Kina përfshin sistemin e kultivimit të xhinsenit në listën e rëndësishme të trashëgimisë bujqësore
2023-10-13 15:28:14

CFP

CFP

Sistemi i kultivimit të xhinsenit në malin Changbai është shtuar në listën e rëndësishme të trashëgimisë kulturore bujqësore kineze nga Ministria e Bujqësisë dhe Çështjeve Rurale, bën të ditur “Xinhua”.

I cilësuar si mbreti i bimëve, xhinsen konsiderohet të jetë ushqyes dhe me vlera mjekësore në Mjekësinë Tradicionale Kineze (TCM).

Sun Zhentian, sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Industrisë së Xhinsenit në Jilin, tha se identifikimi i sistemit të kultivimit të xhinsenit si një trashëgimi e rëndësishme kulturore bujqësore në nivel kombëtar është me rëndësi të madhe për konsolidimin e statusit të Kinës si një vend origjine i xhinsenit, si dhe për promovimin e përdorimit shkencor dhe zhvillimit cilësor të industrisë së kësaj bime.

Xhinseni është përdorur në Kinë për më shumë se 4000 vjet. Mali Changbai njihet si një nga origjinat botërore të xhinsenit dhe ka mbetur një bazë e madhe globale e prodhimit të tij.

CFP

CFP

Për sa i përket mbrojtjes së trashëgimisë, sistemi i kultivimit të xhinsenit në zonën malore në qytetet Tonghua dhe Baishan dhe në Prefekturën Autonome Koreane Yanbian, në provincën Jilin të Kinës verilindore, përbëhet nga shtatë përmbajtje kulturore, që mbulojnë burimet e egra të xhinsenit dhe mjedisin e rritjes, mënyra të ndryshme kultivimi të xhinsenit dhe teknologjia e përpunimit,  si dhe tregtia zyrtare e xhinsenit gjatë dinastisë Qing (1644-1911).

Prodhimi i xhinsenit në Jilin përbën 60 për qind të totalit të Kinës. Në vitin 2022, vlera e prodhimit të industrisë së xhinsenit në Jilin kishte tejkaluar 64 miliardë juanë (8.77 miliardë dollarë amerikanë).   (Irma)