Simboli i dragoit në kulturat lindore dhe perëndimore
2024-01-31 16:49:50

“Loong”, një figurë mitike që i ngjan asaj që në Perëndim njihet si dragua, është një simbol i popullit kinez. Dhe 2024-ra shënon vitin e tij në zodiakun kinez, i njohur gjithashtu si Viti i Loong -ut.


Loong kinez/CFP

Kinezët kanë qenë krenarë që nga kohërat e lashta, duke besuar se kjo krijesë e pavdekshme drejton sistemin ujor në qiell e në tokë dhe ka fuqi të pamasë. Perandorët në kohët e lashta besonin se ata vetë qenë përfaqësuesit e “Loong”-ut për të treguar legjitimitetin e tyre mbretëror. Që atëherë, loong është bërë një simbol i rëndësishëm në historinë kineze.

Dragoi, i njohur si "loong" në kinezisht, shpesh i përshkruar me një trup gjarpri pa krahë dhe i zbukuruar me tipare të kafshëve të tjera si krapi, tigri dhe shqiponja, konsiderohet një simbol i shenjtë i fatit të mirë, fuqisë dhe pasurisë.

"Loong është ndërthurur ngushtë me besimet shpirtërore dhe vlerat kulturore të popullit kinez," shprehet Shi Aidong, një studiues i lartë në Institutin e Letërsisë në Akademinë Kineze të Shkencave Shoqërore dhe sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Folklorit të Kinës. "Në kulturën tradicionale kineze, loong simbolizon cilësi si fuqia dhe mençuria, së bashku me harmoninë midis njerëzve dhe natyrës."

CFP

Loong kinez/CFP

Ky nderim kulturor është rritur që nga vitet '80 të shekullit të kaluar, me rritjen ekonomike të Kinës dhe me një interes të ripërtërirë në studimin e kulturës tradicionale. Shumë kinezë e shohin loong-un si një simbol kombëtar, duke iu referuar me krenari vetes si 'pasardhës të loong-ut'", tha Shi për CGTN-in. Kjo nënkupton rolin e thellë të loong-ut në kulturën kineze, duke u ndërthurur me historinë dhe identitetin kolektiv të vendit.

Në të kundërt, dragoi perëndimor shpesh shfaqet si një antagonist i frikshëm, i përshkruar zakonisht si një zvarranik i madh, që nxjerr zjarr nga goja, me krahë si lakuriq nate, kthetra të mprehta dhe një natyrë shkatërruese. Ai shpesh simbolizon kaosin e të keqen, duke përfaqësuar një forcë keqbërëse.

CFP

Loong kinez/CFP

Reflektime letrare në kultura të ndryshme

Në letërsinë kineze, dragoi shpesh mishëron një sërë cilësish. Klasikët si "Udhëtimi në Perëndim" e përshkruajnë atë si të fuqishëm, por dashamirës. Një portretizim më kompleks shfaqet në përrallën moderne për Heilongjiang-un, ku një dragua i zi, që simbolizon të mirën, mposht dragoin e bardhë të lig, Bailong, duke ilustruar përfaqësimin e dyfishtë të së mirës dhe të së keqes të dragoit në folklorin kinez.

CFP

Loong kinez/CFP

Kjo pasuri e mitologjisë së dragoit nuk është vetëm në Lindje. Shi vuri në dukje se origjina e dragoit perëndimor buron nga një përzierje ndikimesh nëpër kulturave të ndryshme. Pavarësisht nga kjo larmi, përshkrimet më të hershme i portretizojnë vazhdimisht dragonjtë si "gjarpërinj gjigantë": krijesa të frikshme, gjarpërore të pajisura me fuqi hyjnore.

Arketipi i dragoit në kulturën evropiane është ndikuar kryesisht nga poema e vjetër epike angleze "Beowulf", ku dragoi nxjerr zjarr nga goja dhe grumbullon thesare. Në mënyrë të ngjashme, në mitologjinë e lashtë greke, dragonjtë përshkruhen si përbindësha të egër të detit ose kujdestarë të thesareve.

"Kultura perëndimore e dragoit përfaqësohet më së shumti në Bibël," shpjegon Shi. Këtu dragoi simbolizon Satanin, siç shihet në "Librin e Zbulesës". Ky imazh shtrihet në letërsinë dhe artin e krishterë, si legjenda "Shën Gjergji dhe Dragoi", ku dragoi nënkupton mëkatin dhe paganizmin, të mposhtur nga virtyti i Shën Gjergjit.

CFP

dragoi perëndimor/CFP

Ky portretizim i dragonjve si kundërshtarë të frikshëm shtrihet në letërsinë perëndimore. Një shembull i dukshëm është romani i J.R.R. Tolkien-it i vitit 1937 "The Hobbit", ku Smaug, një dragua klasik perëndimor i karakterizuar nga lakmia dhe forca e tij e jashtëzakonshme, pushtoi mbretërinë xhuxhe të Ereborit 171 vjet përpara zhvillimit të historisë qendrore të romanit.

Perceptimet në zhvillim

Më shumë se 3 000 vjet më parë, përdorimi i termit "dragua" ishte tashmë i larmishëm në mbishkrimet e kockave të orakullit dhe mbishkrimet prej bronzi, duke nënkuptuar lulëzimin e kulturës së dragoit në atë kohë, tha Shi.

"Sipas teorisë hermeneutike, kuptimi i dragoit filloi të evoluojë në momentin që u interpretua nga dikush përtej krijuesit të tij origjinal. Kjo do të thotë se interpretimet e tij kanë qenë vazhdimisht duke u zhvendosur me kalimin e kohës," shtoi ai. 

Dragonjtë e sotëm vazhdojnë të evoluojnë, duke kapërcyer kufijtë tradicionalë dhe duke marrë një domethënie të re në kulturën globale. Kjo është e dukshme në filmat e animuar si "Si ta stërvitësh dragoin tënd", ku dragonjtë, të paaftë për të folur, komunikojnë përmes lëvizjeve dhe shprehjeve, duke shtuar një shtresë realizmi magjik. Në mënyrë të ngjashme, në filmin e "Disney"-t të vitit 1998 "Mulan", Mushu, një dragua i vogël i dërguar nga paraardhësit e familjes Hua, i bashkohet Mulanit në betejë. Sjellja e tij simpatike dhe djallëzore sjell humor në histori, duke rezonuar me shikuesit në mbarë botën.