Konferenca ndërkombëtare për barazinë gjinore, për herë të parë në Tiranë
2024-09-26 16:28:26

foto: ATSH

foto: ATSH

Tirana mikpriti për herë të parë zyrtarë të nivelit të lartë nga Europa dhe Azia Qendrore në Konferencën Ndërkombëtare “Mekanizmat efektivë institucionalë për avancimin e barazisë gjinore dhe fuqizimit të grave: Hartimi i së ardhmes 30 vjet pas Pekinit”.

Në fjalën e saj, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu u shpreh se qeveria shqiptare është plotësisht e përkushtuar ndaj vizionit që u shtrua në Pekin 30 vite më parë.

Koçiu theksoi se ende ekzistojnë sfida të rëndësishme sa i përket barazisë gjinore ndaj theksoi rëndësinë e veprimit të shpejtë për të mbyllur hendekun gjinor dhe për të siguruar mbrojtjen e grave në të gjitha aspektet, citon “ATSH”.

“Në raportin e Bankës Botërore për gruan, biznesin dhe ligjin 2024”, thuhet se asnjë prej 190 vendeve të vëzhguara nuk ka arritur barazinë e plotë ligjore për gruan, as edhe vendet më të pasura. Gratë ende gëzojnë vetëm 64% të të drejtave ligjore të burrave dhe botërisht, ato ende fitojnë vetëm 77 cent për çdo dollar të fituar nga burrat. Mbyllja e këtij hendeku do të rriste Prodhimin e Brendshëm Bruto të botës me mbi 20%, në disa rajone edhe më tepër”,- tha Koçiu.

Ministrja Koçiu nënvizoi se Shqipëria ka ndërtuar një kornizë të fuqishme ligjore për promovimin, zbatimin dhe monitorimin e barazisë gjinore dhe jo diskriminimit siç konfirmohet edhe nga databaza botërore e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Sa u përket masave të marra për dhunën ndaj grave, Koçiu tha se përpjekjet kanë qenë të trefishta: rritja e ndëshkimeve përmes rishikimit të Kodit Penal; krijimi dhe mbështetja e shërbimeve sociale në çdo bashki dhe udhëheqja e fushatave kombëtare të informimit dhe ndërgjegjësimit.

Ministrja tha më tej se Shqipëria ka qenë gjithmonë një avokate e fuqishme e barazisë gjinore në përpjekjet shumëpalëshe si në nivel global, ashtu edhe rajonal.