Geraldo Dervishllari është një 10 vjeçar nga Pogradeci, që studion në klasën e pestë. Përveç se nxënës shumë i mire, Geraldo dallohet për recitim, talent për të cilin thotë se e ka trashëguar nga gjyshi i tij. Ai ndjek kursin e recitimit në Qendrën Kulturore të Fëmijëve në Pogradecit. Geraldo ka dëshirë që kur të rritet të bëhet aktor dhe të marrë pjesë në filmat shqiptarë. Idhulli i tij është aktori Reshat Arbana, me të cilin është takuar dhe madje ka dhe një fotografi. Në një intervistë për Radio Ejani Geraldo na njeh me këtë pasion të madh për recitimin dhe ëndrrat për të ardhmen.
CMG: Geraldo, le të njihemi me ty
Geraldo Dervishllari: Unë jam 10 vjeç e gjysëm dhe studioj në klasën e pestë te shkolla “Muhamer dhe Esat Minarolli” në qytetin e Pogradecit. Gjithashtu unë shkoj edhe te Qendra Kulturore e Fëmijëve dhe me këtë rast përshëndes dhe mësuesen time Eva Qirici sepse ajo më ka ndihmuar shumë dhe më ka artikuluar fjalët mua.
CMG: Në cilën moshë ke shkuar tek Qendra Kulturore e Fëmijëve?
Geraldo Dervishllari: Kam shkuar që në klasë të tretë, kur na njoftoi mësuesja kujdestare që kush dëshiron të shkojë në këtë kurs. Unë mendova që të shkoja për të shfaqur një talent timin në fushën e recitimit.
CMG: Si lindi pasioni për recitimin?
Geraldo Dervishllari: Unë këtë talent në fushën e recitimit e kam të trashëguar nga gjyshi im Zef Marcera i cili ka qenë telefonues i rregullt në Radio Tirana para disa kohësh. Ai më ka mësuar, por dhe ja kam “vjedhur” pasionin.
CMG: Çfarë ju pëlqen më shumë të recitoni?
Geraldo Dervishllari: Mua më shumë më pëlqen të recitoj poezi për Shqipërinë. Poezitë në shtëpi mi përzgjedh mami, ndërsa te kursi mësuesja.
CMG: Cilat poezi ke recituar nëse të kujtohet ndonjë prej titujve dhe autorët?
Geraldo Dervishllari: Unë tek Qendra Kulturore e Fëmijëve kam interpretuar poezinë “Nëna” nga Ismail Kadare. Gjithashtu kam interpretuar në skenë në Qendrën kulturore më 1 qershor poezinë “Mëshira” nga Abedin Bajraktaraj si dhe poezinë “Hënë” po nga ky atutor.
CMG: Pse të pëlqen kaq shumë letërsia dhe a do të vazhdosh në të ardhmen në këtë rrugëtim?
Geraldo Dervishllari: Unë dëshiroj që ta vazhdoj në këtë rrugëtim se çdo vit që rritemi na vjen nga një dëshirë e re. Deri tani unë këtë dëshirë kam dhe uroj që ta kem përherë.
CMG: Keni qenë i ftuar në disa programe radiofonike dhe televizive. Në cilat nga këto programe keni marrë pjesë?
Geraldo Dervishllari: Unë kam qenë i ftuar në TVSH, në RTSH 1 kam qenë një herë i ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri, dhe kam qenë dy herë i ftuar në emisionin “Kuiz Express” në RTSH 3. Ky kuiz ishte që të gjeje pyetjen dhe aty unë kam fituar 13 libra.
CMG: Lexon shumë libra dhe cilët të pëlqejnë më shumë?
Geraldo Dervishllari: Unë lexoj shumë libra dhe librat që më pëlqejnë më shumë janë ato me aventuara, si “Aventuarat e Nils Holgersonit” më ka pëlqyer shumë, dhe kam dy vite që e kam lexuar.
CMG: Je i pranishëm dhe në Facebook, ku herë pas here publikon video me recitimet e tua. Ke shumë fansa në Facebook që të ndjekin?
Geraldo Dervishllari: Mua në Facebook më shkruajnë shujmë poetë. Pra ata më pëlqejnë mua dhe më shkruajnë.
CMG: Çfarë dëshiron të bëhesh kur të rritesh?
Geraldo Dervishllari: Unë kam qejf të bëhem aktor.
CMG: Ke ndonjë aktor të preferuar?
Geraldo Dervishllari: Mua më pëlqen aktori Reshat Arbana për interpretimin, ndërsa për filma më pëlqen Mirush Kabashi.
CMG: I sheh filmat e vjetër shqiptarë?
Geraldo Dervishllari: Ne si familje i ndjekim përherë filmat e vjetër shqiptarë.
CMG: Kush ju ka mbështetur më shumë në rrugën e recitimit?
Geraldo Dervishllari: Mua më kanë mbështetur shumë mësuesja dhe mami.
CMG: Çfarë rezultatesh ke në shkollë?
Geraldo Dervishllari: Të gjitha rezultatet në shollë i kam 10-ta.
CMG: Cilit aktori shqiptar dëshiron ti ngjash kur të rritesh?
Geraldo Dervishllari: Në interpretim dua që t’i ngjaj aktorit Reshat Arbana sepse e kam idhull.
CMG: E ke takuar ndonjëherë Reshat Arbanën?
Geraldo Dervishllari: E kam takur në Pogradec te një hotel sepse po xhironin filmin “Vdekja le të presë”, dhe më ka ndihmuar për ta takuar aktori Gazmend Paja. Unë aty kam takuar Reshat Arbanën me plot 30 aktorë të tjerë. Gjithashtu kam takuar dhe kam bërë foto me aktorët Luftar Paja, Gazmend Paja dhe Karafil Shena. Fotot që bëra me aktorët i kam postuar edhe në Facebook dhe është një kujtim shumë i bukur për mua.
CMG: Bisedove me Reshat Arbanën që kur të rritesh dëshiron t’i ngash atij si aktor?
Geraldo Dervishllari: Në fakt i tregoi aktori Gazmend Paja dhe i tha që ky djali të ka qejf ty, sepse unë interpretova më përpara dhe ai më takoi. Sa jam kënaqur atëhere dhe më dridhej trupi kur e takova.
CMG: Nëse do të merrje ndonjë ofertë për të lujtuar në film do ta pranoje?
Geraldo Dervishllari: Po do e pranoja me gjithë qejf.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë.
Geraldo Dervishllari: Përshëndes të gjithë stafin e Radio Ejani si dhe dëgjuesit e radios. Gjithashtu përshëndes të afërmit e mi, familjen dhe mësuesen time Eva Qirici si dhe mësuest e tjera.
Intervistoi: Gazmend Agaj