Përfaqësues prej rreth 100 grupeve të mendimit nga mbarë bota janë mbledhur në Nankin të provincës Jiangsu të Kinës Lindore për Dialogun e 2-të të Grupeve të Mendimit të Jugut Global. Aktiviteti është planifikuar të zhvillohet të enjten. Përpara hapjes, diskutimet në panel krijuan mundësitë që studiuesit dhe ekspertët të shkëmbejnë pikëpamje mbi rolin e Jugut Global dhe se si këto vende mund të punojnë së bashku për përballimin e sfidave dhe ruajtjen e paqes e të sigurisë.
LUKA BIONG DENG KUOL
Ish-ministri i Çështjeve Presidenciale i Sudanit të Jugut
“Unë mendoj se koncepti i Jugut Global është që ... ne nuk do të jemi vëzhgues, por duam të jemi aktivë në agjendën globale. Dhe kjo është bukuria e idesë së Jugut Global. Mendoj se dobësia jonë është se nuk kemi vënë rregull në shtëpinë tonë. Vendet perëndimore apo vende të tjera do të vijnë me agjendën e tyre. Por nëse nuk kemi politikat e duhura se si mund të ofrojmë siguri dhe paqe në vendet tona, ne bëhemi subjekt i agjendës së jashtme, dhe kjo është arsyeja pse ky takim është shumë i rëndësishëm për të konsoliduar mënyrën si i i ofrojmë siguri qytetarit.”
Foto nga CMG
JOELLE PERREAU
Zv.kancelare e Universitetit të Sejshelleve
“Është një gjë e mirë për ne së bashku. Falënderoj Kinën për organizimin e kësaj veprimtarie, sepse mendoj që ishte koha e duhur. Jemi nga rajone të ndryshme. Të gjithë ne po përjetojmë gjëra të ndryshme. Unë isha në forumin e paqes dhe sigurisë, dhe ne shohim se paqja e siguria ndeshen me sfida të shumëfishta dhe të shumanshme, përfshirë ndryshimet klimatike, çështjet socio-ekonomike, luftërat... Kështu që unë besoj se bashkimi dhe kjo aleancë janë të dobishme për të gjithë, pasi ne kurrë nuk mund të arrijmë paqen dhe sigurinë të vetëm.”
FREDERICK GOLOOBA-MUTEBI
Koordinator i Kërkimit i organizatës "Kurrë më Ruanda"
“Unë besoj se Jugu Global ka tani një mundësi më të madhe për të luajtur një rol në skenën botërore, duke pasur parasysh që ne shohim shfaqjen e një bote shumëpolare, ku dominimi i Perëndimit pa dyshim po zvogëlohet. Jam i mendimit që Jugu Global tani po ndien një mundësi për t'u lidhur pak më shumë me fuqitë në zhvillim, për të provuar të kundërshtojë ndikimin shpërpjesëtimor të Veriut Global."
MARIET ESPINAL
Drejtore e Komunikimit e Qendrës për Studimet e Kinës në Dominikë
“Kjo ka qenë një përvojë e mrekullueshme për të gjithë këtu, dhe është gjithashtu një mundësi e madhe për të sjellë ndryshim, për të njohur njëri-tjetrin dhe për të qenë të vetëdijshëm se cilat janë realisht problemet e sfidat tona dhe çfarë mund të bëjmë së bashku për t'i zgjidhur ato. Unë mendoj që vendet tona gjatë gjithë kohës janë në rrugën e zhvillimit, por nuk e kemi arritur kurrë atë. Pse? Për shkak se shoqëria ndërkombëtare nuk është e gatshme dhe e hapur për t'u dhënë mundësi vendeve të Jugut Global për të arritur zhvillimin e vërtetë.” (Xu Guang)