Krerët e shtetit të Kinës dhe Perusë shpallin përurimin e portit të Çankait
2024-11-15 15:26:03

Foto nga CMG

Foto nga CMG

Të enjten në mbrëmje, në pallatin presidencial në Lima, presidenti kinez Xi Jinping dhe homologia e tij peruane Dina Boluarte morën pjesë me anë të videos në ceremoninë e përurimit të portit të Çankait.

Xi dhe Boluarte dëgjuan raportet për gjendjen, të mbajtura nga drejtuesit e departamenteve të transportit të të dy vendeve, dhe panë së bashku videon e projektit të portit të Çankait. Përfaqësuesit e palës kineze dhe asaj peruane në port kërkuan leje nga të dy krerët e shtetit për të filluar vënien në funksionim të portit.

Të dy presidentët shpallën përurimin e portit.

Xi uroi për përurimin me sukses të portit të Çankait dhe shprehu nderimin e tij për ndërtuesit prej të dy vendeve për tejkalimin e vështirësive të epidemisë, bashkëpunimin dhe kryerjen e detyrave të ndryshme me cilësi dhe sasi. 

Ai vuri në dukje se në vetëm pak vjet është ndërtuar një port modern, gjë që është emocionuese dhe frymëzuese. Porti i Çankait nuk është vetëm një port i ujërave të thella, por edhe i pari port inteligjent dhe port i gjelbër në Amerikën e Jugut. Ai do të sjellë përfitime të mëdha për Perunë, do të krijojë një numër të madh vendesh pune dhe do të konsolidojë në mënyrë efektive statusin e Perusë si një pikë që lidh tokën dhe detin, Azinë dhe Amerikën Latine. Xi Jinping-u tha më tej se, para 2000 vjetëve, paraardhësit e kombit kinez lundruan nëpër valët e trazuara dhe krijuan Rrugën Detare të Mëndafshit që lidh Lindjen me Perëndimin. Para 500 vjetëve, paraardhësit e Perusë, inkasit, nuk kishin frikë nga vështirësitë e rreziqet, por u ngjitën mbi male dhe ndërtuan rrugën e lashtë të inkasve që lidh veriun dhe jugun e Andeve. Sot, porti i Çankait po bëhet një pikënisje e re për "Shtegun e Lashtë të Inkasve në Epokën e Re". Nga porti i Çankait deri në qytetin Shangai, po dëshmojmë jo vetëm zbatimin e nismës "Një brez, një rrugë" në Peru, por edhe një rrugë të re që lidh Azinë dhe Amerikën Latine, tha ai.

"Ne duhet të bëjmë përpjekje të përbashkëta për ta ndërtuar, menaxhuar dhe vënë siç duhet në funksionim portin e Çankait dhe për të përmirësuar vazhdimisht kapacitetin e tij të transportit e nivelet gjithëpërfshirëse të shërbimit, duke e bërë atë një rrugë drejt begatisë e lumturisë për Perunë dhe vendet e tjera të Amerikës Latine e të Karaibeve dhe për të arrituar përfitime të ndërsjella në një hapësirë më të gjerë," theksoi Xi.

Presidentja peruane, Dina Boluarte, u shpreh nga ana e saj se përurimi i portit të Çankait është moment historik që bën krenar të gjithë popullin peruan. Ky projekt madhështor i nismës "Një brez, një rrugë", i ndërtuar së bashku nga Peruja dhe Kina, shënon një hap kyç për bërjen e Perusë një qendër ndërkombëtare e transportit dhe tregtisë. Ai do ta ndihmojë Perunë të bëhet një pikë kyçe që lidh Amerikën Latine e Azinë dhe do të promovojë në mënyrë efektive integrimin dhe zhvillimin e begatë të Amerikës Latine. Ky port do të hapë një kapitull të ri të zhvillimit ekonomik të Perusë dhe do të shtojë më tej aftësinë konkurruese të Perusë, duke i sjellë më shumë përfitime popullit peruan. 

Boluarte e falënderoi Kinën për besimin dhe mbështetjen ndaj Perusë! "Nga 'porti i Çankait deri në Shangai', ky 'Shteg i Lashtë i Inkasve në Epokën e Re' do të bëhet ura e integrimit të dy qytetërimeve të lashta dhe ura e thellimit të miqësisë ndërmjet të dy vendeve. Rroftë Kina! Rroftë miqësia peruane-kineze!", u shpreh presidentja.

Porti i Çankait ndodhet 80 kilometra në veri të Limës, kryeqytetit të Perusë, dhe është një projekt kyç i nismës "Një brez, një rrugë" i ndërtuar së bashku nga Kina dhe Peruja. Pas përurimit të këtij porti, koha e transportit me një drejtim midis Kinës dhe Perusë do të shkurtohet në 23 ditë, duke ulur më shumë se 20 % koston e logjistikës. Ky port do të krijojë 8000 vende të drejtpërdrejta pune.(Xu Guang)