Festat e fundvitit, temperaturat e ulta dhe grumbullimet mund të jenë faktorët që kanë ndikuar në shtimin e virozave stinore dhe të rasteve me koronavirus. Instituti i Shëndetit Publik deklaroi këto ditë se janë shtuar rastet me viruse stinore dhe Covid 19, duke shënuar 14 mijë raste në javë. Po sipas ISHP-së kulmi i kësaj vale pritet në javën e parë të muajit shkurt. Edhe në Evropë dhe botë ka një rritje të viruseve të gripit stinor dhe Covid 19, madje disa prej tyre kanë rikthyer përdorimin e maskave. Në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës, zëvendësdrejtori i Institutit të Shëndetit Publik, epidemiologu Dritan Ulqinaku komenton situatën virale në Shqipëri dhe jep këshilla për parandalimin dhe trajtimin e saj.
Zv,drejtori i Institutit të Shëndetit Publik Dritan Ulqinaku
CMG: A mund të themi se jemi në një periudhë epidemie të gripit sezonal dhe Covid 19?
Dritan Ulqinaku: Duhet t’i ndajmë këto gjëra. Nuk jemi në epidemi dhe ky është relativisht një lajm i mirë, por jemi në një qarkullim që po bëhet gjithnjë e më tepër intensiv i gripit dhe i Covidit. Momentalisht kemi edhe raste me Covid edhe me grip, ku rastet me grip kanë një tendencë rritjeje, ndërsa rastet me Covid kanë një tendencë normaliteti, që shpresojmë të mos përkeqësohet në ditët në vijim.
CMG: Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj tha këto ditë për mediat se virusi që po dominon aktualisht në Shqipëri është COVID. Në cilësinë e zvdrejtorit të ISHP, cila është situata aktuale e përhapjes së viruseve në vend?
Dritan Ulqinaku: Të jemi të drejtpërdrejtë. Ne testojmë rastet që paraqiten me shenja gripale, apo raste me Covid.Edhe për efikasitetin e testeve ne testojmë më tepër raste me Covid, si dhe rastet e rënda. Numrin absolut e kemi më tepër te rastet me Covid, ndërsa më pak janë rastet me grip. E veçanta është që numri i rasteve me grip ka ardhur duke u rritur dy javët e fundit dhe kjo na bën të dyshojmë që ndoshta jemi para fillimit të një epidemie gripale që shënohet çdo vit në mbarë botën.
CMG: Ne si qytetarë, duke qenë të informuar përgjatë pandemisë Covid 19, emocionalisht kemi më shumë frikë nga koronavirusi se sa nga gripi stinor. Në media ndërkohë raportohet se gripi sezonal ka shënuar raste më të rënda se sa Covid. Si ta dallojmë nëse jemi prekur nga Covid apo grip stinor, pavarësisht testimit?
Gripi sezonal (Foto Agroweb)
Dritan Ulqinaku: Është e vërtetë. Ka ndodhur një pasazhim ose një lehtësim ndaj rasteve të Covid me simptomologji të mesme dhe të lehtë. Kjo do të thotë që kemi të bëjmë me një temperature subfebrile, dhimbje muskulore, që ndonjëherë është e forte dhe mund të ketë një zgjatje të këtyre shenjave, në rreth një javë apo 10 ditë. Ka raste që shoqërohet me kollë, skuqje sysh dhe kalon. Ndërsa gripi është tipik. Ne grip quajmë një infeksion akut, i cili vjen në mënyrë të rrufeshme dhe temperature i kalon shpesh here 39 gradë për rreth 48 orë. Është e zorshme të dominohet. Kjo është simptomologjia klasike e gripit. Që të dallohet, kjo kryesisht dallohet tek temperatura, në përgjithësi. Them në përgjithësi sepse në raste të veçanta mund të ngatërrohen lehtë, por temperatura e lartë është tipike për gripin dhe jo për Covid
CMG: Si përfaqësues i lartë i Institutit të Shëndetit public mund të na thoni cilat janë qytetet me numrin më të madh të rasteve të të prekurve me grip sezonal apo Covid? A ka patur fatalitete dhe rritje të shtrimeve në spitale?
Dritan Ulqinaku: Ka patur një rast vdekje, një person 80 vjeç nga Gjirokastra, i diagnostikuar me grip. Kemi dhe disa raste të tjera të personave të shtruar në pavijonet e reanimacionit, të cilët janë në kujdesin e mjekëve dhe shpresojmë që t’ia dalin. Jemi ndoshta përpara fillimit të shtimit të rasteve. Për momentin sistemi shëndetësor nuk është i ngarkuar dhe jemi në gjendje që ta përballojmë. Shpresojmë që qytetarët të na ndihmojnë, duke respektuar këshillat e mjekëve, duke mbajtur një distance fizike rreth 2 metra dhe mire është që të evitohet shkuarja në punë e personave me simptoma, të shmangin kontaktet me të tjerët. Ndërkohë vaksinat që ne kemi programuar sivjet kanë qenë në një numër rekord dhe kishte rreth 260 mijë doza vaksinash dhe rreth 80 për qind janë aplikuar dhe kanë mbetur rreth 20 për qind. Ndaj i ftoj qytetarët se jemi akoma në kohë për vaksinimin, pavarësisht se në ditët e fundit, sepse vaksina do rreth 10 ditë që të fillojë efektin e vet.
Informacion për gripin sezonal (Foto Instituti i Shëndetit Publik)
Nëse kemi një bashkëpunim të mire me qytetarët, nëse ata respektojnë këshillat e mjekëve, nëse janë të preokupuar për shëndetin e tyre mendoj se sistemi shëndetësor do ta përballojë shumë mire situatën, pavarësisht se nuk mund t’i shmangemi rasteve të infektimit.
CMG: Shohim gjithmonë e më shpesh në ambjente të hapura dhe jo vetëm në ato të mbyllura që maskat mbahen nga qytetarët. Ndërkohë në SHBA, Spanjë dhe vende të tjera ka patur një rikthim të maskave. Si e vlerësoni mbajtjen e maskave nga qytetarët në këtë periudhë?
Dritan Ulqinaku: Është një kulturë që sa vjen dhe futet tek ne dhe më vjen mire që kjo kulturë shëndetësore po rritet. Maska mbron më tepër personin që ke përballë se sa ti që je me maskë. Ju falenderoj për pyetjen. Të gjithë ata persona që kanë shenja gripale është mire që ta mbajnë maskën gjatë gjithë kohës që ata lëvizin për të blerë diçka, për të shkuar në farmaci.
CMG; Po në ambjentet e shtëpisë?
Dritan Ulqinaku: Jo, nuk është e nevojshme të mbahet maska sepse është një ambjent i kontrolluar dhe nëse është futur infeksioni në shtëpi është shumë e vështirë ta parandalosh. Ndonjëherë maska bën keq nëse e mban 24 orë sepse oksigjeni duhet të depërtojë në pulmonet e personit të infektuar.
CMG: Cilat janë këshillat për qytetarët në këtë periudhë që virozat janë në kulmin e tyre?
Dritan Ulqinaku: Këshilla që ne japim vazhdimisht është që të gjithë qytetarët të kontaktojnë në radhë të parë mjekun e tyre të familjes, sepse është mundësia më e mirë për të marrë këshillat e duhura, trajtimin e duhur, për të mos mbingarkuar spitalet dhe padiskutim higjiena personale dhe vaksinimi. Këto këshilla janë kryesoret për të pasur një shëndet të mirë, një sjellje qytetare dhe për të mos mbingarkuar sistemin shëndetësor.
CMG: Po përsa i përket trajtimit
Situata e gripit (Foto News 31)
Dritan Ulqinaku: Rastet e gripit dhe Covid janë virale dhe nuk rekomandohet antibiotiku në mënyrë absolute, por sa më shumë çajra, ambjente të ajrosura mirë dhe regjim shtrati për të paktën 2-3 ditë.
CMG: Sipas autoriteteve shëndetësore kineze, këtë muaj pritet një ringjallje e Covid 19, e nxitur nga rëndësia në rritje e nënvariantit JN.1.. Cili është opinioni juaj për këtë, lidhur me situatën globale epidemiologjike?
Dritan Ulqinaku: Besoj që mund të ketë përhapje, por gjithashtu besoj se nuk do të jetë problematik për shëndetin publik, sepse variantet e reja mund të mbizotërojnë në qarkullimin e tyre sezonal, por simptomatologjia që shkaktojnë vjen duke u zbutur.
Intervistoi Eda Merepeza