Inflacioni sipas metodologjisë së Eurostat-it, 2.3 % në tetor
2024-11-22 09:18:51

foto: ATSH

foto: ATSH

Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit u rrit në tetor me 2.3%. Ky indeks synon të japë ecurinë krahasuese të çmimeve me vendet e Bashkimit Europian, bën të ditur “ATSH”.

Për tetorin, norma zyrtare e inflacionit në Shqipëri rezultoi 1.9%.

Grupi i ushqimeve historikisht ka qenë kontribuuesi kryesor në rritjen e indeksit të harmonizuar të çmimeve. Sipas INSTAT-it, në tetor, ai kontribuoi me 4.1% në rritjen totale.

Nga ana tjetër, çmimet e grupit të transportit u ulën me 3.1%.
Mbështetur në metodologjinë e përdorur nga INSTAT-i, indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit përfshin shpenzimet e bëra brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve, ndërsa indeksi i çmimeve të konsumit mbulon vetëm shpenzimet private të familjeve shqiptare të kryera brenda dhe jashtë vendit.