Foto nga Xinhua
Ding Xuexiang, Përfaqësues Special i Presidentit Xi Jinping, gjithashtu zv/Kryeministër i Kinës, bëri thirrje të martën për forcimin e sistemit të paralajmërimeve të hershme dhe për rritjen e kapaciteteve të përshtatjes klimatike. Ai i bëri deklaratat gjatë një takimi të nivelit të lartë të mbajtur nga Kina mbi paralajmërimet e hershme, gjatë Sesionit të 29-të të Konferencës së Palëve të Konventës Kuadër të OKB për Ndryshimet Klimatike (COP29) në Baku, Azerbajxhan.
Ding, Anëtar i Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK, vuri në dukje se Kina i kushton rëndësi të madhe bashkëpunimit ndërkombëtar për paralajmërimet e hershme meteorologjik, madje Presidenti Xi ka bërë kërkesa specifike për këtë çështje.
Vitet e fundit, ndryshimet klimatike kanë patur një ndikim në rritje, me ngjarje të shpeshta ekstreme të motit, që paraqesin sfida të paprecedentë për sigurinë e jetës dhe pronës së njerëzve, si dhe për zhvillimin ekonomik dhe social, tha Ding. Ai shtoi se forcimi i sistemit të paralajmërimeve të hershme dhe rritja e kapaciteteve të përshtatjes klimatike, janë gjithnjë e më të rëndësishme dhe urgjente.
Kina është e gatshme të punojë me të gjitha vendet, për të çuar përpara nismën e OKB për Paralajmërimet e Hershme, për të dhënë kontribute të reja dhe më të mëdha në adresimin e ndryshimeve klimatike, tha Ding. Më tej ai propozoi tre pika.
Së pari, përmirësimi i përbashkët i aftësive të vlerësimit të rrezikut global dhe promovimi i standardizimit të vlerësimeve të rrezikut klimatik, për të ofruar mbështetje shkencore për qeverisjen e klimës.
Së dyti, ndërtimi i përbashkët i një rrjeti global të paralajmërimeve të hershme, shkëmbimeve teknologjike, rritjes së ndërlidhjes së sistemit dhe punës për përmirësimin e sistemeve globale të paralajmërimeve.
Së treti, krijimi i përbashkët i një partneriteti për përshtatjen e klimës. Ding tha se Kina do të zhvillojë dhe do të zbatojë një projekt bashkëpunimi Jug-Jug për paralajmërimet e hershme, në përgjigje të ndryshimeve klimatike. Ajo do të mbështesë vendet e tjera në zhvillim, përmes ofrimit të pajisjeve të vëzhgimit meteorologjik, sistemeve të paralajmërimit të hershëm dhe trajnimeve për ndërtimin e kapaciteteve.
Në takim morën pjesë dhe mbajtën fjalime edhe Presidenti i COP29 Mukhtar Babayev, Këshilltari Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Veprimin për Klimën dhe Tranzicionin e Drejtë Selwin Hart, Sekretarja e Përgjithshme e Organizatës Botërore Meteorologjike Celeste Saulo dhe Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për reduktimin e rrezikut nga fatkeqësitë dhe Kreu i OKB-së në Zyrën për Reduktimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë, Kamal Kishore.
Gjatë takimit, u publikua Plani i Veprimit i Kinës për Paralajmërimet e Hershme për Përshtatjen ndaj Ndryshimeve Klimatike (2025-2027).