Reji Berisha, talent në vallen popullore shqiptare
2022-10-29 17:06:12


Reji Berisha është student në degën e koreografisë në Universitetin e Arteve, por falë talentit të tij në vallen pooullore,  ai është i punësuar si valltar pranë Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore. Në premierën “Zare”, Reji ishte solist kryesor në debutimin e valleve tradicionale në skenën e TOB-it, duke mahnitur publikun në sallë me performancën e tij. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) Reji tregon për fillimet e tij në balet dhe vallen popullore, aktivitetet me ansamblin si dhe projektet në vazhdim.

Reji Berisha gjate premieres se ansamblit Zare (Foto peronale)

Reji Berisha gjate premieres se ansamblit Zare (Foto peronale)

CMG: Kur keni nisur rrugëtimin juaj në vallen popullore shqiptare?

Reji Berisha: Të them të drejtën ky rrugëtim ka nisur që në moshën 6 vjeç, kur kam qenë tek Qendra Kulturore e Fëmijëve. Jam angazhuar në QKF deri në klasën e katërt dhe më pas ngaqë isha i gjatë më thonin shpesh që  të shkoja për basketboll. Unë thashë se nuk e ndjeja veten për basketboll dhe më sugjeruan Shkollën e baletit. Shkova tek Shkolla e baletit dhe bëra konkursin dhe më erdhi lajmi që e fitova. U gëzova shumë sepse nuk më shkonte në mendje që do ishte aq e vështirë dhe duhej shumë punë. Mora iniciativën dhe shkova, ku nisa Shkollën e baletit, duke punuar fort.

CMG: E keni trashëguar vallen nga nga familjarët tuaj apo jeni i vetmi që keni ndjekur këtë rrugë?

Reji Berisha: Unë jam i pari dhe kam edhe vëllain që merret me art. Të dy bashkë jemi futur që në moshë të vogël në art, ku vëllai studion për kitare në Universitetin e Arteve dhe tani mbaroi sistemin bachelor dhe do të vazhdojë  masterin. Ne jemi të parët nga familja që po ecim deri tani në rrugën e artit. 

Reji Berisha ne deputimin e nje valleje ne skene (Foto peronale)

Reji Berisha ne deputimin e nje valleje ne skene (Foto peronale)

CMG: Keni marrë pjesë në spektaklin televiziv “Virtuozët”, ku keni shkëlqyer me talentin tuaj në baletin klasik dhe atë modern. Si ishte si eksperiencë pjesëmarrja në këtë spektakël?

Reji Berisha: Ajo ka qenë eksperienca ime e parë në skenë tek TV Klan, e cila si eksperiencë e parë kisha dhe emocione dhe nuk di si ta përshkruaj, por ishte shumë e mirë.

CMG: Ju studioni në degën e koreografisë për baletin klasik, por si u gjende tek vallja popullore, duke e interpretuar   aq bukur në skenë?

Reji Berisha: Që kur isha tek Shkolla e baletit kemi valle popullore si lëndë  dhe kam vazhduar aty. Unë gjithmonë e kam pasur me shumë iniciativë dhe nuk e lija kurrë pas dore dhe ju përkushtoja shumë. Në vitin e tretë, 2-3 muaj para se të mbaronte shkolla, ka qenë periudha e pandemisë ku unë bashkë me një shkoun tim shkonim te Teatri i Operas dhe ushtronim balet klasik. Duke bërë balet klasik dhe duke u ndërruar te dhoma e zhveshjes, deri sa erdhi profesor Genci dhe tha që dua të vij tek Shkolla e baletit dhe t’ju shikoj kush është i denjë. Unë mora iniciativën vetë dhe i thashë se dua të vij unë. Më rrihte zemra aq fort sepse kisha 9 vite shkollë baleti dhe nuk mund ta lija, por e mora iniciativën dhe i thashë se dua të vij unë dhe ta provoj. Të nesërmen shkova tek ansambli ku më pritën shumë mirë, gjithë emocion sepse nuk njihja  as profesor Gencin ngaqë isha gjithë kohës në balet klasik dhe kontemporan. Isha shumë i fokusuar sepse kisha punar 9 vite çdo ditë me balet klasik dhe kontemporan, derisa shkova atje dhe filloi të më hynte në zemër akoma më shumë. Unë si pasion e kisha shumë, por që filloi duke më hyrë akoma më shumë.

Reji Berisha gjate nje performance ne skene (Foto personale)

Reji Berisha gjate nje performance ne skene (Foto personale)

CMG: Përveç talentit tuaj, mendon se jeni me fat që tashmë jeni i punësuar si valltar pranë Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore?

Reji Berisha: Të them të drejtën kemi punuar shumë paradite dhe mbasdite që në fillim, duke bërë koncerte dhe kemi punuar 4-5 muaj ku kemi nxjerrë katër valle nga të gjitha trevat. Aty u pa nga të gjithë talenti që kisha.

CMG: Si të pritën valltarët e ansamblit që janë me eksperiencë prej vitesh, kur panë një të ri të apasionuar pas vallës që ju bashkua trupës së tyre?

Reji Berisha: Mua më kanë pritur vërtetë shumë mirë dhe dua t’i falenderoj të gjithë sepse më kanë përkrahur shumë që nga fillimi dhe vazhdojnë të më përkrahin akoma. Që në fillim janë përkushtuar dhe janë marrë me mua paradite dhe pasdite. Profesor Gencin e falenderoj shumë sepse është marrë jashtëzakonisht shumë me mua dhe më ka inkurajuar, duke më thënë që të vazhdoja se do ecja mirë. Kështu që mu ofrua vendi i punës në ansambël dhe ja ku jam tani. 

CMG: Ju do të përfundoni studimet për koreografi në Universitetin e Arteve, por a do vazhdoni rrugëtimin tuaj me vallen popullore?

Reji Berisha: Unë shkollën do ta mbaroj sepse asnjëherë nuk i dihet sepse shkolla e lartë duhet gjithmonë, por vallen nuk ka shanse më ta le sepse është një gjë që e bëj me zemër, e ndjej dhe e bëj atë punë, është profesioni që unë dua. Kam punuar 9 vjet në Shkollën e baletit dhe këtë profesion e dua dhe jam i lumtur që e arrita.

Reji Berisha gjate shfaqjes se ansamblit (Foto personale)

Reji Berisha gjate shfaqjes se ansamblit (Foto personale)

CMG: A keni ndonjë valltar idhull në vallen shqiptare?

Reji Berisha: Të parin valltar që e kam njohur dhe e kam takuar ka qenë profesor Rexhepi,  të cilin e kam takuar pak sepse nuk kam pasur shumë mundësi që ta njoh ngaqë kam qenë shumë i vogël. Me çfarë kam parë vallet dhe prezenca e tij në skenë më kanë lënë pa fjalë. Unë vetë do të ndjek shembullin e tij dhe do ta përmirësoj sa më shumë. 

CMG: Para pak kohësh ansambli zhvilloi premierën “Zare”, ku ju ishit solist kryesor duke interpretuar në skenë vallet popullore. Si u ndjetë në atë premierë si solist?

Reji Berisha: Ajo ka qenë premiera ime e parë aq e madhe  dhe dua të falenderoj profesor Andrea Kokerin, i cili ishte koreografi i kësaj shfaqje sepse unë isha më i riu aty dhe vendosi që të isha unë solist. Në fillim më dukej diçka normale, por që dita- ditës po mendoja se kjo nuk është gjë normale dhe duhet të jap sa më shumë, pra duhet të punoja sa më shumë. Kjo ka qenë eksperienca ime më e madhe deri sot që kam dhënë në skenë, ku ka qenë gati një orë e gjysmë shfaqje dhe unë arrita që ta mbaja vetë edhe pse nuk e prisja, por me punë arrita.

CMG: Si ishin mbresat e publikut pas mbarimit të shfaqjes?

Reji Berisha: Ai ka qenë emocioni më i madh, që mbas shfaqjes erdhën më takuan shumë njerëz që unë nuk e prisja se do më flisnin atë ditë. Të gjithë më thonin se kishim kohë pa parë performancë të tillë, pra kam marrë komplimentat më të mira atë natë pas shfaqjes.

CMG: Ju përveç  interpretimit të valleve kishit dhe një interpretim të bukur me shikim në skenë.

Reji Berisha: Nga fillimi deri tani tek vallja në vazhdim, publiku dhe njerëzit e thjeshtë që na shikojnë nuk i kuptojnë dot lëvizjet tona sepse vetëm një profesionist mund të kuptojë kur një valltar bën gabim ose ngatërron vallen në skenë. Unë mendoj se 70-80 për qind e punës është pamja, është mënyra sesi artikulon lëvizjet dhe çdo gjë dhe shikimi për mua është kryesor. Ajo është e para, pastaj lëvizjet.

Reji Berisha pas shfaqeje ne skenen e TOB-it (Foto peronale)

Reji Berisha pas shfaqeje ne skenen e TOB-it (Foto peronale)

CMG: Reji çfarë ndjesie të jep kostumi tradicional popullor i çdo treve kur e vishni dhe interpretoni në valle?

Reji Berisha: Çdo trevë ka  cilësinë e vet, Tropoja është më burrërore, por ka dhe momente të jesh më i çiltër në fytyrë. Jugu po ashtu më pak, dhe Shqipëria e mesme, pra secila ka specifikat e veta,  por jemi mësuar që të debutojmë me të treja. 

CMG: Gjatë Javës së Kulturës Kineze në Tiranë, ansambli pati një bashkëpunim me valltarë kinezë. Si ishte si eksperiencë gjatë debutimit të valleve tradicionale kineze?

Reji Berisha: Ajo ishte një eksperiencë e bukur normalisht dhe këto janë eksperienca të veçanta sepse kemi bërë shumë prova, pra janë gjëra që nuk i kemi provuar ndonjëherë. Është një eksperiencë shumë e mirë për ne që mund të na duhet për më vonë. 

CMG: Kush i kishin më të vështirë për t’i mësuar vallet, valltarët kinezë vallet tona, apo ju vallet tradicionale kineze?

Reji Berisha: Secila ka veçantinë e saj, por  mundohemi të përshtatemi. Të dyja janë shumë të vështira dhe asnjëherë nuk i mëson dot aq shpejt, duhen muaj që të mësohen.

CMG: Ansambli ka shkuar dhe në shumë turne jashtë shtetit. Ju keni pasur mundësinë të shkonit në ndonjë turne?

Reji Berisha: Turneu im i parë dhe rruga ime e parë që kam bërë jashtë ka qenë me ansamblin në datat 4-5 mars ku kemi qenë në Dubai. Ajo ka qenë një eksperiencë shumë e bukur, ku na kanë pritur shumë mirë dhe dolëm me sukses. 

Reji Berisha ne interviste per CMG

Reji Berisha ne interviste per CMG

CMG: Jeni vetem 19 vjeç dhe keni një sukses të jashtëzakonshëm. Përveç talentit tuaj, kujt ja dedikoni tjetër këtë sukses?

Reji Berisha: Të them të drejtën familja më ka mbështetur, sidomos mamaja. Qëkur kam qenë 6 vjeç shkoja me mamin tek Qendra Kulturore e Fëmijëve dhe nuk ja harroj sepse si të gjitha nënat më ka mbështetur që fëmijë dhe deri tani. Normalisht që unë do vazhdoj sa më shumë, ku deri tani ja dola me atë çfarë më solli shkolla, por do vazhdoj akoma më shumë. 

CMG: Cilat janë projektet tuaja me vallen në vazhdim?

Reji Berisha: Për momentin jemi në prova, por akoma nuk ka dalë lista e projekteve. Presim që shumë shpejt do jemi në Maqedoninë e Veriut ku po përgatitemi për koncertin dhe në nëntor do të jemi me shfaqjen “Trimat e Jutbinës” që është dhënë vite më përpara, ku janë valle shumë të rënda.

CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit dhe miqtë tuaj.

Reji Berisha: Ju përshëndes të gjithëve dhe shumë faleminderit që më ftuat në Bio Folk.

Intervistoi: Gazmend Agaj