Ardian Gashi: Muzika dhe radio, dy dashuritë e shpirtit tim
2023-05-14 14:02:47

Ardian Gashi e ka nisur muzikën në moshë shumë të re. Karriera e tij nisi në mënyrë profesionale menjëherë pas prezantimit në spektaklin e talenteve të rinj “The Voice of Albania”, që për këngëtarin  do të mbetet një nga eksperiencat e tij më të bukura. Prej disa vitesh jeta e tij është mes dy dashurive, për radion dhe muzikën. Ardi ka realizuar shumë këngë me videoklipe, por edhe interpreton live në ambiente të ndryshme. Në intervistën për Radio Ejani ai flet për këngën e re të tij “Ike”, projektet që e presin këtë verë, por edhe për punën në radio.  

Ard Gashi -Foto e  fotografit Marjan Komani (Foto nga instagram)

Ard Gashi -Foto e  fotografit Marjan Komani (Foto nga instagram)

CMG: Ti ke disa javë që ke sjellë këngën e re që mban titullin "Ike". Na trego për fabulën dhe si erdhi kjo këngë tek ty?

Ard Gashi: Është e vërtetë që këngën “Ike” ka disa javë që e kemi sjellë në treg  dhe është një punë me të cilën jam shumë krenar. Bashkë me Mirdonin ne punojmë si dyshe për vite me radhë, ndërsa për produksionin është përkujdesur Fatjon Myftari. Kënga fillimisht na është prezantuar si demo nga një artist nga Shqipëria, Markel Goga, të cilin e falënderoj sepse kjo këngë na ka pëlqyer që në dëgjimin e parë. Herën e parë që kemi dëgjuar këngën, me të vërtetë e kemi dashur shumë edhe kemi vendosur për ta punuar me detaje.

CMG: Baladat dhe muzikën pop i këndon mjaft mirë, por edhe atë popullore. Ku e ndjen veten më mirë?

Ard Gashi: Kjo varet nga koha , ka momente që me baladat ndjehem shumë mirë, ka momente tek muzika popullore ndjehem shumë mire, apo me rryma  të tjera ndjehem përsëri shumë mirë. I përkas atyre artistëve që munden të eksperimentojnë me zhanre të ndryshme dhe të sjellin gjëra sa më të bukura, duke eksperimentuar. 

CMG: Duke qenë se punon dhe në radio, publiku në cilin zhanër muzikor e pëlqen më shumë Ardin?

Ard Gashi - (Foto nga facebook)

Ard Gashi - (Foto nga facebook)

Ard Gashi: Puna në radio ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga eksperiencat më të bukura në jetën time. Kam qenë më parë në televizion, ndërsa tani jam në radio dhe besoj se i përkas punës në radio. Është një punë e bukur, e lejon për ta treguar veten në çdo dimension dhe jam i lumtur me punën  që bëj. Sa i takon zhanreve të muzikës, puna në radio më ka ndihmuar për t’i njohur edhe më shumë elementet sa i përket këtij profesioni. Jam falënderues ndaj menaxheres, kolegët  të cilët janë krahu i djathtë sa i përket muzikës dhe profesionit tjetër që e bëj njëkohësisht. Tek zhanret e preferuara edhe kur dëgjoj apo kur këndoj muzikë, dëgjoj shumë muzikë, kjo më ka bërë që të jem gjithëpërfshirës në muzikën profesionale që unë bëj. Ka raste kur dëgjoj diçka nga muzika elektro, pastaj ka momente kur dëgjoj Eugent Bushpepën apo ka momente që mund të dëgjoj Afrim Muqiqin, pra është komplet një diversitet sa i përket shijeve që varet se çfarë dua në një moment të caktuar.  Zakonisht në mëngjes nuk preferoj të dëgjoj baladat, por veçse në orët e vona të natës.

 CMG: Ardi, puna në media të ka ndihmuar për ta promovuar edhe më shumë karrierën tënde artistike?

Ard Gashi: Është e vërtetë që puna në media të hap mundësi të shumta, pastaj bashkëpunimi me kolegët është më i lehtë, gjithashtu është më i lehtë edhe prezantimi në tregun mediatik. Ne kemi publikuar jo vetëm këngë, por edhe covera të ndryshme  dhe nuk kanë qenë të pakta ftesat nga media të tjera dhe për të promovuar këngët. Duhet të shfrytëzojmë rastin për t’i falënderuar të gjithë kolegët tanë të cilët kanë qenë shumë bashkëpunues, duke  na përkrahur mua edhe Mirdonin për të shfaqur tek publiku i tyre projektin tonë, muzikën tonë.

Ard Gashi (Foto personale)

Ard Gashi (Foto personale)

CMG:  Cili nga profesionet është më i dashur për ty?

Ard Gashi: Kjo është një pyetje pak “me spec” (qesh). Tek profesioni më i dashur nuk di çfarë të zgjedh, por unë mendoj se i përkas muzikës dhe gjithçka që ka të bëjë me muzikën, Ardin e gjeni aty afër. Radio e ka vendin e vet në zemër time, në të njëjtën kohë dhe muzika live, sepse unë aty e gjej veten më së shumti. Edhe pse është e madhe dëshira që të krijoj muzikë, por nuk e gjej veten askund më mirë e më rehat sesa kur performoj live. Nuk di t’i ndaj këto të dyja, kanë komplet emocione të ndryshme, të cilat nuk mundem t’i krahasoj e të them se cila peshon më rëndë në zemrën time. Mendoj se janë dashuri dhe pjesë e shpirtit tim. 

CMG: Sa e ndihmojnë gazetaria dhe muzika njëra -tjetrën, për t’u rritur edhe më shumë profesionalisht?

Ard Gashi: Sa i përket punës në televizion dhe muzikës, gjatë këtyre dy viteve unë kam pasur probleme për të gjetur mesin e për të punuar në dy sfera njëkohësisht. Tashmë në radio dhe në muzikën live, apo për të krijuar këngë të reja, më ka ndihmuar shumë radio. Në radio ne kemi shumë emocione në të cilat jam i përfshirë edhe unë, por përpara se të jemi gazetarë të mirë, duhet të kemi edhe një vesh shumë të mirë muzikor. Kështu që ajo zhvillohet me kohën dhe me përvojën dhe kjo mendoj se ka ndikuar edhe tek muzika. Në të njëjtën kohë edhe muzika që unë bëj, më ka ndihmuar për të pasur një prezantim sa më të mirë tek publiku që e kemi nga radio. Këto të dyja e kanë ndihmuar njëra- tjetrën dhe nuk mendoj se kanë pole negative.

CMG:  Ardi, ti ke qenë pjesë e një spektakli për talentet e rinj "The Voice of Albania". Si ishte për ty ajo eksperiencë?

Ard Gashi: Më ke kthyer në kohë dhe shumë faleminderit për këtë. Është një nga përvojat më të bukura të jetës, ku unë jam ndjerë shumë mirë. Kam përjetuar emocione, të cilat kanë qenë të panjohura deri në atë kohë. Kam performuar me muzikantët më të mirë shqiptarë, që ka qenë bendi i Top Channel, kam performuar me shoqërinë time, të cilët i kam pasur pjesë e “The Voice” në atë kohë. Mendoj se është diçka që nuk përsëritet, është një ndjenjë shumë e bukur. Mund të marr pjesë në çdo lloj kompeticioni, por nuk krahasohet me atë ndjenjë që kam përjetuar në “The Voice”.

Ard Gashi -The Voice off Albania (Foto nga facebook)

Ard Gashi -The Voice off Albania (Foto nga facebook)

CMG: Menjëherë pas publikimit të këngës së re, ti po përgatitesh edhe për një tjetër material të ri muzikor. Çfarë zhanri muzikor do ketë kjo këngë?

Ard Gashi: Po është e vërtetë. Gjatë kohës që ne kemi punuar për këngën më të re “Ike” bashkë me Fatjonin dhe Mirdonin, rastësisht kemi krijuar një  tjetër demo të shkurtër, e më pas e kemi punuar detajisht. Kemi menduar që ta publikonim përpara verës, por nuk dua të jap premtime para kohe. Kjo për shkak se kemi një agjendë shumë të ngarkuar, si për mua dhe Mirdonin, pasi kemi shumë performanca live. Por edhe producentët që punojmë këtë periudhë e kanë mjaft të ngarkuar. Sido që të jetë, brenda verës kënga e re do dalë patjetër.  

CMG: Cilat janë plane e tua në vazhdim?

Ard Gashi: Planet janë këngët e reja, që i përmenda. Kemi disa plane për këngë të tjera, kemi shumë projekte live, por seriozisht duhet të marr një pushim përpara sezonit veror për të mbledhur energjitë, sepse vijnë mbrëmjet verore, por edhe dasmat gjatë verës janë shumë të rëndësishme sa i përket performancave live. Këto janë planet, përpos këngës unë bashkë me Mirdonin do jemi edhe në radio, por po mundehemi që të krijojmë edhe gjëra sa më të bukura që të mbesin, e të na ndjekin njerëzit, jo vetëm në performancat live, por edhe nëpër platformave të ndryshme digjitale si radio, televizion, etj.  

CMG: Si e sheh veten ti pas 10 vitesh?

Ard Gashi (Foto nga instagrami)

Ard Gashi (Foto nga instagrami)

Ard Gashi: Një pyetje interesante, që të them të drejtën, nuk e di si të përgjigjem. Nuk bëj plane afatgjatë në jetën time, por e shoh veten gjithmonë rreth muzikës, duke performuar live. Nuk mendoj se e shoh veten më mirë se në fushën e muzikës. Nuk bëj plane afatgjata sepse bota është duke ndryshuar, shumë shpejt vijnë trende të reja. Prandaj në atë që unë bëj, nuk mund të bëj projekte të largëta, por sido që të jetë edhe pas 10 viteve, 20, apo 30 viteve e shoh veten duke bërë muzikë, bashkë me Mirdonin. 

Intervistoi: Sava Lena