Agron (Thanas) Bela është muzikant dhe instrumentist i njohur me një karrierë të admirueshme muzikore brenda dhe jashtë vendit. Ai ka shoqëruar me fizarmonikën e tij këngëtarēt më të njohur të muzikës popullore shqiptare, por dhe artistë të njohur të vendeve të tjera. Pasioni që mjeshtri i fizarmonikës ka për muzikën e mirëfilltë shqiptare ka bērë qē ta promovojë kudo artin e vërtetë.
Agron Bela duke luajtur ne fizarmonike (Foto personale)
Agron Bela, arti i fizarmonikës
Agron (Thanas) Bela është muzikant dhe instrumentist i njohur, i cili prej shumë vitesh ka kontribuar në muzikën shqiptare, por dhe ka ushtruar artin si fizarmonicist jashtë vendit. Ai ka shoqëruar me fizarmonikën e tij këngëtarēt më të njohur të muzikës popullore shqiptare, por dhe artistë të njohur të vendeve të tjera. Agroni nuk ka reshtur së promovuari artin muzikor, ndërsa sot vazhdon ta përcjellë atë më së miri te brezi i ri. Në një intervistë për Radio Ejani Agron Bela tregon për rrugëtimin e tij muzikor si dhe aktivitetet artistike brenda dhe jashtē vendit.
CMG: Ju keni dhënë një kontribut të vyer pëe muzikën shqiptare gjatë karrierës suaj. Si nisi rrugëtimi me muzikën shqiptare, pasioni dhe më pas shkollimi në shkollën e muzikës?
Agron Bela gjate nje aktiviteti me femijet (Foto personale)
Agron Bela: Unë që në vitet e fëmijërisë kam qenë shumë i apasionuar pas muzikës në përgjithësi. Kur hyja në kinema dhe mundohesha që të mësoja melodinë e filmit. Në atë kohë u futa në shtëpinë e pionerit, që sot quhet Qendra Kulturore e Fëmijëvë dhe fillova të mësoja fizrmonikën. Dikur kishte muzikantë shumë të mirë dhe me vlerë dhe unë bëja mësim me një mësues që ishte edhe shef i muzikës në atë kohë në estradën e Kukësit, ku fillova të mësoja fizarmonikën.
Në vitin 1975 mbarova shkollën 8 vjeçare dhe konkurova në shkollën e mesme të muzikës “Preng Jakova” në Shkodër. Ishte kënaqësi e madhe që të shkoje në një qytet me shumë tradita, në një qytet me dy kultura, katolike dhe muslimane, me mësues të shkëlqyer në Shkodër si për instrumentat fizarmonikë dhe klarinetë, por dhe mësuesit e kantos apo pianos ishin shumë të njohur. Kanë qenë atëhere vëllezërit e Tish Daisë, vëllai i Çesk Zadesë, Tonin Zadeja që të gjithë kishin një kulturë të jashtëzakonshme.
Mbas mbarimit të shkollës fillova punë në estradën profesioniste si instrumentist pranë Aleksandër Lalos, i cili ishte përgjegjës i muzikës në estradën e Kukësit. Kuptohet që ishte një emocion i veçantë sepse të punosh me një orkestrues fantastik si Aleksandër Lalo ishte një nder shumë i madh dhe një gëzim i veçantë ku unë mësova shumë gjëra.
Pas Aleksandër Lalos në Pallatin e Kulturës erdhi Pandi Bello, që ka drejtuar korin “Lira” si dhe ka qenë drejtues i shkollës së muzikës në Korçë, një shkollë shumë e mirë në Shqipëri. Dy-tre shkolla ishin shumë të njohura, Liceu artistik “Jordan Misja” në Tiranë, në Korçcë “Tefta Tashko Koço” dhe “Preng Jakova” në Shkodër.
CMG: Pra ju pas përfundimit të studimeve patët fatin të punonit me muzikantët më të mirë të asaj periudhe.
Agron Bela gjate nje eventi me kengetarin Shkelzen Jetishi (Foto personale)
Agron Bela: Pas punës time në estradë më caktuan të hapja shkollën e mesme artistike në Kukës, por ishte shumë e vështirë sepse isha shumë i ri. Falë ndihmës që më dha zv.ministri i asaj kohe Anastas Kondo i cili më thirri në zyrë dhe më lehtësoi shumë sepse më dërgoi të merrja instrumenta të rinj dhe unë u gëzova. Bashkë me një mikun tim hapëm shkollën e e mesme artistike në Kukës.
Në vitin 1987 shkova në Gjirokastër ku u martova me gjirokastrite dhe u largova nga Kukësi. Edhe atje punova bashkë me Roland Çenkon, një nga muzikantët më të mirë të Gjirokastrës, i cili pas shumë vitesh erdhi pedagog në Institutin e Arteve. Në Gjirokastër unë u mora me korin dhe fëmijët dhe kam punuar në shkollën e mesme artistike si dhe në pallatin e kulturës ku bashkëpunoja me këngëtarë të njohur si Petrit Lulo, Eftimi Llambro dhe këngëtarë të tjerë amatorë. Gjithashtu punoja dhe me përgjegjësin e muzikës të estradës së Gjirokastrës Jorgo Roze, një klarinetist shumë i mirë.
Agron Bela gjate nje performance ne televizionin gerk (Foto personale)
CMG: Kontributi juaj në fushën e mzuikës ka qenë dhe në fushën e mësimëdhënies. Besoj se instrumentin dhe mësimëdhënien nuk i ndani nga njëra-tjetra?
Agron Bela: Nuk ka gjë më të bukur kur shkon një mësues para fëmijëve të cilët janë të pastër dhe mblidhen të përqafojnë e shikojnë instrumentin. Unë kam dhënë lëndën e muzikës në disa prej shkollave 9 vjeçare në Gjirokastër. Gjithashtu edhe në shkollën e mesme artistike kam dhënë fizarmonikën si instrument. Në Gjirokastër kam bërë aktivitete të ndryshme nëpër ndërmarrje me koret punëtore, pra kudo që të veje do të krijoje kore, jo si sot që këndojnë playback. Atëhere ishte punë e vështirë që të nxirrje 50 veta në koncert dhe ishte një mrekulli.
CMG: Ndërkohë në vitin 1992 ju u larguat si emigrant në Greqi, ku jeni marrë me muzikë. Si erdhi ky vendim për t’u larguar nga Gjirokastra dhe si u përshtatët me muzikën në shtetin gerk?
Agron Bela me kengetaren e famshme greke Marinela (Foto personale)
Agron Bela: Nga pasiguria që u krijua në vitin 1992, ku njerëzit nuk dinin se çfarë të bënin, u hapën kufijtë dhe kufiri grek ishte më e mira e mundshme. Ne luanim me orkestrën e turizmit dhe vjen një i moshuar nga Athina për të kërkuar trupin e pajetë të vëllait të tij që në kohën e luftës. Ai na shikoi ne në turizëm dhe i bëri përshtypje sepse loznim edhe këngë greke. Na pyeti se si pagoheshim dhe qeshte me shumën qesharake që i treguam, kështu që na tha të shkonim në Athinë. Morëm vizën dhe kur shkuam në Athinë ishte një mrekulli sepse kishim mbështetjen e tij. Ai na në shtëpi dhe më tha që të luaja në fizarmonikë në trenin elektrik. Unë me habi i thashë se si do të futem në tren, por ai më tha se kështu do të njihesha si muzikant.
Kështu i bija fizarmonikës në trenin elektrik, por nuk u ndjeva mirë. Mirëpo bëra punë të madhe sepse i bija instrumentit dhe shumë njerëz filluan të më jepnin kontaktet, duke më thënë që unë nuk isha për t’i rënë fizarmonikës në tren. Shkova tek një tavernë që e kisha afër shtëpisë dhe atje filluan të vinin njerëz ku u bëra i njohur. Në udhëtimin e parë më thirrën në koncert një grup me gjashtë këngëtarë dhe tetë orkestrantë dhe u nisëm për në Selanik. Aty u bëra i njohur, u bëra anëtar i Shoqatës Muzikore të Republikës së Greqisë dhe fillova të ndjehesha mirë sepse filluan këngëtarët e njohur të më merrnin. Gjëja më e bukur ka qenë që unë bashkëpunova me Marinelën.
CMG: Si ka qenë si eksperiencë bashkëpunimi me orkestrën e këngëtares së famshme greke Marinela?
Agron Bela: Mua më mori në telefon dirigjenti i saj shumë i njohur, i cili ka studiuar për pianist në Austri. Ai më tha se do të bashkëpunoja me Marinelën dhe vetë u ul në piano kurse unë me fizarmonikë. Sa më dëgjoi që luajta muzikë, më tha që të shkonim të shtëpia e Marinelës. Kur e takova Marinelën, pashë që ajo ishte një grua fantastike dhe e dashur, sikur kishe 30 vite që njiheshim. Unë mora fizarmonikën dhe i rashë, ndërsa Marinela më pëlqeu dhe menjëherë më dhanë partituarat dhe që aty kemi shëtitur në shumë vende me Marinelën.
Agron Bela me kengetaren Irini Qirjako (Foto personale)
CMG: Gjatë kohës që keni qëndruar në Greqi keni marrë pjesë si instrumentist edhe në shumë evenimente të rëndësishme ku keni performuar përpara personaliteteve të larta shtetërore të Greqisë. Si jeni ndjerë me këto vlerësime në shtetin gerk?
Agron Bela: Më thërritën që të pregatisja një kor të vogël tek kryeministri grek dhe kori ishte i UNESCO-s së Greqisë për fëmijët. Pra më morën nga shoqata muzikore duke më thënë se kishin menduar që unë të bëja koncertin. Kështu që i mora ata fëmijë të mrekullueshëm dhe me gjithë dëshirën e madhe i mësuam këngët që kishim dhe shkuam pëprara kryeministrit të atëhershëm të Greqisë, Jorgo Papandreu i cili ishte një njeri i dashur.
Pas koncertit kryeministri më dhuroi një timon anije dhe një spirancë, madje më njohu dhe me bashkëshorten e tij dhe fëmijët. Kur i tregova që kam ardhur nga Gjirokastra, ai i tha grupit që Thanasin e paskemi nga Gjirokastra. Ishte nder i madh të shkoje në kryeministri, ku nuk kishte shkuar ndonjë shqiptar të lunate muzikë, pra ishte një emocion i veçantë për mua.
Kam bërë koncertet në teatrot e mëdha të disa vendeve ku kam qenë me këngëtarë të ndryshëm grekë dhe bullgarë. Unë kam punuar me këngëtaren më të madhe të Bullgarisë Stefka Sabotinon, e cila ishte këngëtare e Ansamblit të shtetit në Bullgari dhe ka luajtur hitin më të famshëm bullgar. Mirëpo kur ndërron eksperiencë, nga këngëtarët shqiptarë dhe kalon tek të huajt duket sikur merr një lloj personaliteti dhe një vlersim të vërtetë.
CMG: Keni shoqëruar me fizarmonikë shumë këngëtarë të muzikës popullore shqiptare nëpër koncerte të ndryshme. Si jeni ndjerë përkrah këtyre artistëve të njohur?
Agron Bela: Kam marrë pjesë në festivalin “Traffic Ballkan” në Bruksel me grupin Lunxhëria dhe këngëtaren Irini Qirjako, ndërsa me këngëtarin nga Kosova Shkëlzen Jetishi në festa familjare. Xeni mua më pëlqen shumë si këngëtar, por edhe orkestrën e ka shumë të mirë. Në orkestrën e tij gjen edhe fizarmonikën, klarinetën, kurse orkestrat tona janë katandisur shumë keq me një organo dhe një klarinetë mbas viteve 90-të.
CMG: Si një profesionist i muzikës, cili është mendimi juaj për muzikën shqiptare kohët e sotme?
Agron Bela ne interviste per CMG
Agron Bela: Të them të drejtën ka humbur tradita ku motivi i folklorit shqiptar është degraduar fare, orkestrat kanë humbur sepse dikur kishim 20 deri në 50 veta në orkestër. Mua më rastisi të isha në një koncert të Mikis Theodhoraqisit, një nga kompozitorët më të shkëqyer që ka pasur Greqia dhe pas koncertit e takova dhe I thashë se jam nga Gjirokastra dhe do jetë nder i madh të më vendosësh një firmë në partiturë. Ai pasi më përqafoi më tha se në Shqipëri i kishte bërë përshtypje që çdo qytet kishte orkestër sinfonike. Imagjinoni kur të vlerëson një muzikant i tillë që ka ardhur në Shqipëri dhe e ka parë me sytë e tij.
Prandaj them se kanë humbur disa gjëra dhe nuk kuptohet se çfarë muzike luajnë. Nuk mund të quhet arti i vërtetë kur nuk mbështetesh në taban. Në një bisedë me Marinelën më tha se ajo kishte debulesë për këngëtaren Vaçe Zela dhe më tregoi se kur kishte shkuar Vaçe Zela në koncert me ansamblin shqiptar në Greqi, ajo kishte shkuar në koncert për të dëgjuar këngëtarn e madhe Vaçe Zela. Mua mu bë zemra mal kur fliste kështu për artisten tonë.
CMG: Falë pasionit tuaj për muzikën e vërtetë shqiptare po e përcillni atë edhe tek brezi i ri sepse vazhdoni të mësoni fëmijët.
Agron Bela: Nuk ka gjë më të mrekullueshme që të merresh me muzikën origjinale të vendit tënd dhe kjo është mrekullia më e madhe për muzikantin e mirëfilltë. Nëse ti luan muzikën tënde do të respektohesh kudo që të shkosh.
CMG: Faleminderit për këtë intervistë dhe ju uroj shëndet e suksese.
Agron Bela: Unë ju falenderoj nga zemra për këtë që bëni, duke respektuar vlerat artistike dhe artistët tanë kombëtarë. Faleminderit shumë për ftesën.
Intervistoi: Gazmend Agaj