Foto nga Xinhua
Vitet e fundit, Hungaria ka dëshmuar një rritje të interesit për mjekësinë tradicionale kineze, siç tregohet nga suksesi i konsultimit falas në kuadër të Ditës Botërore të Mjekësisë Tradicionale Kineze 2023.
Eventi, që u mbajt gjatë fundjavës në sallën “BOK” në Budapest, tërhoqi një numër të madh qytetarësh hungarezësh, të etur për të përjetuar përfitimet e mjekësisë tradicionale kineze.
“Tre vjet më parë, erdha këtu, por ishte shumë e mbushur me njerëz dhe nuk munda të hyja. Kështu që, mbërrita herët në mëngjes për të qëndruar në radhë”,- deklaroi Marika Varga, një grua 65-vjeçare që udhëtoi nga Szekesfehervar në Hungarinë qendrore për në kryeqytet, për të marrë pjesë në këtë event.
Konsultimi u organizua nga Shoqata e Mjekësisë Tradicionale Kineze e Evropës Qendrore dhe Lindore dhe Qendra e Mjekësisë Tradicionale Kineze Qihuang e Hungarisë, si pjesë e ekspozitës hungareze për të moshuarit, “Senior Plus Expo”.
Shtatë ekspertë të mjekësisë tradicionale kineze, së bashku me përkthyes, morën pjesë në mbi 500 konsulta gjatë ngjarjes dyditore, duke ofruar diagnoza, parandalim dhe plane trajtimi.
Më shumë se 2200 pjesëmarrës patën gjithashtu mundësinë të provonin çaj bimor kinez, duke rritur përvojën e tyre në mjekësinë tradicionale kineze.
Piroska Molnar, një 63-vjeçare nga qyteti verior hungarez Matrafured, u paraqit në konsultim me bashkëshortin e saj, i cili kishte parë në televizion Chen Zhen, presidentin e Shoqatës së Mjekësisë Tradicionale Kineze të Evropës Qendrore dhe Lindore dhe kreun e qendrës Qihuang.
Molnar dhe bashkëshorti i saj ishin në gjendje të mirë shëndetësore, por ata kërkuan këshillën e Chen për parandalimin e sëmundjeve.
“Ngaqë mjekësia tradicionale kineze është shumë më miqësore, më personale dhe holistike, është shumë më e favorshme për ne”,- tha Molnar pas konsultimit.
Interesi në rritje për mjekësinë tradicionale kineze është gjithashtu i dukshëm në mesin e profesionistëve të kujdesit shëndetësor dhe përkthyesve si Katalin Hornyak, e cila thotë se stendat e mjekësisë tradicionale kineze ishin më të njohurat në ekspozitë, sepse ofrojnë një qasje holistike ndaj shëndetit, ndryshe nga mjekësia perëndimore, e cila shpesh trajton vetëm simptomat.
Hornyak ishte veçanërisht e impresionuar nga tërësia dhe dhembshuria e mjekëve kinezë. “Mjekët kinezë janë shumë të kujdesshëm dhe i pyesin pacientët për gjendjen e tyre në detaje. Ata punojnë shumë për t'i ndihmuar ata të zgjidhin problemet e tyre”,- theksoi ajo.
Zhang Haifang, një eksperte nga provinca kineze Gansu, e cila iu bashkua qendrës Qihuang në janar, thotë se ishte e befasuar nga pjesëmarrja e lartë.
“Ka pasur një fluks të vazhdueshëm njerëzish. Vetëm në një ditë zhvillova konsulta me 30 apo 40 pacientë”,- deklaroi ajo.
“Dituria dhe filozofia parandaluese e mjekësisë tradicionale kineze kanë sjellë përfitime të prekshme shëndetësore për popullatën hungareze dhe kanë promovuar shumë miqësinë mes dy vendeve”,- deklaroi Chen, i cili ka organizuar konsulta falas të mjekësisë tradicionale kineze në Hungari për 18 vjet.