Foto nga China Daily
Ekipeve të ndihmës mjekësore të Kinës në vende të huaja iu dha titulli “Model i kohëve” nga Departamenti i Publicitetit i Komitetit Qendror të PKK-së. Këtë vit shënohet 60-vjetori i ekipit të parë mjekësor kinez të dërguar në Algjeri.
Që nga viti 1963, Kina ka dërguar më shumë se 30.000 punonjës mjekësorë në 76 vende dhe rajone dhe ka ndihmuar në ndërtimin e më shumë se 130 objekteve të kujdesit shëndetësor jashtë shtetit.
Ata kanë trajtuar afro 300 milionë pacientë dhe kanë shpëtuar jetë të panumërta në lokalitetet e tyre, sipas të dhënave zyrtare.
Në dekadën e kaluar, grupet mjekësore kineze kanë prezantuar teknologji më të avancuara diagnostikimi dhe trajtimi në vende dhe rajone në zhvillim, si dhe kanë krijuar programe asistence në bashkëpunim me spitalet lokale.
Po ashtu, janë zhvilluar një sërë programesh mjekësore me tematikë, si një mision për kryerjen e operacioneve të kataraktit dhe një tjetër për të ndihmuar fëmijët me çarje të buzës dhe qiellzës.
Ndërkohë, profesionistët mjekësorë kinezë kanë trajnuar një numër të madh anëtarësh të stafit mjekësor vendas për të përmirësuar shërbimet dhe kapacitetet e tyre mjekësore.
Rreth 50 punëtorë mjekësorë kinezë kanë humbur jetën gjatë misioneve të tyre të ndihmës jashtë shtetit.
Dashuria e tyre vetëmohuese, aftësitë e shkëlqyera mjekësore dhe përkushtimi i vazhdueshëm gjatë brezave kanë marrë një vlerësim të gjerë nga komuniteti ndërkombëtar, bëri të ditur Departamenti i Publicitetit të Komitetit Qendror të PKK-së.
Tong Ling, një okuliste 69-vjeçare nga Spitali Popullor Komunal Tianjin, punoi për tetë vjet në Kongo dhe Gabon. Misioni i saj i parë në 1995 në Kongo u ndërpre papritur kur konfliktet e armatosura lokale u përkeqësuan dhe ajo dhe shokët e saj të skuadrës duhej të fshiheshin me një familje vendase për më shumë se një javë, të kërcënuar nga mungesa e ushqimit dhe ujit, si dhe nga mushkonjat dhe insektet e pamëshirshme.
“Pas kthimit në vendin tim, nuk mund mos të mendoja për spitalin ku punoja në Kongo me kolegët e mi dhe për pacientët atje. Kështu që u regjistrova përsëri në vitin 2002, u ktheva në të njëjtin spital dhe e përfundova misionin me sukses”,- tha Tong.
Gjatë misionit të saj të katërt të ndihmës së huaj në Libreville, kryeqyteti i Gabonit, Tong mori përsipër detyrat e reja të rinovimit dhe përgatitjes së objekteve lokale për të pritur grupe më të mëdha të punonjësve mjekësorë kinezë në të ardhmen, si dhe pjesëmarrjen në negociatat për marrëveshjet dypalëshe për ndihmën mjekësore midis vendasve dhe qeveritë kineze.
Tong u infektua disa herë nga malaria gjatë misionit të saj jashtë shtetit dhe iu desh t’i bënte vetë injeksionet kuruese.
“Përmes punës së palodhur, njohurive dhe përkushtimit tonë, ne kemi fituar respekt dhe vlerësim nga miqtë tanë në Afrikë dhe kemi krijuar miqësi me ta”, tha ajo.
Li Junsheng, kreu i repartit të kirurgjisë në Spitalin e Katërt të rajonit autonom të Mongolisë së Brendshme, mori pjesë në gjashtë grupe ndihmash mjekësore në Ruandë.
“Ruanda ka nevojë urgjente për profesionistë mjekësorë dhe shumë pacientë me sëmundje të zakonshme nuk mund të kenë trajtim në kohë”,- tha ai.
Për të kompensuar mungesën e mjeteve minimale në spitale dhe stafit për njësitë e kujdesit intensiv, Li tha se mjekët kinezë u përpoqën të bënin prerje sa më të vogla dhe t’i vizitonin më shpesh repartet e spitaleve.
Sipas tij, për t’u kujdesur për ushqyerjen e pacientëve të varfër që sapo i ishin nënshtruan operacionit, mjekët kinezë madje ndanin dhe vaktet e tyre me ta.
“Shumë pacientë kishin shpenzuar shumë për të mbuluar tarifat e transportit për në dhe nga spitali dhe ata prisnin në radhë të gjata për t’u vizituar. Mund t'i kuptoja vështirësitë e tyre dhe gjithmonë bëja më të mirën për t'i shpëtuar nga telashet”,- tha Li.