Shumë prej atyre që janë të interesuar mbi kulturën kineze kanë dëgjuar për kungfunë. E njohur dhe si artet marciale kineze, kungfu është një stil luftimi që nxit virtytin e paqen dhe i ka rrënjët në historinë dhe filozofinë e lashtë kineze. Tani, në Tempullin e Shaolinit Jugor të Quanzhou-t, një grup nxënësish po stërviten në kungfu me qëllimin fisnik për ta çuar përpara traditën.
Quanzhou është një qytet port i lashtë në provincën bregdetare Fujian të Kinës Lindore. Ai ka qenë një vend ku njerëzit nga e tërë bota përjetojnë kulturën tradicionale kineze.
Kungfuja e Shaolinit, një stil me origjinë nga Tempulli "Shaolin" i Henan-it, konsiderohet si një stil i rëndësishëm në Kinë dhe ndiqet gjerësisht në tërë botën. Legjenda thotë se një grup mjeshtërish të kungfusë së Shaolinit erdhën në Quanzhou dhe krijuan aty degën e jugut.
Xu Haican u bë nxënës në Tempullin e Shaolinit Jugor para dy vjetësh. "Shikoja filma me kungfu kur isha i vogël dhe më lindi dashuria për të," thotë Haican duke buzëqeshur. "Prandaj jam i lumtur që munda ta mësoj më në fund.”
Tempulli është i hapur për dashamirët e kungfusë të moshave të ndryshme dhe ka tërhequr nxënës nga vendet e tjera. Mjeshtri Shilicheng është mësuesi i Haican-it. Këtij grupi djemsh nga mosha 5 deri në 16 vjeçe, Licheng u mëson jo vetëm kungfu, por edhe artet tradicionale kineze, si kaligrafia dhe vlerësimi i çajit. Ai shpreson se këto përvoja mund të "forcojnë si trupat, ashtu edhe mendjet e tyre.”
Por fusha thelbësore e mësimit të nxënësve është Grushti Wuzu i Jugut. Ai është tipik për kungfunë e Shaolin-it Jugor dhe u listua zyrtarisht si një formë e trashëgimisë kulturore jomateriale kombëtare të Kinës në vitin 2008.
Licheng thotë se Grushti Wuzu i Haican-it ka arritur një nivel të mirë në një kohë të shkurtër. Kjo teknikë i ka dhënë atij forcë trupore dhe mendore, pasi çdo lëvizje duhet të jetë e fuqishme, por e llogaritur. Haicang-ut i kërkohet shpesh të demonstrojë lëvizjet për nxënësit e rinj.
Haican mund të përdorë zinxhirin me nëntë pjesë dhe të shfaqë grushtin e majmumit. "Më pëlqen të mësoj kungfu me shokët e mi të klasës dhe të ndihmoj të rinjtë," thotë Haican, duke e shikuar Wenxuan-in, nxënësi më i ri i kungfusë në këtë tempull. Bashkëjetesa dhe ndihma ndaj njëri-tjetrit u kanë dhënë këtyre djemve një ndjenjë pjekurie dhe pavarësie të brendshme.
Tempulli i Shaolinit Jugor në Quanzhou planifikon që të vazhdojë programin e kungfusë për nxënësit, që më shumë të rinj të njohin këtë formë mbrojtjeje kineze. Ndërsa Haican-i dëshiron që një ditë të jetë po aq i mirë sa mësuesi i tij Licheng.