PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
100 vjet pavarësi, Shqipëria me mbi 70 qeveri
2012-11-21 18:39:29 CRI Komenti juaj Printoni

Në një dossier, gazeta "Shqiptarja.com" shkruan se qeveria e parë shqiptare është ajo e kryesuar nga Ismail Qemali nga 4 dhjetor 1912 - 22 janar 1914. Fillimi i vitit 1914 solli për qeverisjen e Vlorës vështirësi, kohë kur do të dilte çështja e Beqir Grebenesë, një oficer shqiptar në shërbim të perandorisë osmane, i cili organizoi një komplot, në të cilin bëri protagonist të bisedave të fshehta edhe Ismail Qemalin. Si pasojë, Ismail Qemali dhe qeveria e Vlorës jep dorëheqjen.

Pas rënies së qeverisë së Vlorës, Esat Pashë Toptani krijon një qeveri, e cila nuk u njoh nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit (KNK). KNK përfaqësonte pushtetin ekzekutiv të dërguar nga Fuqitë e mëdha, i krijuar në 29 korrik 1913 nga Konferenca e Ambasadorëve, me synim organizimin e shtetit shqiptar. KNK-ja njohu një unifikim të administratës, ku spikasnin 2 drejtorë Fejzi Alizoti, Drejtor i administratës për pjesën e ish qeverisë së Vlorës dhe Azis Pashë Vrioni, për pjesën e ish qeverisë së Esat Pashë Toptanit. KNK-ja përgatiti ardhjen e princit Wilhelm Von Wied, i cili mbërriti në Durrës, bashkë me familjen mbretërore në 7 mars 1914.

Qeveria e parë e Turhan Pashës, shënohet me 15 mars 1914 - 20 maj 1914. Pak ditë pas mbërritjes, princ Wiedi dekretoi kryeministrin e ri, Turhan Pasha dhe Shqipëria njihet si shtet nga të 6 superfuqitë.

Qeveria e dytë mbretërore e Turhan Pashës shënohet nga 28 maj 1914 deri më 3 shtator 1914. Rikonfigurimi i qeverisë erdhi pas largimit nga qeveria i numrit dy të saj, Esat Pashë Toptanit, si pasojë e konfliktit të tij me mbretërinë, përgjatë periudhës së kryengritjes në jug të Shqipërisë, zonë e kërcënuar nga pushtimi grek.

Në 3 shtator 1914 largohet princ Wiedi.

Kthimi i Esat Pashë Toptanit shënon një tjetër qeveri atë të 5 tetorit 1914 e cila zgjati deri më 27 janar 1916. Pas kësaj periudhe vjen Lufta e parë Botërore. Është koha e pushtimit të Shqipërisë, si dhe mbajtja e Traktatit të Londrës, në 26 prill 1915.

Në janar 1916, u bënë përpjekje për krijimin e një qeverie apo administrate shqiptare, pas hyrjes së ushtrisë austro-hungareze në vend. Përgjatë 1916 - 1918 krijohet dhe funksionon administrata e përkohshme shqiptare në Shkodër, e kryesuar nga Fejzi Alizoti, drejtor i përgjithshëm i Financave.

Me përfundimin e Luftës së parë Botërore, pozitat e Italisë në Shqipëri ishin forcuar dhe asaj iu kërkua krijimi i një qeverie shqiptare, me mbështetjen e Italisë. Kështu, vjen qeveria e kryesuar nga Turhan Pasha nga 25 dhjetor 1918 deri më 29 janar 1920. Më pas vjen qeveria e Durrësit, por që nuk pati suksesin e duhur në pjesën më të madhe të vendit.

Pas saj vjen qeveria e Sulejman Delvinës nga 30 janari deri më 14 nëntor 1920, qeveri që doli pas Kongresit të Lushnjës. Qeveria e Tiranës kërkoi mosnjohjen e qeverisë së Durrësit. Në këtë qeveri u vendos për herë të parë nxjerrja e monedhës shqiptare. Pjesë e këtij kabineti ishte edhe Ahmet Zogu. Në 14 nëntor 1920 Sulejman Delvina jep dorë- heqjen, pas konflikteve të mëdha në kabinetin qeveritar. Dhe këtu shënohet formimi i qeverisë së parë të Iliaz Vrionit, 15 nëntor 1920 - 1 korrik 1924. Gjendja e vështirë e krijuar për shkak të ndërhyrjes jugosllave në 1921, bëri që qeveria e kryesuar nga Iliaz Vrioni të jepte dorëheqjen dhe të kërkonte formimin e një qeverie të koalicionit, e cila zgjati nga 11 korriku deri më 16 tetor 1921.

Pas saj u krijua Qeveria e Pandeli Evangjelit, 16 tetor 1921 - 6 dhjetor 1921, pasi koalicioni nuk funksionoi dhe u formua "bashkimi i Shenjtë", si shkrirje e partive kryesore politike. Në radhë vjen Qeveria njëditore e Qazim Koculit, 6 dhjetor 1921 - 6 dhjetor 1921.

Pas dorëheqjes së Pandeli Evangjelit, një grup politikanësh si Hasan Prishtina, Mustafa Kruja, etj, bindën më pas Qazim Koculin të formonte një qeveri. Koculi pranoi, me kushtin që në kabinetin e kryesuar prej tij të mos ishte prezent Hasan Prishtina. Por Koculi jep dorëheqjen e papritur brenda ditës.

Pas kësaj aventure vjen qeveria e Hasan Prishtinës, 7 - 12 dhjetor 1921, por emërimi i Prishtinës ngjalli pakënaqësi të shumta në të gjithë vendin, deputetët ikën nga Tirana, në Durrës e në qytete të tjera. Kryeministri Prishtina, që ditët e para, u dha urdhër Forcave të Armatosura të shtien në dorë "me se s'bën" deputetët. Në këto kushte, një grup deputetësh shtuan trysninë ndaj qeverisë Prishtina, duke e detyruar atë të japë dorëheqjen.

Në radhë vjen qeveria kalimtare e Idhomeno Kosturit (12 - 24 dhjetor 1921), e pas saj Qeveria e Xhafer Ypit, 24 dhjetor 1921 - 26 dhjetor 1922, qeverisja e të cilit përkon me zhvillime të reja, si dhe ndryshime të raporteve politike në vend.

<<<Rubrika


1 2 3 4 5
Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China