“Argumentum”, një edicion special kushtuar Kinës në hapësirën ballkanike
2023-09-29 17:33:57

Një edicion special i “Argumentum” pritet të shtojë informacionet, opinionet dhe studimet dhe njohjen e Kinës në hapësirën ballkanike. Edicioni u promovua online nga Instituti i Studimeve të Globalizimit dhe portali online “Argumentum”. Edicioni special dygjuhësh në shqip dhe anglisht u prezantua në muajin gusht, i titulluar “Disa refleksione mbi Kinën”.

Dr. Marsela Musabelliu në intervistë për CMG

Dr. Marsela Musabelliu në intervistë për CMG

Drejtorja ekzekutive e Institutit të Studimeve të Globalizimit, Dr. Marsela Musabelliu prezanton këtë revistë nëpërmjet një interviste për Grupin Mediatik të Kinës.

CMG: Si lindi ideja e revistës “Argumentum”?

Dr. Marsela Musabelliu: Ky është një bashkëpunim i portalit online “Argumentum” , një portal gjeopolitik dhe analizë a aktualitetit  dhe Institutit të Studimeve të Globalizimit, që unë drejtoj. Ne e patëm këtë ide që në fillim të këtij viti, por na u deshën disa muaj dhe pak kohë që të realizonim revistën që përmbledh ide të disa analistëve për aktualitetin e Kinës, të Europës  dhe botës.

Është një risi në dekadën e fundit pasi ne kemi parë analiza për lajme të veçanta apo ngjarje që ndodhin në një muaj apo datë të caktuar, ndaj duam që me anë të kësaj reviste të kemi një përmbledhje më e thellë analitike e marrëdhënieve midis Kinës dhe Shqipërisë, Kinës dhe Ballkanit Perëndimor, por dhe Kinës dhe Europës.

Jemi tre persona që kontribuuam në këtë revistë, e cila është në shqip dhe anglisht sepse audienca që ne dëshirojmë të arrijmë është jo vetëm shqipfolëse, por edhe që lexon në gjuhën angleze, që studion Kinën dhe do të dijë më tepër disa pikëpamje shqiptare në marrëdhëniet  Kinë-Ballkani Perëndimor dhe Kinë-Europë.

CMG: Në brendësi të revistës “Argumentum” ju Marsela keni një artikull me titull “Një brez, një rrugë” , Kinë-Europë Qendrore dhe Lindore dhe pozicionimi i Shqipërisë mes nismave kineze. Dinamika globale”. Ndërkohë ka dhe të tjerë kontribuues  me artikujt e tyre, siç është  Dr. Jorgji Kote, i cili prezantohet me artikullin “ Pikë madhore reference gjeopolitike  për Kinën”, si dhe  një analizë nga kryeredaktorja e portalit online “Argumentum” Marjana Doda  me titull “Kina në Ballkanin Perëndimor, mite dhe realitete”  Mendoni se ka një rëndësi të posaçme njohja e Kinës në hapësirën ballkanike ?

Revista  Argumentum (Foto Argumentum)

Revista  Argumentum (Foto Argumentum)

Dr. Marsela Musabelliu: Patjetër, sidomos përsa i përket botës shqiptare. Ashtu si unë edhe Dr. Jorgji Kote dhe Marjana Doda kemi qenë në disa konferenca, takime dhe seminare të Ballkanit Perëndimor dhe shumë studiues dhe njerëz të medias nga vende të ndryshme të kësaj hapësire na kanë pyetur se cila është perspektiva shqiptare ndaj nismave kineze, prezencës së Kinës në rajonin tonë, marrëdhëniet Kinë-Europë, por dhe pozicionit gjeopolitik të Kinës në aktualitet.

Prandaj ne menduam të bëjmë një analizë të thellë të realitetit shqiptar, të perceptimit shqiptar ndaj Kinës, nismave kineze, raporteve Kinë-Europë, por dhe pasqyrimit të medias.

Titujt nuk janë të zgjedhur rastësisht, sepse ne kemi patur pyetje dhe kemi marrë inpute nga kolegët në rajon si dhe nga kolegët e mi në Kinë sepse kjo revistë është bërë në bashkëpunim me universitetet kineze dhe ata duan të dinë perceptimin tonë ndaj Kinës dhe nismave të saj si në Shqipëri, ashtu dhe në rajonin tonë.

Përveç se një kërkesë rajonale u tregua interes dhe nga pala kineze sepse zërat analitikë në Shqipëri ndaj Kinës janë por nuk janë shumë. Ndaj ne menduam që këta zëra t’i njohim dhe idetë e tyre t’i promovojmë për një audiencë më të gjerë, prandaj është dhe në versionin anglisht revista. Kemi vënë re që studiues dhe media në Europë që marrin informacionin e tyre në gjuhën angleze kanë dashur të dinë ku qëndron Shqipëria, analistët shqiptarë kundrejt Kinës dhe cili është perceptimi për Kinën në vendin tonë dhe dolëm në këtë revistë përmbledhëse.

CMG: Besoj se revista online “Argumentum” ka lidhje me seminarin që Instituti i Studimeve të Globalizimit organizoi vitin e kaluar, ku ishin të pranishëm analistë dhe ekspertë nga Maqedonia e Veriut, por dhe nga vende të tjera të Ballkanit Perëndimor në lidhje online, sigurisht dhe nga Kina.

Në punën tuaj si studiuese  kanë lidhje këto dy ngjarje?

Dr.  Marsela Musabelliu: Po është një vazhdimësi i të njejtin projekt që Instituti ynë ka me institutet akademike kineze. Çfarë ne duam të bëjmë është njohja e ndërsjellë akademike dhe mediatike, pavarësisht se kanalet e komunikimit ekzistojnë, por ne duhet t’i shtojmë dhe thellojmë.  Për këtë na duhen më shumë ide, zëra dhe analiza, siç e shikoni dhe në këtë revistë, sepse ka shumë potencial të pashfrytëzuar në njohjen e ndërsjellë të kulturave, të botës mediatike, të shkëmbimeve njerëzore.

Duhet të kemi parasysh që për gati 3 vite bota u ndal për shkak të pandemisë. Në të gjithë botën komunikimi online është një gjë dhe komunikimi fizik midis personave është diçka tjetër. Në këto kohë që ky boshllëk komunikimi ka qenë gati persistent ta kalojmë duke dhënë më shumë informacione dhe pozicione të njeri-tjetrit. Jo vetëm në Kinë duan të dinë çfarë mendojnë analistët shqiptarë, por duan të dinë dhe në Europë, në Ballkanin Perëndimor.

Porti Shangai(Foto:VCG)

Porti Shangai(Foto:VCG)

Si është qasja e Kinës në rajonin tonë dhe si perceptohet dhe analizohet në territorin shqiptar? Me këtë jemi munduar që t’i japim një audience shqiptare, por dhe të huaj disa materiale mbështetëse, sipas perceptimeve të autorëve përkatës.

CMG: Revista online “Argumentum” është prezantuar si edicion special në muajin gusht. Ku do të fokusohet revista në edicionet e ardhëshme? A kanë interes analistët për revistën?

Dr. Marsela Musabelliu: Ne jemi në një fazë embrionale të punës sepse kemi parë shkrime në portalet shqiptare, apo analiza në media, por kjo revistë është një risi. Ajo shkon përtej kufijve kohorë dhe hapësinorë sepse nuk marrim një lajm të vetëm dhe e analizojmë, por një koncept, një vizion politik, apo një komunikim disamujor dhe e analizojmë.

CMG: Pra kemi të bëjmë me një punë studimore?

Dr.  Marsela Musabelliu: Më shumë është një punë analitike  portretizuese e një situate. Në analizat tona unë dhe analistët e tjerë kemi trajtuar të kaluarën e gati një dekade për të shtjelluar idetë tona. Mjafton të kujtojmë nismën “Një brez, një rrugë” ose bashkëpunimin Kinë-Europë Qendrore dhe Lindore këto ekzistojnë prej më shumë se një dekade. Që të shkruash për një dekadë evente duhet të analizosh komunikimet, memorandumet, ndaj në fokusin tonë lajmet aktuale apo një muaj më vonë janë të rëndësishme, por jemi munduar të analizojmë gjithçka në retrospektivë. Një mënyrë kjo për të mësuar nga e kaluara dhe për të parë se ku mund të shkojmë në të ardhmen.

Në numrat e tjerë, sipas interesave të qarqeve akademike dhe mediatike, por edhe të shoqërisë civile ne do të projektojmë idetë tona.

CMG: Do të ketë hapësirë revista online “Argumentum” edhe për ekspertë dhe studiues kinezë, veprimtaria e të cilëve ka lidhje me Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor?

Dr. Marsela Musabelliu: Patjetër. Ne mund të gjejmë dhe hapësira të tjera shkëmbimesh sepse nuk jemi të fokusuar vetëm në një portal. Ne duam të kemi një prezencë që njerëzit të na njohin ne dhe idetë tona. Me portalin online “Argumentum” si një bashkëpunëtor i yni do të bëjmë shkëmbime dhe në të ardhmen si për revistën, ashtu dhe për shkrime. Ne mirëpresim këdo që është i interesuar të publikojë artikuj për shkëmbimet me Kinën, por dhe më gjerë në Ballkan.

Foto:VCG

Foto:VCG

CMG: Si do të jenë në vijimësi numrat e revistës?

Dr, Marsela Musabelliu: Do të vazhdojmë bashkëpunimin me portalin “Argumentum”  si dhe me qarqet akademike kineze, nëse do të duan të kontribuojnë dhe ka disa profesorë të nivelit të lartë që janë të interesuar për marrëdhëniet dypalëshe, por dhe të Ballkanit Perëndimor me Kinën.

Intervistoi Eda Merepeza