Duke punuar si mjeke në fshat për gati dy dekada, Yang Lianying, një deputete 44-vjeçare në Asamblenë e 14-të Kombëtare Popullore, shquhet si një zë i fortë në profesionin e saj.
Si një nga mjekët në fshatin Henan në prefekturën autonome Honghe Hani dhe Yi në provincën Yunnan, Yang është përgjegjëse për 1950 banorë të përhershëm dhe kontrollon rregullisht shëndetin e tyre, regjistron gjendjen e tyre dhe i informon për çështje si injeksionet parandaluese dhe ekzaminimet e shtatzënisë.
Yang Lianying/China Daily
“Shpresa ime më e madhe është që fshatarët të jenë të shëndetshëm”,- thotë Yang, e cila ka fituar vlerësime nga komuniteti për punën dhe këmbënguljen e saj të palodhur.
E lindur në Mengzi, në Yunnan, në vitin 1980, Yang ishte një fermere për shumë vite përpara se të fillonte të merrte trajnime mjekësore në 2005-n me shpresën për të bërë një jetë më të mirë.
Duke folur për arsyen pse zgjodhi të bëhej mjeke, ajo kujton një incident kur ishte rreth 8 vjeçe dhe nëna e saj pati një reaksion alergjik.
Pa mjek fshati, familja e saj u detyrua të udhëtonte në një qendër shëndetësore të largët, ku mjekët arritën të shpëtonin nënën e saj.
China Daily
Edhe pse ajo tani e di se mjekësia mund të kishte ndihmuar në shmangien e një situate të tillë jetë a vdekje, askush nuk e dinte këtë kur ajo ishte e re.
Kjo ndodhi e bëri atë të mendonte se nëse do të kishte mundësi të mësonte mjekësi në të ardhmen, do të punonte shumë dhe ndoshta një ditë do të ishte në gjendje të ndihmonte pacientët që përjetojnë urgjenca si nëna e saj.
Në vitin 2008, ëndrra e Yang u bë realitet kur ajo u emërua mjeke në fshatin Henan, si përgjegjëse për ofrimin e shërbimeve bazë të shëndetit publik, por shpejt zbuloi se nuk ishte një punë e lehtë. Meqenëse fshati Henan ndodhet në një zonë malore dhe fshatarët jetojnë larg njëri-tjetrit, ajo shpesh duhet të ecë në distanca të gjata për t'i vizituar ata në shtëpi dhe për të kontrolluar rregullisht shëndetin e tyre. Për më tepër, mjekët e fshatit nuk fitojnë shumë dhe kanë ngarkesë të madhe.
Yang është përgjegjëse për kujdesin shëndetësor të të gjithë fshatit me afro 2000 banorë me një koleg tjetër. Përveç kësaj, mjekët e fshatit nuk marrin pension të lartë pas daljes në pension. Për shkak të kësaj, pak të rinj e zgjedhin këtë profesion. Por, Yang vazhdon me ëndrrën e saj.
China Daily
“Në fakt, unë e dua këtë punë dhe i konsideroj të gjitha vështirësitë që has si pengesa për t'i kapërcyer. Unë shkoj mirë me fshatarët dhe ata më besojnë dhe më respektojnë. Është kënaqësi e madhe të dëgjoj që më quajnë “doktoreshë””,- thotë Yang.
Ajo kujton trajtimin e një gruaje të moshuar me tension të lartë në vitin 2021. Yang e vizitonte rregullisht për ta kontrolluar dhe një ditë, ndërsa mati temperaturën e gruas, zbuloi se ajo kishte temperaturë të lartë dhe se asnjë nga anëtarët e familjes së saj nuk ishte në shtëpi. Yang i dha gruas së moshuar disa ilaçe dhe qëndroi me të për të vëzhguar situatën e saj dhe nuk u largua derisa ajo u ndje më mirë dhe anëtarët e familjes ishin kthyer. Teksa do të largohej, e moshuara shprehu vazhdimisht mirënjohjen e saj, duke thënë se vizita e Yang i kishte shpëtuar jetën. Ajo tha se ishte ndjerë në siklet, por meqë askush nuk kishte qenë pranë, ajo nuk kishte mundur të kërkonte ndihmë pasi nuk ishte në gjendje të ecte apo të telefononte askënd. “Unë u preka nga fjalët e saj dhe ndoshta kjo më ka ndihmuar të vazhdoj të bëj këtë punë”,- thotë Yang.
Puna si mjeke i ka dhënë asaj një ndjenjë të dyfishtë përgjegjësie dhe ajo dëshiron të flasë për mjekët e tjerë të fshatit.
China Daily
“Edhe pse jam vetëm mjeke fshati, po marr pjesë edhe në çështjet kombëtare. Si rezultat, dua të bëj një punë të mirë dhe të jap një shembull të mirë”,- thotë ajo.
Ajo ka sugjeruar që qeveria të ofrojë më shumë mbështetje për mjekët e fshatit, veçanërisht në drejtim të pensioneve dhe trajnimeve mjekësore. Ajo ka sugjeruar gjithashtu mbështetjen e arsimit në zonat e thella kufitare për sa i përket infrastrukturës dhe trajnimit. “Megjithëse arsimi në zonat kufitare është përmirësuar gradualisht, ai ende nuk është mjaft i mirë. Kam hasur studentë që jetojnë në konvikte shumë të vogla dhe nuk ka mësues të mjaftueshëm”,- thotë Yang.