Lidhja e Phan Thi Kim Chi me mjekësinë tradicionale kineze (TCM) filloi që në moshë të re. E rritur në një fshat të vogël në afërsi të kryeqytetit vietnamez Hanoi, ishte e papërshtatshme për Phan të udhëtonte në spitalet në qytetet fqinje. Sa herë që ftohej apo kishte dhembje koke kur ishte fëmijë, familja e saj kërkonte ndihmën e një praktikuesi vendas të mjekësisë tradicionale kineze, recetat e të cilit shpesh përfshinin shumë barishte që mund të gjendeshin në pyjet e afërta të fshatit.
“Për mua dhe fshatarët e zonës, mjekësia tradicionale kineze është një zgjedhje e përshtatshme dhe efektive. Kam menduar se ndoshta një ditë mund ta përdorja edhe unë për të ndihmuar njerëzit”,- tha 27-vjeçarja.
Phan Thi Kim Chi nga Vietnami aplikoi akupunkturë për një pacient/China Daily
Kjo e bëri atë të diplomohej në mjekësinë tradicionale kineze në një shkollë mjekësore tradicionale në Vietnam dhe më vonë të ndiqte studime të mëtejshme për master në akupunkturë dhe tuinë (masazh terapeutik kinez) në Universitetin e Mjekësisë Kineze Changchun në provincën Jilin të Kinës verilindore.
Sipas Phan, edhe pse mjekësia tradicionale kineze është praktikuar dhe pranuar prej kohësh në Vietnam, pasi ka ngjashmëri me mjekësinë tradicionale të Vietnamit, gjetja e një mjeku ose shkolle të mirë për të mësuar mjekësinë tradicionale kineze në Vietnam nuk është e lehtë. Kjo është arsyeja pse ajo synon të çojë në vendin e saj njohuritë që ka marrë në Kinë.
“Unë planifikoj të bëhem mjeke dhe mësuese e mjekësisë tradicionale kineze pas diplomimit”,- tha Phan.
Studentët jashtë shtetit të mjekësisë tradicionale kineze, si Phan, nuk janë të rrallë. Sipas një raporti të bashkëpublikuar në prill 2023 nga Universiteti i Mjekësisë Kineze në Guangzhou dhe Akademia e Shkencave Sociale në Kinë, numri i përgjithshëm i studentëve ndërkombëtarë që studiojnë mjekësinë tradicionale kineze në Kinë ishte 8187 në 2020, me popullsinë më të madhe prej 6441 që vinte nga vendet aziatike, e ndjekur nga 832 nga Afrika dhe 432 nga Evropa.
Khiev Ken nga Kamboxhia mësoi meridianët e mjekësisë tradicionale kineze/China Daily
Khiev Ken, 21 vjeçe, nga Kamboxhia, është një prej tyre. Gjithmonë e magjepsur nga kultura e lashtë kineze dhe duke ëndërruar të studionte një ditë në Kinë, ajo filloi të mësonte gjuhën kineze në klasën e katërt të shkollës fillore. Në vitin 2020, ëndrra e saj u realizua pasi u regjistrua në të njëjtin universitet në Jilin si Phan. Si studente e huaj, Khiev e sheh kursin e teorisë bazë të mjekësisë tradicionale kineze si më sfiduesin në kurrikul.
“Ne duhet të mësojmë përmendësh të gjithë strukturën dhe pikat e akupunkturës në trupin e njeriut. Duke qenë e gjerë dhe e thellë, mjekësia tradicionale kineze është thellësisht e lidhur me filozofinë kineze. Kërkon vite mësimi dhe praktikë për të kuptuar me të vërtetë konceptet e yin dhe yang, harmoninë midis njeriut dhe natyrës dhe pesë elementët e drurit, zjarrit, tokës, metalit, dhe ujit”,- tha ajo.
Ndonjëherë ajo madje përkthen fjalorin dhe shkrimet në gjuhën Khmer, në mënyrë që t'i mbajë mend dhe t'i kuptojë më mirë. Megjithatë, Khiev e gjen efikasitetin e mjekësisë tradicionale kineze shumë më të menjëhershëm dhe të drejtpërdrejtë. Pasi praktikoi akupunkturën në jastëkë të vegjël dhe modele njerëzore mjekësore, ajo dhe shokët e saj të klasës e aplikuan trajtimin për veten dhe për njëri-tjetrin.
Kur ajo theu aksidentalisht këmbën muaj më parë, mësuesja e saj përdori akupunkturën si një terapi dhe e ndihmoi atë të rikuperohej shpejt dhe mirë.
“Mjekësia tradicionale kineze ka fituar zemrat e njerëzve për shkak të efikasitetit të saj. Qoftë brenda apo jashtë vendit, është efekti aktual që mund të largojë dyshimet dhe shqetësimet mbi mjekësinë tradicionale kineze”,- tha Ma Huifang, profesoreshë në Universitetin e Mjekësisë Kineze të Pekinit.
Ma ka përvojë të gjerë në mësimdhënien e mjekësisë tradicionale kineze për studentët ndërkombëtarë jashtë shtetit. Në vitin 2007, për shembull, ajo dha mësim në Departamentin e Mjekësisë në Universitetin e Firences në Itali.
“Të gjithë studentët e mi ishin mjekë me përvojë dhe ata e njihnin shumë mirë mjekësinë tradicionale kineze, veçanërisht përdorimin e saj në trajtimin e dhembjeve dhe problemeve intensinale”,- tha ajo.
Sipas Ma, Universiteti i Mjekësisë Kineze në Pekin kishte projekte që dërguan profesorë jashtë shtetit në Universitetin Teknologjik Nanyang në Singapor, Universitetin e Firences në Itali dhe institucione të tjera akademike për të mësuar mjekësinë tradicionale kineze.
Ajo gjithashtu ka themeluar Shkollën Ndërkombëtare në universitetin ku punon, duke ofruar programe të shkurtra për studentët jashtë shtetit dhe ka hapur kurse për mjekësinë tradicionale kineze në anglishte profesionale për studentët kinezë.
Shumë universitete të tjera të mjekësisë kineze kanë miratuar iniciativa të ngjashme strategjike për të promovuar globalizimin e mjekësisë tradicionale kineze, duke përfshirë ato në Shangai, Nanjing dhe Guangzhou.
“Interesi i brezit të ri për mjekësinë tradicionale kineze po rritet. Kur jam në klinikë, shumë pacientë të rinj më konsultojnë jo vetëm për shëndetin e tyre, por edhe për aplikimin e diplomave të mjekësinë tradicionale kineze. Shumë njerëz të brezit tim u regjistruan në universitete duke ndjekur këshillat e prindërve ose të mësuesve, por studentët në ditët e sotme zgjedhin të studiojnë mjekësinë tradicionale kineze kryesisht nga pasioni dhe kurioziteti i tyre”,- tha Ma.
Zou Haoyan nga Singapori mëson mjekësinë tradicionale kineze/China Daily
Megjithëse vitet e studimit janë të gjata dhe kërkuese, perspektivat e punësimit për studentët e mjekësisë tradicionale kineze janë premtuese pas diplomimit, thotë Zou Haoyan, një student nga Singapori në vitin e dytë të doktoraturës për ortopedi përmes mjekësisë tradicionale kineze. Sipas Zou, ka shumë qendra të mjekësisë tradicionale kineze në Singapor. Në vitin 2018, ai punoi në një vend ku trajtimet si vendosja e kockave, akupunktura dhe guasha, ose terapia e kruarjes, janë shumë të njohura. Përveç qendrave mjekësore, praktikuesit e mjekësisë tradicionale kineze janë të kërkuar nga spitalet e mëdha të mjekësisë tradicionale kineze, klubet shëndetësore, dyqanet e tuinave dhe sallonet e masazhit të këmbëve në Singapor, që kanë lulëzuar së fundi.
Për ata me ambicie më të mëdha, hapja e klinikave të tyre të mjekësinë tradicionale kineze jashtë shtetit është gjithashtu një opsion i zakonshëm.
“Unë njoh shumë nga kolegët e mi që po ndërtojnë një karrierë në SHBA, Turqi, Kazakistan, Lindjen e Mesme dhe kryesisht në Azinë Juglindore”,- tha ai.
Lulëzimi i mjekësisë tradicionale kineze nuk kufizohet vetëm në shkolla dhe klinika. Po ashtu, ajo është bërë një zgjedhje stili jetese për shumë të rinj.
Një sondazh i kryer nga “China Youth Daily” me 1000 të anketuar në Kinë zbuloi se 93.3 për qind e të pyeturve kanë provuar metoda të ndryshme diagnostikimi dhe trajtimi të mjekësisë tradicionale kineze.
Sipas sondazhit, 63.1 për qind e të rinjve të anketuar e bëjnë këtë për shkak të ritmit të shpejtë të jetës dhe presioneve të shtuara që vijnë nga puna. Rezultatet tregojnë se 52.9 për qind e të pyeturve mendojnë se ruajtja e shëndetit përmes mjekësisë tradicionale kineze ka përmirësuar kushtet e tyre shëndetësore jooptimale.
Ma përmendi termin zhargon në internet “studentët e brishtë universitarë”, duke iu referuar brezit aktual që vuajnë nga probleme të shumta shëndetësore dhe janë aq të brishtë sa duket sikur dëmtohen lehtë edhe pse janë të rinj. Fenomeni i “sëmundjeve të lidhura me plakjen te të rinjtë” është tashmë shumë i zakonshëm. Shumë të rinj në të 20-at vijnë në klinikë për dhembje në qafë dhe shpinë, si dhe për sindromën e syrit të thatë, thotë ajo.
Ma ka vëzhguar gjithashtu fenomenin që të rinjtë e kthejnë mjekësinë tradicionale kineze në modë dhe ajo e merr atë si një shenjë të mirë të zhvillimit inovativ të mjekësisë tradicionale kineze.
Bazuar në teorinë e homologjisë së mjekësisë dhe ushqimit në mjekësinë tradicionale kineze, çaji kinez me qumësht bimor dhe një version kinez farmaceutik i supës së kumbullës janë bërë trend në mediat sociale.
Ato jo vetëm që tërhiqen nëpër dyqane, por gjithashtu marrin klikime të shumta në internet.
“Kam parë etiketa të çajit të qumështit bimor kinez në Xiaohongshu dhe doja shumë ta provoja. Është një ide kreative për të kombinuar mjekësinë tradicionale kineze me tendencat ushqimore midis brezit të ri”,- tha Khiev.
Të rinjtë po postojnë gjithashtu fotografi të shpinës së tyre të mavijosur pas terapisë me gërvishtje dhe videoklipe të praktikimit të baduanjin, një ushtrim tradicional fitnesi kinez.
Edhe Pamela Reif, një vlogere për stërvitje me më shumë se 10 milionë ndjekës në “YouTube” dhe 11 milionë në “Bilibili”, e provoi ushtrimin.
Phan gjithashtu praktikon baduanjin rregullisht. “Unë i bëj tetë sekuencat çdo mëngjes menjëherë pasi zgjohem. Edhe pse zgjat vetëm 12 minuta, kjo më ndihmon të zgjohem dhe të lidhem më mirë me trupin tim. Konstatova se, pas pandemisë Covid-19, ka një tendencë midis të rinjve për t’u ushtruar për ruajtjen e shëndetit, me mjekësinë tradicionale kineze që luan një rol të rëndësishëm”,- shtoi ajo.
Sipas Ma, thelbi i mjekësisë tradicionale kineze është mjekësia parandaluese, në të cilën ruajtja e shëndetit është thelbësore. Produktet dhe lëvizjet aktuale popullore janë mishërimi i kësaj ideje.
Megjithatë, Ma kujtoi gjithashtu se mjekësia tradicionale kineze thekson rëndësinë e diagnostikimit dhe trajtimit bazuar në sindromat diferencuese.
“Çdo person ka një strukturë të ndryshme dhe çdo barnë ka vetitë e veta unike të të ftohtit, nxehtësisë, ngrohtësisë dhe butësisë. Edhe kur pini çaj qumështi bimor, është më mirë të bëni zgjedhje në përputhje me rrethanat. Disa njerëz e kritikojnë mjekësinë tradicionale kineze, sepse nuk mund të matet dhe standardizohet.
Në fakt, kjo është karakteristika dhe përparësia e mjekësisë tradicionale kineze, pasi është një metodë mjekësore më e saktë dhe e përshtatur për pacientë të ndryshëm”,- shpjegoi Ma, duke shtuar se popullariteti i mjekësisë tradicionale kineze, si në mesin e studentëve ndërkombëtarë ashtu edhe në mediat sociale, nënvizon potencialin e jashtëzakonshëm për zhvillimin dhe prosperitetin e ardhshëm të mjekësisë tradicionale kineze.