Histori nga sallat e vetëstudimit me pagesë

2020-01-09 16:59:14 CRI Komenti juaj Printoni

24-vjeçari president i bordit drejtues: Do të vërtetoj potencialin e vetes

24-vjeçari David është diplomuar para dy vjetësh. Tani ai punon si president i bordit drejtues në kompaninë e film-televizionit të familjes së vet.

Qysh nga tetori, ai filloi të përgatitej për provimin IELTS në sallën e vetëstudimit.

Davidi mendon se posti i presidentit është vetëm një titull, ndërsa në kompani nuk ka shumë punë për t'u trajtuar nga ai vetë. Ndihmësi i tij është shumë i talentuar, duke e lehtësuar kështu shumë punën e tij si president.

Por kjo lehtësi nuk i ka sjellë Davidit kënaqësi. Ai nuk do të mbetet vetëm "një president në emër". Ai do ta vërtetojë potencialin e vet.

Davidi po përgatitet të studiojë për master në administrim biznesi (MBA) dhe pastaj të ngrejë një kompani ndërmjetësimi transaksionesh. Provimi IELTS është i domosdoshëm për t'u regjistruar për të studiuar për MBA.

Para dy vjetëve, David, që sapo ishte diplomuar, donte të punonte i pavarur në qytetin ku kishte studiuar. Por ky mendim u kundërshtua kategorisht nga prindërit.

Megjithatë, ai deshi ta provonte. Atë vjeshtë, David dërgoi CV të panumërta dhe u intervistua nga dhjetë kompani. Por në fund, ai mori vetëm një ofertë.

"Kjo përvojë ma goditi rëndë vetëbesimin," tregon ai. Më vonë, Davidi i respektoi prindërit, u kthye në Pekin dhe u bë president i bordit drejtues të kompanisë së familjes së vet.

Në kartëvizitën e tij, titulli i Davidit është "president i bordit drejtues". Por ai tha se, edhe në raste biznesi, ai nuk ua jep vetë i pari të tjerëve kartëvizitën:

"Nuk guxoj ta shikoj drejtpërdrejt atë titull. Më duket vetja budalla." Davidi thotë se, me përvojën dhe aftësitë e tij të tanishme, ai nuk përputhet fare me atë titull.

Gjatë procesit të përgatitjes për provim, Davidi nuk shkon në punë dhe qëndron çdo ditë në sallën e vetëstudimit. Ai bleu një paketë prej 400 juanësh me 100 juanë dhuratë, kështu që pagesa për një orë nuk shkon as 10 juanë (1.44 dollarë amerikanë). "Këtu është më ekonomike se në kafene, ku duhen 30 a 40 juanë për një filxhan kafe."

Pasi prindërit e tij e morën vesh këtë vendim, ata menduan se djali i tyre është marrosur dhe nuk e mirëkuptojnë. "Ata nuk dëshirojnë që të kem sukses në provim," shprehet Davidi.

Një e re: Qëndroj këtu për të kursyer paratë e hotelit, që të blej një biletë për të parë idhullin tim

19-vjeçarja Xiaoyu është studente e vitit të parë në universitetin Nankai të qytetit Tianjin.

Kjo është hera e parë që ajo përdor një sallë vetëstudimi. Ajo bleu në internet një paketë nate me 68 juanë, që të qëndronte atje tërë natën.

Ndryshe nga qëllimi i të tjerëve që studiojnë këtu, ajo erdhi nga Tianjin-i në Pekin dhe qëndroi në sallën e vetëstudimit, për të marrë pjesë në kohë në regjistrimin e një spektakli të nesërmen. Në atë spektakël, ajo mund të shikonte nga afër idhullin e vet Wang Junkai.

Biletën e spektaklit Xiaoyu e bleu ne tregun e zi me 750 juanë (108 dollarë amerikanë).

"Është shtrenjtë, por ia vlen," tha ajo. "Të rrish në vendxhirim është krejtësisht e ndryshme nga të shikosh video." Në vendin e xhirimit të spektaklit, ajo ndjeu se kishte realizuar një ëndërr.

Bileta e spektaklit nuk është një shpenzim i vogël për Xiaoyu-në, prandaj ajo vendosi të mos qëndronte në hotel.

Xiaoyu mori me vete edhe katër tekste mësimore për matematikën e përparuar, duke planifikuar që në sallën e vetëstudimit, të përgatitej edhe për provimin përfundimtar.

 


1 2 3 4
Mrekulli
Lajmet Kryesore