohet. Kjo do të thotë që ne duhet t’u mësojmë fëmijëve të jenë empatikë, të kuptojnë të tjerët dhe mbi të gjitha të shprehin ndjenjat e tyre pa frikë se do të gjykohen.
Realiteti
“Ristrukturimi i realitetit” nënkupton kërkimin dhe gjetjen e aspektit pozitiv në situata negative. Çdo ditë ne përballemi me situata të vështira.
Empatia
Fëmijët duhet të mësojnë të jenë të ndjeshëm. Në këtë mënyrë ata do të mësojnë se duhet të respektohen zgjedhjet e të tjerëve dhe mbi të gjitha t’i respektosh ato.
Gilberta Simoni Mesuese
Asnjë ultimatum
Sipas kësaj metode, prindërit nuk duhet t’u japin ultimatume fëmijëve të tyre. Danezët punojnë shumë në lidhje me komunikimin me fëmijët. Ata nuk u japin menjëherë ndëshkime, por përpiqen t’u shpjegojnë në mënyrë që ata të kuptojnë. Nëse një fëmijë bën diçka të gabuar, shpjegojini atyre arsyet pse nuk duhet ta bëjnë dhe ku gaboi. Vetëm në këtë mënyrë fëmija mund të mësojë.
Intimiteti
Intimiteti në familje është shumë i rëndësishëm. Kur dikush hyn në hapësirën intime të një familjeje, duhet të përpiqet të lërë mënjanë individualitetin për të menduar për të mirën e përbashkët.
Intervistoi: Sava Lena