Fokusi kryesor i "Diagnozës" është të ofrojë një burim të besueshëm të informacionit mjekësor, duke sjellë artikuj shkencorë, intervista me ekspertë, informacione të reja për shëndetin, si dhe informacione praktike për lexuesit.
Freskida Miloti ( foto personale)
Nëpërmjet revistës, Freskida Miloti synon të krijojë një platformë që shërben si dritare për të përditësuar dijen e lexuesve në fushën e shëndetit, duke e bërë këtë informacion të arritshëm për të gjithë. Përveç printimit, "Diagnoze" do të jetë edhe online, duke i dhënë mundësinë lexuesve të ndjekin dhe të përditësohen me informacionin e fundit mjekësor në faqen e tyre diagnoze.net.
Mesazhi i Milotit për lexuesit e revistës është që të jenë të informuar dhe të kujdesen për mirëqenien e tyre, duke u mbështetur tek burime të besueshme dhe këshillat e mjekëve dhe farmacistëve të tyre.
CMG:Sa vite keni që merreni me programe shëndeti?
Freskida Miloti: Ky është viti i tetë, që unë realizoj programe shëndeti, qoftë ato radiofonike apo edhe televizive. Kam sjellë para 6 vitesh edhe portalin mjekësor që ju vjen në ndihmë të gjithë atyre që dëshirojnë të informohen edhe përmes internetit dhe jo vetëm nga format tradicionale mediatike. Së fundmi vij edhe me revistën "Diagnozë", që e publikova online një numër, por tashmë vjen edhe në versionin print.
CMG:Cili është fokusi juaj?
Freskida Miloti: Gjithmonë të promovoj shëndetin dhe mirëqenien dhe të siguroj një burim të besueshëm të dijes mjekësore. Duke bërë bashkë dy profesionet e mia, gazetare dhe farmaciste, dy fusha që më kanë ndihmuar ta realizoj më profesionalisht një emision mjekësor.
Freskida Miloti ( foto personale)
CMG:Sa intervista mund të keni realizuar?
Freskida Miloti: Më shumë se 500 intervista. Shumë intervista me ekspertë të shquar mjekësorë, të cilët kanë ndihmuar në ngritjen e ndërgjegjësimit të publikut për shëndetin dhe mirëqenien, por edhe artistë që kanë folur për shëndetin dhe stilin e jetës, duke kontribuar si modele pozitive.
CMG:Çfarë ju ka mbajtur kaq të dashur për publikun?
Freskida Miloti: Faleminderit që e mendoni kështu. Mendoj thjeshtësia, serioziteti dhe informimi për atë që duam të gjithë, shëndeti. Gjithmonë, në intervista dëshiroj të kemi një mesazh të mirë, një shpresë për jetën dhe mundësitë për t’ia dalë. Gjithashtu edhe përzgjedhja e mjekëve të mirënjohur. Mbase edhe pozitiviteti që mundohem të përcjell. Dua t’i falënderoj për respektin që kanë treguar ndaj meje në gjithë këto vite.
CMG:Ju do të hapni një revistë shëndeti, si lindi kjo ide?
Freskida Miloti: Ideja për të sjellë tek lexuesit revistën shkencore mjekësore "Diagnozë" lindi nga nevoja për një burim të besueshëm të informacionit mjekësor dhe dëshira për të ndihmuar lexuesit të kuptojnë më mirë shëndetin e tyre. Kontakti i vazhdueshëm me mjekët, farmacistët, ekspertët mjekësorë në përgjithësi më mundëson jo vetë të sjell një revistë të vlefshme, por që i ka munguar Shqipërisë.
Freskida Miloti ( foto personale)
CMG:Na tregoni disa detaje si do të operoni?
Freskida Miloti: Revista "Diagnozë" do të ofrojë artikuj shkencorë, intervista me ekspertë, informacione të reja për shëndetin, por edhe informacione praktike, si dhe do të promovojë mirëqenien në një qasje ndryshe, mbi të gjitha nga mjekë të mirënjohur.
CMG:Cili do të jetë qëllimi i kësaj reviste?
Freskida Miloti: Qëllimi kryesor i revistës "Diagnozë" është të promovojë shëndetin përmes burimeve të besueshme, duke hedhur poshtë lajme të rreme mbi shëndetin.
CMG:Çfarë angazhimi mendon që do të ketë?
Freskida Miloti: Besoj se lexuesit do e mirëpresin, sepse po i sjellim një formë të re informimi. Ata që nuk ndjekin shumë radio dhe televizion, por ndajnë kohën e tyre mes librave dhe revistave, kanë mundësi të informohen me të rejat më të fundit, të përditësojnë dijet e tyre specialistët përmes studimeve të fundit që ju sjellim apo edhe t’ju krijojmë një dritare të re për të shkruar specialistët. Një formë e re e edukimit mjekësor në revistën print dhe online që mund ta gjejnë në website: diagnoze.net.
Freskida Miloti ( foto personale)
CMG:A keni një mesazh për lexuesit e revistës suaj?
Freskida Miloti: Mesazhi për lexuesit e revistës "Diagnozë" është të jenë të informuar dhe të synojnë gjithmonë te burimet e sigurta, të jenë të kujdesshëm për mirëqenien, dhe të mos marrin vendime për shëndetin pa u konsultuar me mjekun apo farmacistin e tyre.
Intervistoi Megi Latifi