Sondazhi i CGTN-it: Veprimet e Kinës nxisin qeverisjen klimatike
2024-11-15 12:20:28

“Kina do të përpiqet të arrijë kulmin e lëshimeve të karbonit brenda vitit 2030 dhe asnjanësimin e karbonit brenda 2060-s”; “Deri në vitin 2030, lëshimet e dioksidit të karbonit për njësi të PBB-së në Kinë do të pakësohen me më shumë se 65 për qind në krahasim me vitin 2005” … Përballë sfidave të mëdha dhe kërcënimeve të shkaktuara nga ndryshimet klimatike, Kina po e trajton në mënyrë aktive këtë çështje nëpërmjet veprimeve konkrete, duke ofruar më shumë “zgjidhje kineze” për qeverisjen globale të klimës.

Në një sondazh të kryer nga CGTN-i dhe Universiteti Renmin i Kinës nëpërmjet Institutit të Komunikimit Ndërkombëtar të Epokës së Re (NEIIC) me 7 658 veta nga 38 vende, 83.5 për qind e pjesëmarrësve vlerësuan pozitivisht përpjekjet dhe kontributin e Kinës për qeverisjen globale të klimës. Ata besojnë se veprimet e Kinës në trajtimin e ndryshimeve klimatike kanë sjellë besim e forcë në përpjekjet e përbashkëta për të ndërtuar një botë të pastër dhe të bukur.

Vitet e fundit, Kina ka përshpejtuar tranzicionin e saj të gjelbër: deri në vitin 2022, intensiteti i lëshimit të karbonit në Kinë u ul me mbi 51 % krahasuar me vitin 2005. Deri në qershorin e vjetshëm, më shumë se gjysma e automjeteve me energji të reja në botë ishin në Kinë. Kapaciteti i instaluar i energjisë së erës dhe asaj fotovoltaike në Kinë është renditur i pari në botë për shumë vjet. Po ashtu, ndërsa si sipërfaqja e pyjeve, ashtu edhe vëllimi i rezervës pyjore kanë vazhduar të rriten, Kina renditet e para në botë për sa i përket pyllëzimit.

83.5 për qind e të anketuarve globalë besojnë që Kina ka bërë përparim në kontrollin e lëshimeve të gazit serrë. Po ashtu, 80.3 për qind janë të mendimit që Kina ka krijuar një model për komunitetin ndërkombëtar në promovimin e infrastrukturës së energjisë së pastër, 80.2 për qind i pranojnë përpjekjet e Kinës për të promovuar transformimin e gjelbër në industritë tradicionale dhe 85.4 për qind vlerësojnë përpjekjet e Kinës për pyllëzimin dhe rritjen e mbulimit me gjelbërim. Ndërkohë, 82.4 për qind e atyre që u përgjigjën në këtë sondazh, besojnë se zhvendosja e përshpejtuar e Kinës drejt energjisë së pastër demonstron ambicie e vendosmëri në trajtimin e ndryshimeve klimatike globale.

Kina po punon në mënyrë aktive për të trajtuar ndryshimet e brendshme klimatike, duke mbështetur gjithashtu më shumë vende të Jugut Global në krijimin e kapaciteteve për të luftuar ndryshimet klimatike. Këto përpjekje përfshijnë ofrimin Afrikës të satelitëve për gjurmimin klimatik në largësi, sistemit të prodhimit të energjisë fotovoltaike dhe pajisjeve të ndriçimit, si edhe krijimin e zonave demonstruese me karbon të ulët në Azinë Juglindore. Në sondazh, 82.6 përqind e pjesëmarrësve globalë i vlerësojnë përpjekjet e Kinës për të ndihmuar vendet në zhvillim të trajtojnë ndryshimet klimatike dhe 82.7 për qind besojnë se Kina ka kontribuuar me njohuri dhe zgjidhje të vlefshme për qeverisjen globale të klimës.

Toka është shtëpia e përbashkët dhe e vetme e njerëzimit. Kina i kushton rëndësi të madhe përballimit të ndryshimeve klimatike e trajtimi aktiv i këtij problemi është bërë një strategji kombëtare. Kina e ka futur konceptin e qytetërimit ekologjik dhe ndërtimin e tij në Kushtetutën e vet dhe i ka përfshirë veprimet klimatike në planet e saj kombëtare të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror. 79.7 për qind e të anketuarve globalë besojnë që kjo tregon përkushtimin e vendosur dhe ndjenjën e përgjegjësisë të Kinës lidhur me qeverisjen e klimës, kurse 85.3 për qind e shohin Kinën si një ushëheqëse dhe pjesëmarrëse kyçe në qeverisjen globale të klimës.

Sondazhi përfshiu të anketuar si nga vendet e zhvilluara, si Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Japonia, ashtu edhe nga vendet në zhvillim, si Argjentina, India e Kenia. (Çang Çuo)