Kohët e fundit, Evropa Qendrore dhe Lindore, përfshirë Poloninë, Rumaninë, Çekinë, Hungarinë etj., u goditën nga përmbytjet e shkaktuara nga shirat e dendura, që morën jetën e disa banorëve.
Budapest në përmbytje, 21 shtator 2024, Hungari/VCG
Në fakt, ndikimet e motit ekstrem kanë nisur që herët këtë verë. Që nga fillimi i verës së sivjetshme, në hemisferën veriore të Tokës pati temperatura të larta për një kohë të gjatë. Për shembull, temperatura më e lartë në Indinë Veriore i kaloi 50°C, ndërsa në Mekë të Arabisë Saudite 51°C. Vala e të nxehtit sulmoi edhe shumë krahina të Kinës, ndërsa intensiteti mesatar i tajfuneve që zbarkuan në Kinë është rritur ndjeshëm, duke sjellë pasoja më serioze.
Me një fjalë, përballimi i ndryshimeve klimatike është bërë detyra më urgjente para gjithë njerëzimit. Për këtë, vendet e ndryshme po veprojnë, e ndër to, pa mëdyshje Kina është një ndër më aktivet.
Sipas të dërguarit të posaçëm të Kinës për ndryshimet klimatike, Liu Zhenmin, qëllimi kryesor i Marrëveshjes së Parisit është të kontrollohet brenda 2°C rritja e temperaturës mesatare globale në shekullin e 21-të nga nivelet paraindustriale, duke u bërë përpjekje që rritja të ruhet deri në 1.5°C. Por, njerëzit ende nuk po veprojnë aq shpejt sa duhet, ose veprimet njerëzore kanë mbetur shumë prapa vlerësimit të shkencëtarëve për urgjencën e ndryshimeve klimatike. Prandaj, ka presion të madh për të arritur objektivat e kontrollit të temperaturës të përcaktuara në Marrëveshjen e Parisit.
Edhe pse që nga viti 2020, më shumë se 150 vende e rajone kanë marrë angazhime për të arritur asnjanësimin e karbonit, duke përbërë rreth 90 % të PBB-së dhe 80 % të popullsisë globale, vlerësimet e para që u bënë vjet mbi rezultatet e zbatimit të Marrëveshjes së Parisit treguan se ende ka një rrugë të gjatë për të arritur objektivin e kontrollit prej 1.5°C. Prandaj, në konsensusin e arritur vjet në konferencën COP28 në Emirate të Bashkuara Arabe u vendosën objektiva më specifike, duke kërkuar që bota të arrinte një ulje prej 43% të lëshimit të karbonit deri në vitin 2030, 60% në vitin 2035 dhe lëshim zero karboni në vitin 2050.
Vala e të nxehtit në Indi, qershor 2024/VCG
Në përpjekjet globale kundër ndryshimeve klimatike, Kina ka qenë gjithmonë një ndër më të aktivet. Në vitin 2020, Kina shpalli objektivin e arritjes së kulmit të lëshimit të karbonit në vitin 2030 dhe të asnjanësimit të karbonit në vitin 2060. Afati midis arritjes së këtyre dy objektivave është vetëm 30 vjet, shifër kjo është shumë më pak se 50 ose 60 vjetët e premtuar nga disa vende anëtare të BE-së dhe më pak se 40 vjetët e premtuar nga ShBA-ja.
Në përballimin e ndryshimeve klimatike, transformimi energjetik është një fushëbetejë kryesore. Si prodhuesja dhe konsumatorja më e madhe e energjisë, Kina ka përshpejtuar transformimin e gjelbër të energjisë dhe ka zhvilluar vazhdimisht forca të reja prodhuese me cilësi të lartë, duke promovuar pakësimin e vazhdueshëm të kostove gjatë këtij procesi.
Të dhënat statistikore tregojnë se, që nga korriku i sivjetshëm, totali i përgjithshëm i agregateve të instaluara të energjisë së erës dhe asaj diellore në Kinë arriti në 1 206 miliardë kilovat, 2.25 herë më shumë se në vitin 2020, duke arritur gjashtë vjet përpara objektivin e premtuar komunitetit ndërkombëtar. Nga viti 2020 deri më 2023, përqindja e konsumit të energjisë jofosile u rrit nga 15.9% në 17.9%. Në fushën e transportit, numri i automjeteve elektrike ka arritur në afro 30 milionë, dhe 50% e automjeteve të reja të shitura sivjet përdorin energji të re.
COP28 në Emiratet e Bashkuara Arabe, 2023/VCG
Më 11 gusht të këtij viti, Kina nxori "Udhëzimet për përshpejtimin e transformimit gjithëpërfshirës të gjelbër të zhvillimit ekonomiko-shoqëror" për të bërë planifikim të përgjithshëm për masat e ardhshme në përballimin e ndryshimeve klimatike. Në udhëzime kërkohet që konsumi i energjisë jofosile të arrijë në 25% deri në vitin 2030, që është një progres i madh. Për më tepër, në dokument u bëhet thirrje banorëve të ndryshojnë mënyrën e jetesës e të prodhimit për të bërë një jetë me lëshim të ulët karboni dhe për të krijuar një ekonomi të riciklueshme.
Në procesin e transformimit global të energjisë, në dekadën e fundit, pikërisht për shkak të përparimit të madh teknologjik dhe aplikimit në shkallë të gjerë nga Kina të energjisë së rinovueshme, kostot globale të prodhimit të elektricitetit me anë të energjisë së erës dhe teknologjisë fotovoltaike janë ulur përkatësisht mbi 60% dhe 80%. Kjo ka bërë që kostot përkatëse të ulen deri në një shkallë që është e përballueshme nga shumë vende, madje ndonjëherë më të ulët se kostoja e përdorimit të energjisë fosile. Kështu, Kina ka dhënë një kontribut të madh në pakësimin e lëshimeve globale të karbonit dhe transformimin e gjelbër të botës.
Gjithashtu, Kina ka bashkëpunuar me më shumë se 100 vende dhe rajone në projekte të energjisë së gjelbër, duke përfshirë një numër të madh projektesh shembullore, si hidrocentrali Karot i Pakistanit, Projekti i Energjisë së Erës Adama i Etiopisë dhe Stacioni Fotovoltaik Gauchari i Argjentinës etj. Projekte të tilla kanë ofruar një zgjidhje të pastër, të sigurt e të besueshme për furnizimin me energji.
Një "fermë" fotovoltaike në ujërat detare, qytet Ningde, provincë Fujian, Kinë Juglindore/VCG
Një stacion i prodhimit të elektrikut me energji të erës dhe diellore, qytet Shizuishan, Rajon Autonom Ningxia-Hui, Kinë Veriperëndimore/VCG
Tani, njerëzimi ka hyrë në një moment kritik për të përshpejtuar transformimin e energjisë. Por fatkeqësisht, konfliktet gjeopolitike kanë përkeqësuar krizën ekonomike dhe atë energjetike. Për shembull, në Evropë, konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës jo vetëm që ka shkaktuar një rritje të çmimeve të energjisë, por gjithashtu ka bërë që disa vende të rifillojnë funksionimin e termocentraleve me qymyr. Të gjitha këto do të ndikojnë në arritjen e objektivave të përballimit të ndryshimeve klimatike.
Një tjetër dukuri më e rrezikshme që vihet re është marrja e disa masave të njëanshme dhe proteksioniste nga ShBA-ja dhe BE-ja që shënjeshtrojnë teknologjinë dhe produktet kineze të energjisë së re. Në tremujorin e parë të këtij viti, “Wood Mackenzie”, kompania profesionale me famë botërore për konsultimet informative në fushat e energjisë dhe të minierave, publikoi një raport që doli me një përfundim: nëse vendet evropiane dhe ShBA-ja vazhdojnë të këmbëngulin në shkëputjen nga produktet kineze, kjo do të çojë në 20 % rritje të kostove të blerjes së produkteve të energjisë së përtëritshme, si ato fotovoltaike, të energjisë së erës dhe makinat elektrike. Parashikohet se kjo mund të shkaktojë 6 trilionë dollarë amerikanë shpenzime shtesë gjatë transformimit të gjelbër global.