Vera Laçi, zëri i shquar i baladave
2023-05-06 09:56:06

Vera Laci gjate nje performance ne skene (Foto personale)

Vera Laci gjate nje performance ne skene (Foto personale)

Vera Laçi është këngëtare e njohur e muzikës popullore tradicionale, e cila ka një zë karakteristik që i shkon përshtat lirikës popullore dibrane ku i këndohet dashurisë, martesës, dhimbjes dhe përveç tekstit spikatin elementët folklorikë të etnografisë, ritet zakonore që pikturojnë terrenin autokton dibran. Në zërin e Vera Laçit, repertorin dhe karrierën e saj artistike ka gjurmë terreni artistik dibran ku jo pak artiste femra kanë bërë histori. Rreth 40 vite në skenë,  Vera Laçi në një intervistë për Bio Folk tregon për rrugëtimin e saj artistik, dashurinë për folklorin shqiptar, por edhe dëshirën për të vazhduar misionin e ruajtjes të pastër të perlave të vendlindjes së saj.

CMG: Si ka nisur rrugëtimi juaj me muzikën popullore?

Vera Laçi: Unë si shumë artistë të tjerë e kam filluar këngën që në moshë fare të vogël. Unë kam lindur në Kastriot të Peshkopisë, pra jam dibrane dhe shkollën 8 vjeçare e kam pasur shumë afër shtëpisë time, dhe aty më ka pikasur një mësues muzike. Prej klasës së parë kam filluar të kendo dhe e kam dashur shumë  këngën. Për kuriozitet të të tjerëve se nuk e kam thënë ndonjëherë, por unë kam dhe foto shumë të bukura ku kam kënduar me dajre. Shoqëroja me darje këngën  ndërsa të gjitha këngët shoqëroheshin me çifteli dhe ka qenë pak e veçantë që unë këndoja dhe i bija dajres.

Vera Laci me veshje popullore (Foto personale)

Vera Laci me veshje popullore (Foto personale)

CMG: Instrumenti i dajres është shumë i njohur për këngët popullore. Ju vazhdoni edhe sot ta doni këtë instrument popullor?

Vera Laçi: Me thënë të drejtën më ka mbetur pak merak sepse i kam rënë kur isha e vogël, por pasi jam rritur në Festivalin e Fëmijëve në Peshkopi nuk e kam përdoruar më dajren. Kam shkuar edhe në Festivalin e  Fëmijëve në Shkodër dy vjet, por jo me dajren. Kjo gjë më ka mbetur merak sepse ishte një gjë e veçantë dajra. Më vonë i kanë hequr dhe nuk i bie më njeri, por unë e vogël e kam nisur këngën duke i rënë dajres.

CMG: Vite më vonë ju u formuat si një këngëtare e mirëfilltë e këngës popullore, duke marrë pjesë në shumë aktivitete kombëtare të muzikës folklorike. Çfarë kujtoni nga vitet e karrierës suaj të atëhershme?

Vera Laçi: Unë pasi mbarova klasën e tetë konkurova në Peshkopi për kanto për të shkuar në shkollën e muzikës, dhe Dibrës i qëlloi në atë kohë që të shkonte në Elbasan. Kështu që më është dashur të konkuroja në Elbasan dhe kam mbaruar shkollën e mesme të muzikës për kanto në Elbasan, ku jam aktivizuar jashtë mase. Kam qenë nxënëse e privilegjuar ndoshta dhe në sjelljen time, por mendoj se edhe spikata me këngën popullore dibrane. Kur kthej kokën mbrapa, përveçse isha vajzë e sjellshme edhe kënga më bëri të isha e privilegjuar dhe të më donin shumë njerëz, sidomos profesorët e shkollës së muzikës. Elbasani ka pasur shumë talentë dhe një shkollë shumë të rregullt. Unë kam kënduar në filarmoninë e Elbasanit sepse ishin profesorët e muzikës që punonin me këngën popullore dhe e sillnin atë shumë bukur.

CMG: Kënga dibrane ka një veçanti nga këngët popullore të zonave të tjera të veriut, duke qenë më e gëzueshme dhe ritmike.

Vera Laçi: Kjo është e vërtetë se kënga dibrane ka një ritëm që nuk e kanë këngët e tjera të veriut, ka melodinë, ka baladën brenda, ka gëzimin, epikën dhe lirikën. Kënga dibrane është shumë e vështirë të këndohet nga këngëtarët e tjerë përveç këngëtarëve dibranë. Gjithashtu këngët e kurbetit janë shumë të vështira për t’u kënduar se kanë një shtrirje vokale, pra janë këngë që duan frymmarrje. Po të marrim këngën “Pjergullo”, që kur kam qenë më e re ndoshta e këndoja pa problem sepse ka një frymmarrje që duhet të mbushesh mirë. Kurse këngët e tjera të veriut siç janë këngët tropojane, që i këndon aq bukur Fatmira Breçani, por dhe unë i këndoj sepse dikush ka shijet e veta për të kënduar një këngë, por mua më duken shumë më të lehta për t’i kënduar këngët e trevave të tjera.

Vera Laci ne skene duke interpretuar (Foto personale)

Vera Laci ne skene duke interpretuar (Foto personale)

CMG: Ju shquheni në interpretimin e këngëve të kurbetit, por së fundi keni sjellë dhe disa balada. Pse ju pëlqejnë më shumë baladat?

Vera Laçi: Kur unë kam qenë në vitin e katërt të shkollës së mesme, isha e spikatur në Dibër edhe pse jetoja në Kastriot deri në klasën e shtatë dhe pastaj shkova në Elbasan, Në Peshkopi merreshin me talentet e reja dhe unë mbaj mend që  i ndjeri Përparim Tomçini  më ka kultivuar baladat dhe më thoshte se zëri im baladën e ka të sajën dhe e këndoja më bukur se çdolloj kënge tjetër. Që atëherë unë kam filluar të këndoja këngët epike. Pasi u ktheva nga shkolla e muzikës jam emëruar tek estrada profesioniste e Peshkopisë ku kam gjetur plot këngëtarë dibranë që vlen për t’i përmendur disa prej tyre si Arif Vladi, Liri Rasha, Saje Poleshi, Qerim Sula dhe shumë të tjerë që janë këngëtarë të pazëvendësueshëm. Unë hyra në një grup artistësh që ishin shumë të zotë dhe të njohur  dhe duhet të isha shumë e mirë që të qëndroja brenda atij grupi të mirë artistësh.

CMG: Cila nga këngët e fundit që ju keni publikuar është pritur më mirë nga adhuruesit tuaj?

Vera Laçi: Pa dashur të hyj te historia ime personale, ka gati 10 vjet që unë nuk jam për të bërë një këngë dhe tre balada i kam bërë për djalin tim. Dy prej tyre titullohen “Fatit mos ju anko” dhe “Lotët mos mi fshi”. Pastaj “Fusha e Korabit” është kënduar më përpara, por dhe kjo këngë futet te baladat. Kam kënduar edhe potpuri këngësh dibrane, e cila është baladë në vete, pavarësisht se ne e kemi sjellë duke i shtuar edhe një këngë ritmike. Unë jam munduar që t’i rri këngës dibrane edhe pse tregu muzikor tani ka lëvizur dhe shumë gjëra nuk janë më si kanë qenë dikur në folkun shqiptar.

Unë jam munduar të rri tek origjinalja sepse kam pasur dhe shtysën nga kompozitori Edmond Zhulali, të cilin e përmend gjithmonë sepse edhe kur kam dashur ndonjëherë të bëj ndonjë këngë për t’ju përshtatur tregut, ai ka këmbëngulur që unë duhet të jem Vera dhe mos të dal nga këngët që unë këndoj. Kështu që i jam mirënjohëse kompozitorit Edmond Zhulali.

Kengetarja dibrane Vera Laci (Foto personale)

Kengetarja dibrane Vera Laci (Foto personale)

CMG: Si një këngëtare me një karrierë të gjatë në fushën e muzikës dhe profesioniste, cili është mendimi juaj për brezin e ri të këngëtarëve të muzikës popullore?

Vera Laçi: Le për të dëshiruar sepse nuk po bëhet asgjë për këngën popullore  dhe më vjen keq ta them por jemi ne një brez artistësh që mundohemi ta këndojmë dhe ta sjellim. Nuk po shohim asnjë të ri që të sjellë një këngë vërtetë burimore, nuk po bëhen më aktivitete apo konkurse sepse pallatet e kulturës tani nëpër rrethe pothuajse janë zbehur fare ngaqë nuk financohen. Kjo është për të ardhur keq.

CMG: Mendoni se duhet të kishte një festival me formacion orkestral të madh të këngës së mirëfilltë popullore ku mund të zbulohen dhe talente të reja?

Vera Laçi: Për mendimin tim kjo do ishte gjëja kryesore. Do të thoja se po humbin vlerat e artit shiptar të të gjitha rretheve dhe duhet me patjetër të ketë një festival të tillë sepse po humbin motivet dhe folku shqiptar. Duhet patjetër të sillet kënga burimore, të punohen, të risillen dhe përpunohen sepse ka plot muzikantë dhe artistë.


Lexoni më shumë>>>


CMG: Dikur janë krijuar këngë popullore, ndërsa kohët e fundit vihet re që shumë pak sillet krijimtari e re popullore.

Vera Laçi: Është e vërtetë që nuk po krijohet më as në tekst dhe as në muzikë. Unë këtë periudhë po mundohem të gjej një tekst të mirë që mua të më kënaqë kur ta këndoj, ose të ketë një krijimtari të re por të jetë e bukur ashtu siç kanë qenë këngët e mëparshme. Gjithë këto vite është shtrydhur ajo krijimtari që ka qenë dikur dhe ne aty sillemi.

CMG:  Keni së afërmi ndonjë projekt të ri muzikor?

Vera Laçi: Unë po pres të realizoj videoklipin e baladës që titullohet “Na çeli prapë thana”, një këngë që e kam kënduar para 40 vitesh, por që e kam risjellë tani. Gjithashtu po bëj gati dhe një potpuri në bashkëpunim me Fatjon Dervishin, djalin e rapsodit të njohur  Sherif Dervishi. Fatjoni  ka një zë shumë të mirë dhe është këngëtar burimor  dhe ishte dëshira e tij që ta sjellim një potpuri me këngët që janë kënduar para shumë vitesh, po në atë mënyrë dhe pa ndryshuar gjë, vetëm me një orkestrim ndryshe.

Intervistoi: Gazmend Agaj