Filipinet sërish në qendër të vëmendjes
2024-11-15 11:30:15

Shumë gjëra kanë ndodhur që nga momenti kur Donald Trump fitoi zgjedhjet presidenciale amerikane. Edhe pse në një kohë të shkurtër, liderët nga anembanë botës vrapuan për të uruar dhe për të përgëzuar këtë zgjedhje të amerikanëve. Disa më të ngadhënjyeshëm se të tjerët, disa më entuziastë, dhe disa kaluan direkt në aksione kombëtare për reflektim ndërkombëtar, ose thënë më mirë veprime në nivel sinjalesh për besnikërinë e palëkundur kundrejt administratës së re në Uashington.

Javën e kaluar presidenti i Filipineve, Ferdinand Marcos Jr., nënshkroi dy ligje: "Aktin e Rrugëve Detare të Arkipelagut të Filipineve" dhe "Aktin e Zonave Detare të Filipineve," duke pretenduar se po zbaton Konventën e Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtën e Detit (UNCLOS). Por, nga një perspektivë më e gjerë strategjike, këto akte përbëjnë një përpjekje të Filipineve për të konsoliduar në mënyrë të paligjshme pretendimet e saj territoriale në Detin e Kinës Jugore dhe për të sfiduar sovranitetin kinez. Duke i prezantuar këto masa si përpjekje për "ligjshmëri ndërkombëtare," Filipinet në fakt minojnë bazat e rendit ndërkombëtar dhe krijojnë precedentë të rrezikshëm për destabilizimin e rajonit. Kjo nismë ligjore jo vetëm që sfidon normat e vendosura për lirinë e lundrimit, por gjithashtu përkeqëson marrëdhëniet me vendet fqinje, përfshirë Kinën. Nga këndvështrimi i Kinës, këto veprime janë pjesë e një fushate të qëllimshme të Filipineve për të institucionalizuar tensionet dhe për të sfiduar autoritetin kinez në ujërat që historikisht dhe ligjërisht i përkasin Kinës.  

Foto nga VCG

Një fotografi mbi Detin e Kinës Jugore/Foto nga VCG

Nga persepektiva e ligjit ndërkombëtar, një çështje kombëtare nuk duhet të bëhet një çështje ndërkombëtare pasi ajo duhet të menaxhohet efektivisht brenda kuadrit ligjor, politik dhe diplomatik të vendit. Për të parandaluar që një çështje kombëtare të bëhet ndërkombëtare, një shtet mund të përdorë disa elemente dhe strategji kyçe që të mos hasë në të ardhmën më vështirësi dhe përballje.

Çdo komb duhet të shmangë internacionalizimin e çështjeve të brendshme pasi historia ka treguar se nuk sjellin asnjëherë përfitime. Në vend që një çështje kombëtare të bëhet një çështje ndërkombëtare, organizatat rajonale ose marrëveshjet dypalëshe ofrojnë një platformë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Vendet duhet të trajtojnë çështjet e tyre brenda kuadrit rajonal për të parandaluar vëmendjen globale. Menaxhimi i narrativës është çelësi për mbajtjen e një çështjeje kombëtare dhe moskalimin e saj në ndërkombëtare.

Një nga pilastrët e fqinjësisë së mirë janë masat “Jo-provokuese” ose thënë thjështë sigurimi që veprimet e marra nuk provojnë shtetet e tjera ose nuk përshkallëzojnë tensionet është thelbësor. Një çështje kombëtare që nuk përfshin sjellje agresive ose shkelje të të drejtave të shteteve të tjera nuk ka përse të tërheqë vëmendjen ndërkombëtare ose konfliktin.

Një çështje e fqinjësisë, mund të mbahet e brendshme përmes menaxhimit efektiv, diplomacisë, përputhshmërisë me ligjin ndërkombëtar dhe komunikimit proaktiv. Është një balancë midis trajtimit të shqetësimeve kombëtare dhe ndërgjegjësimit për dinamikat globale që mundëson shtetet të trajtojnë çështje të ndjeshme pa ndërhyrje të jashtme.

Foto nga VCG

Roja bregdetare kineze kryen aktivitete të zbatimit të ligjit në Ujërat jashtë ishullit Huangyan, 15 maj 2024./Foto nga VCG

Në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, si Konventa e Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtën e Detit dhe Ligji i Republikës Popullore të Kinës për Detin Territorial dhe Zonën e Afërt, qeveria kineze ka përcaktuar dhe shpallur vijat bazë të detit territorial përreth Huangyan Dao.

Kongresi Popullor Kombëtar (KPK), organi më i lartë legjislativ i Kinës, shprehu kundërshtimin e fortë dhe dënimin e ashpër. Në një deklaratë, Komiteti i Punëve të Jashtme të KPK-së kritikoi këtë akt si përpjekje për të zbatuar vendimin e paligjshëm të arbitrazhit të vitit 2016 mbi Detin e Kinës Jugore përmes legjislacionit të brendshëm. Kina nuk e pranon dhe nuk e njeh vendimin, duke konfirmuar se sovraniteti dhe të drejtat e saj detare në Detin e Kinës Jugore mbeten të paprekura. Filipinet kanë miratuar këto dy ligje të cilat kanë cënuar rëndë sovranitetin territorial dhe të drejtat detare të Kinës në Detin e Kinës Jugore, si dhe shkelin ligjin ndërkombëtar, përfshirë Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit (UNCLOS).

Duke u përballur me këtë provokim, Kina nuk do të qëndrojë pasive pasi vetë Pekini ka ndërtuar një politikë të qëndrueshme të stabilitetit rajonal dhe të bashkëpunimit të ndërsjellë, duke i dhënë përparësi dialogut dhe zgjidhjeve diplomatike. Megjithatë, çdo përpjekje për të shkelur sovranitetin dhe të drejtat territoriale të saj do të hasë në një përgjigje të fortë dhe të vendosur.

Në një kontekst global ku fuqitë e mëdha duhet të tregojnë maturi dhe përgjegjësi, veprimet e Filipineve jo vetëm që rrezikojnë paqen rajonale, por edhe sfidojnë rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Për Kinën dhe për botën, ruajtja e të drejtës ndërkombëtare dhe mbrojtja e sovranitetit kombëtar do të jenë objektiva të panegociueshme në vitet që vijnë.

Këto veprime janë një projekt i mirëmenduar nga Manila për të justifikuar pretendimet e saj të paligjshme, duke i dhënë mbështetje legjislative për të krijuar një "realitet të ri" dhe për të ushtruar presion mbi administratën e ardhshme të SHBA-së për të ruajtur mbështetjen në rajon. Kjo nuk është vetëm një përpjekje e izoluar, por një strategji e ndërtuar gjatë viteve, me qëllimin e qartë për të minuar sovranitetin e Kinës në rajon dhe për të krijuar tensione të reja.

Po a do të këtë një realitet të ri për Manilën? Nëse historia do të merret si precedent -  Jo. Edhe familja e Markos Jr. e njeh mirë këtë lloj precedenti.  Kjo lëvizje rrezikon të nxisë më shumë tensione dhe konflikte të panevojshme, duke cënuar jo vetëm Kinën, por edhe stabilitetin dhe interesat e komunitetit ndërkombëtar. Dhe nëse ende ka dyshime mbi atë që quhet “çështja e Detit të Kinës Jugore” çelësi është tek emri.... quhet Deti i Kinës Jugore!

Marsela MUSABELIU.