BB: Rehabilitimi i rrugëve në tetë bashki të Shqipërisë, nxitje zhvillimit të bujqësisë dhe turizmit
2024-08-01 13:04:46

Foto nga Gazetas

Investimi për rehabilitimin e rrugëve rajonale dhe rurale me mbështetjen e Bankës Botërore në tetë bashki të Shqipërisë ka nxitur zhvillimin e turizmit dhe bujqësisë në zonat e largëta rurale.

Në një publikim të saj, Banka Botërore shkruan se rrjeti i rrugëve të Shqipërisë prej 15.000 kilometra është si oksigjen për komunitetet, duke lehtësuar tregtinë, aksesin në shërbime dhe lidhjet me pjesën tjetër të vendit, citon “ATSH”.

Duke kuptuar urgjencën për ndërhyrje, Shqipëria, në partneritet me Bankën Botërore, nisi Projektin e Konektivitetit të Rrugëve Rajonale dhe Lokale në vitin 2018, i cili ndihmoi në rehabilitimin e nëntë rrugëve rajonale dhe rurale që shtrihen në tetë bashki.

Për këtë projekt ishte thelbësor angazhimi dhe pjesëmarrja aktive e komunitetit. Fondi Shqiptar i Zhvillimit, agjencia zbatuese e projektit, u sigurua të përfshijë zërat lokalë gjatë procesit të planifikimit dhe projektimit, një qasje gjithëpërfshirëse që ndihmoi në përshtatjen e investimit me nevojat specifike të komunitetit.

Rivitalizimi i rrjetit të rrugëve rurale të Shqipërisë ka krijuar mundësi të reja në sektorin e bujqësisë, duke mundësuar që fermerët të kenë qasje më të mirë në tregje dhe qendra përpunimi, duke evituar prishjen e produkteve.

Sipas Bankës Botërore, rindërtimi i rrjetit rrugor të Shqipërisë ka dhënë rezultate të menjëhershme dhe të prekshme. Nga rritja e vlerës së pronave te krijimi i vendeve të punës dhe zgjerimi i biznesit, efektet e pozitive të konjektivitetit të përmirësuar janë të dukshme në të gjithë Shqipërinë. Koha e udhëtimit u zvogëlua mesatarisht nga 30% në 75% në disa segmente që çojnë në fshatra malore. (Elona)