Foto nga VCG
Koncepti i Kinës për rendin ndërkombëtar, vendos Kombet e Bashkuara në qendër të sistemit ligjor dhe ekonomik, u shpreh të hënën Fu Ying, ish zv/Ministre e Jashtme e Kinës, gjatë Forumit të Shtatë të Paqes në Paris.
Duke folur në një panel lidhur me ndikimin global të zgjedhjeve presidenciale në SHBA, Fu krahasoi konceptin e Kinës me atë të Perëndimit. Ajo vuri në dukje se ndryshimet e shpejta globale dhe vite të tëra të tejkalimit strategjik nga Shtetet e Bashkuara, i kanë bërë amerikanët gjithnjë e më shumë hezitues për t'u angazhuar gjerësisht në çështjet botërore.
"Ndonjëherë, amerikanët veprojnë si sabotatorë, duke minuar vetë rendin global perëndimor," tha ajo.
Në lidhje me ndikimin e zgjedhjeve në SHBA, Fu vuri në dyshim nëse Shtetet e Bashkuara do të trajtonin të metat e rendit global perëndimor, duke e bërë atë më gjithëpërfshirës dhe të hapur ose duke e minuar më tej.
Pjesëmarrësit e forumit me temë "Kërkohet një rend global funksional," gjithashtu nënvizuan rëndësinë e multilateralizmit në qeverisjen globale.
Justin Vaisse, Drejtor i Përgjithshëm i Forumit të Paqes në Paris, theksoi nevojën për të "rigrupuar dhe mbledhur së bashku të gjithë ata që mbështesin koordinimin dhe bashkëpunimin" për të siguruar mbijetesën e multilateralizmit.
Ai paralajmëroi se një qeverisje e dobët globale dhe një menaxhim jo i përshtatshëm i të mirave publike, mund të çojnë në rritje të mundësive për konflikte në të ardhmen.
Në forum, përfaqësues nga qeveritë, organizatat ndërkombëtare, joqeveritare dhe grupet e mendimit u angazhuan në diskutime të gjera për çështje që nga përshkallëzimi i tensioneve gjeopolitike dhe ndryshimet klimatike, e deri te rregullimi i inteligjencës artificiale.
I iniciuar nga Presidenti francez Emmanuel Macron, për të promovuar bashkëpunimin shumëpalësh dhe për të adresuar sfidat globale, Forumi i Paqes në Paris u mbajt për herë të parë në vitin 2018. (Çang Çuo)