Akuariumi në Antalia(Foto instagram)
The Land Of Legends (Foto instagram )
Mjedise të hotelit në Antalia (Foto Instagram)
Kisha e Shën Nikollës (Foto CMG)
Pushimet verore kanë destinacione të ndryshme për shqiptarët. Disa prej tyre u qëndrojnë besnikë plazheve të vendit, në veri, Shqipërinë e mesme dhe jug, ndërsa të tjerë frekuentojnë plazhet e Greqisë, Malit të Zi, Italisë, Spanjës. Ka dhe pushues që zgjedhin turizmin malor, mes bukurive të natyrës dhe klimës së freskët. Kryesisht familjet shqiptare në dekadat e fundit prenotojnë paketat turistike “ultra all inclusive” të plazheve të njohura të Turqisë. Këto paketa ofrojnë që nga facilitetet e hoteleve, plazhet e bukura, akuaparket e mëdha mjaft të preferuara nga fëmijët, si dhe aktivitete që zhvillohen në ambjentet e hoteleve.
Për pushuesit shqiptarë që zgjedhin të kalojnë pushimet në Antalia, një ndër destinacionet më të vizituara është “The Land of Legends”, si dhe “Akuariumi” një ndër më të mëdhenjtë në botë, por nuk mbeten pas dhe udhëtimet me anije, jahte, sportet e zhytjes, e më pak janë të preferuara vizitat në muze apo vendet historike të këtij vendi. Gjatë qëndrimit tim për pushime këtë vit zgjodha plazhin e bukur të Tekirovës, pranë Kemerit në Turqi. Një plazh i bukur, por edhe resorti kishte shumë mundësi argëtimi për fëmijët përgjatë gjithë ditës, me aktivitete sportive, lojëra dhe akuaparku i madh në të cilin fëmijët kalonin shumicën e kohës.
Më bëri përshtypje gjatë këtij udhëtimi vizita në qytetin antik Myra, u mahnita me historinë e varrezave shkëmbore, nekropoli më i madh në botë, që quhet “qyteti i të vdekurve”, i cili daton në shekullin e 6-të para Krishtit. Tempujt dhe fasadat e tyre ishin të zbukuruara me gdhëndje, mbishkrime dhe vizatime nga jeta e të gjallëve të asaj kohe. Mjaft interesante ishte edhe vizita në kishën e “Shën Nikollës”. Sipas “The Telegraph”, arkeologët në Turqi kanë bërë zbulimin e debatit shekullor, ku vendi që konsiderohet se mund të jetë varri i Shën Nikollës, në kishën e lashtë në Demre të Turqisë Jugore, i njohur më parë si Myra, në provincën Antalia, besohet të jetë vendlindja e peshkopit të shekullit IV. Shën Nikolla ishte peshkop i Mirnës, në atë që është Turqia e sotme.
Sipas arkeologëve, varri u mbulua nga rritja e nivelit të detit Mesdhe, gjatë periudhës së mesjetës. Besohet se kisha u ndërtua mbi një ndërtesë të madhe në qytetin Myra, midis shekujve V – XII, për të mbrojtur varrin e Shën Nikollës. 7 shekuj pas vdekjes së Shën Nikollës eshtrat e tij u zhvendosën me nderim në Bari në vitin 1087.
Një tjetër atraksion ishte edhe udhëtimi me anije drejt brigjeve të ishullit të Kekovës, ku 3 mijë vjet më parë ka qenë një nga qytetet liciane të Simenës. Kryeqyteti i Lycia ishte Myra Lycian, tashmë i rrënuar mban emrin e ishullit Kekova. I vendosur në ujërat e detit Mesdhe, ishulli i Kekovës tërheq një numër të madh turistësh. Është një ishull që nën ujë ruan rrënojat e 4 qyteteve antike: Teimussa, Dolichiste, Aperlai dhe Simena. Ata kaluan nën ujë në shekullin II para Krishtit, si pasojë e një tërmeti të fuqishëm. Ky stacion turistik tërheq vizitorë nga e gjithë bota, të cilët njohin këtu një pjesë së lashtësisë.
Për frekuentimin e plazheve turke nga pushuesit shqiptarë për Radio Ejani flet një agjente turistike, e cila prej tre vitesh i shoqëron ata në destinacione të ndryshme i.
CMG: Na trego për eksperiencat që ke me shqiptarët që kalojnë pushimet në Turqi
Agjente turistike: Unë kam pak kohë që punoj gjatë periudhës së verës me turizmin në Turqi, pasi kam kryer studimet për gjuhën turke. Shqiptarët që preferojnë të kalojnë pushimet në Turqi, dinë çfarë zgjedhin. Shumica e shqiptarëve zgjedhin hotelet me 5 yje "ultra all inclusiv", sepse duan të kenë gjithçka në cilësinë më të mirë. Të paktë janë shqiptarët që zgjedhin hotele me 3 apo 4 yje, për të mos thënë fare, ndryshe nga turistët rusë apo polakë, të cilët zgjedhin hotele më të lira. Kam pasur rastin të takoj personalitete nga më të ndryshmet, të cilët i kam shoqëruar, jo vetëm gjatë udhëtimit aeroport-hotel dhe anasjelltas, por edhe me guida të ndryshme që organizon agjensia jonë në Antalia.
CMG: A janë në preferencat e pushuesve shqiptarë vizitat në vendet historike apo zgjedhin më tepër argëtimin?
Agjente turistike: Të them të drejtën nga pushuesit shqiptarë nuk më ka rënë rasti që të kërkojnë të vizitojnë vendet historike. Prandaj dhe ne u sugjerojmë alternativa të ndryshme, në mënyrë që pushimet e tyre të kenë larmishmëri. Për pushuesit që vijnë në Antalia, disa nga destinacionet që ne u ofrojmë, por sigurisht edhe agjenci të tjera janë të ndryshme dhe sipas moshës së tyre. Kur janë familje me fëmijë, u sugjerojmë vizitën në "Akuarium", që është akuariumi i dytë më i madh në Evropë, si dhe i pesti më i madh në botë. Ky akuarium ka me mijëra peshq dhe mbi 100 peshkaqenë, duke përfshirë specie të rralla dhe të kërcënuara të detit. Një nga atraksionet më të veçanta të akuariumit është “Tuneli i Detit”, që mundëson kalimin nëpër një tunel të gjatë nënujor nga ku mund të shihen speciet e ndryshme të peshkut. Kjo eksperiencë të krijon një ndjenjë të veçantë kur ndodhesh nën ujë dhe është shumë emocionuese si për të rriturit dhe fëmijët. Përveç tunelit të detit, akuariumi gjithashtu ofron shfaqje të delfinëve, ku vizitorët mund të j shfaqjen dhe inteligjencën e tyre të jashtëzakonshme.
Gjithashtu një tjetër preferencë e familjeve me fëmijë, por e preferuar edhe për të rinjtë të cilët agëtohen shumë është "The Land of Legends". Nëse turistët e provojnë këtë përvojë unike dhe emocionuese, në këto dy destinacione, do të kenë mundësinë që të eksplorojnë pasurinë e detit, të përjetojnë botën e mahnitshme të fantazisë dhe të krijojnë kujtime të paharrueshme.
Myra, Demre (Foto personale)
CMG: Kur ka lindur dëshira jote për udhëtimet?
Agjente turistike: Dëshira ime për udhëtime ka lindur që në moshën 16 vjeçare, por me këtë punë merrem prej 3 vjetësh.
CMG: Në sa shtete apo qytete të huaja ke udhëtuar deri më sot?
Agjente turistike: Unë personalisht kam udhëtuar në shumë shtete ku përveç Turqisë, kam qenë edhe në Itali, Francë, Gjermani, Greqi, Angli, Spanjë, Kosovë, Kroaci, Mal të Zi, Bosnje, Pragë, e së fundi po planifikoj të vizitoj edhe Kanadanë.
CMG: Cili ka qenë vendi dhe udhëtimi më i veçantë që ke patur dhe me kujtimet më të spikatura ?
Agjente turistike: Të gjitha shtetet kanë karakteristikat, historinë dhe kulturën e vet që i bëjnë të veçanta në llojin e tyre, por mua qytetet e Italisë më lenë shije të veçantë sa herë që i vizitoj. Venecia, Roma dhe Firence janë vendet që unë sa herë i vizitoj pasurohem në fushën e artit, kulturës, historisë, madje dhe të kulinarisë. Vizita te Koloseu, përvoja e të qënurit brenda dhe të imagjinoje historinë e Romës antike, ka qenë e mahnitshme dhe frymëzuese. Udhëtimi në kanalet e Venezias me gondola dhe përjetimi i arkitekturës së bukur dhe atmosferës romantike të qytetit, gjithashtu shijimi i artit të arkitekturës në muze dhe pallatet e famshme të Firences, si Galeria Uffizi dhe pallatet Pitti, janë përvoja të cilat unë nuk i harroj lehtë dhe që më kanë rritur mua si njeri.
CMG: Personalisht, preferon që t’i kalosh pushimet në vendit tënd në Shqipëri, apo ku punon, në Turqi?
Agjente turistike: Përveç punës time me turizmin në Turqi, pushimet preferoj t'i kaloj më së shumti në Shqipëri. Vendi ynë është aq shumë i pasur me vende të ndryshme natyrore, sa duhet vite të tëra t’i eksplorosh. Në përgjithësi pushimet i shfrytëzoj për të vizituar vende të reja të natyrës tonë të bukur shqiptare.
CMG: Çfarë do t’u sugjeroje pushuesve shqiptarë sa i përket përzgjedhjes për pushimet e tyre?
Agjente turistike: Unë shqiptarëve do t’u sugjeroja që çdo vit të kalojnë pushimet në vende të ndryshme, sepse në këtë mënyrë do të kenë mundësi për të eksploruar sa më shumë.
-Pushuesit shqiptarë në Turqi preferojnë të prenotojnë më së shumti resorte me pesë yje dhe me shërbime “all apo ultra all inclusive”. Antalia është destinacioni kryesor që pret më shumë pushues, duke u ndjekur nga Kemeri, Bodrumi, Alania, etj. Përgjatë qëndrimit 7 ditor të pushuesve, përveç faciliteteve të hotelit, ata zgjedhin të vizitojnë edhe vende të ndryshme jashtë resortit, duke i dhënë më shumë ngjyra e larmishmëri pushimeve. Janë të shumtë shqiptarët që studiojnë, jetojnë e punojnë në Turqi.
Sipas agjencisë turke të lajmeve Anadolu Agency, e cila i referohet raportit të Drejtorisë së Përgjithshme për Menaxhimin e Emigracionit në vitin 2017, në Turqi jetojnë dhe janë me prejardhje shqiptare rreth 5 milionë banorë.
Shpesh turqit i thërrasin shqiptarët “Arnaut”. Jo të gjithë e dinë kuptimin e kësaj fjale, një epitet që ka mbetur nga periudha e Perandorisë Osmane. Një komandant ushtarak shqiptar, Zognush Pasha rreth viteve 1446 – 1462, doli përpara sulltanit dhe i tha: “Unë jam nga Shqipëria dhe kam ardhur vetëm për dy rrugë, ose vdekjen ose marrjen e Stambollit”. Që prej asaj dite vazhduan betejat derisa në ditën e 50-të kur u pushtua Stambolli dhe shqiptarët thërriteshin me emrin “Arnaut”, që në gjuhën turke do të thotë “i pakthyeshëm”, një epitet nderimi për shqiptarët në atë kohë, të cilët vlerësoheshin si trima, të pamposhtur dhe besnikë.
Intervistoi: Sava Lena