Eni Haxholli ka mbaruar studimet në Universitetin e Arteve në Tiranë për instrumentin e flautit. Ai ka shoqëruar me flautin e tij së bashku me muzikantë të shquar europianë, por dhe me orkestra nën drejtimin e dirigjentëve shqiptarë Petrika Afezolli dhe Alqi Lepuri. Eni ka interpretuar vepra muzikore për flaut solo në skena të ndryshme kulturore në Tiranë, duke bashkëpunuar me artistë të njohur në regjistrime të albumeve të ndryshme. Ai ka tre vjet qё jep leksione të flautit online për studentë nga vende tё ndryshme të botës. Kohët e fundit flautist është vendosur në Bullgari ku vijon rrugëtimin e tij muzikor. Në një intervistë për Radio Ejani Eni tregon për pasionin për flautin dhe muzikën në përgjithësi si dhe aktivitetet që ka zhvilluar gjatë karrierës së tij.
CMG: Si ju lindi pasioni për instrumentat dhe për të vijuar rrugëtimin me muzikën?
Eni Haxholli: Gjithçka nisi nga mamaja ime, ishte iniciativa e saj që ne të vazhdonim këtë karrierë artistike. Motra ime është pianiste dhe pedagoge në Liceun artistik “Jordan Misja”, gjithashtu dhe mamaja ime është pedagoge. Kështu nisi gjithçka, ku u njoha me instrumentin e flautit që për mua ishte diçka që nuk e kisha idenë se çfarë ishte ky instrument dhe më vonë lindi dhe u zhvillua ky pasion.
CMG: Pra ju e keni të trashëguar muzkën nga familja juaj?
Eni Haxholli: Në shtëpinë time vlonte studimi për instrumentat dhe muzika ishte pjesë e jona.
CMG: Pse zgjodhët flautin dhe çfarë ju tërhoqi më shumë nga ky instrument?
Eni Haxholli: Kjo nuk ishte zgjidhja ime, por ishte mamaja që më orientoi te ky instrument =. Pastaj lindi dhe u zhvillua ky pasion për këtë instrument, sot nëse do ta ktheja kokën pas nuk do ta ndërroja këtë instrument sepse më pëlqen dhe tani është diçka e pandashme për jetën time.
CMG: Keni studiuar në shkollën e muzikës në Durrës dhe më pas në Akademinë e Arteve, duke i kushtuar shumë vite studimi këtij instrumenti.
Eni Haxholli: Eshtë një kohë relativisht e gjatë që kam investuar orë të tëra studimi në Liceun artistik në Durrës dhe në Akademinë e Arteve gjithashtu, më pas me masterclase të ndryshme me flautistë të njohur ndërkombëtarë.
CMG: Në serinë e aktiviteteve tuaja muzikore keni mbajtur koncerte me dirigjentë të njohur në Shqipëri dhe jashtë vendit. Cilat aktivitete do të rendisnit nga ato të zhvilluara në Shqipëri?
Eni Haxholli: Këtu në Shqipëri do të përmendja dirigjentë të njohur si Petrika Afezolli, Alqi Lepuri, pastaj me orkestrën rinore shqiptare dikur ku kemi pasur bashkëpunime me orkestrës rinore italiane. Vlen të përmend dirigjentët Guido Corti, Claudio Ceccato, Gianpaolo Preto që janë emra shumë të njohur në arenën ndërkombëtare dhe në Itali gjithashtu.
CMG: Si arritët që karrierën tuaj ta fokusoni dhe përtej kufijve, në disa prej vendeve ku ju keni qenë pjesë e orkestrave të ndryshme?
Eni Haxholli: Gjithçka nisi me një aplikim online ku ishte një vend i lirë për flaut dhe unë vendosa që të nis punërat e mia, ku një ditë më pas mora aprovimin që do të jem pjesë e këtij formati orkestral. Unë kam zhvilluar koncerte në Belgjikë, Gjermnai, Itali, Bullgari, Rumani dhe shumë vende të tjera.
CMG: Cili ishte ndryshimi që gjetët midis orkestrave ku ju keni luajtur në botë dhe orkestrës shqiptare?
Eni Haxholli: Orkestrat janë të niveleve të ndryshme dhe vlen gjithmonë të përmendet projekti dhe serioziteti që vihet në punë për të zhvilluar shfaqjet. Kjo është gjithçka që bën të mundur që një shfaqje të jetë e suksesshme. Nuk është e rëndësishme se është në Shqipëri ose është në një vend tjetër, por është sensi i përkushtimit që kanë të gjithë pjesëtarët për ta bërë të mundur që shfaqja të ketë suksesin e duhur tek publiku.
CMG: Sa i rëndësishëm është publiku për një artist që performon në skenë?
Eni Haxholli: Publiku është më i rëndësishmi. Në momentin që publiku është i kënaqur atëhere misioni është i kryer. Muzika shërben për të shprehur veten dhe gjithçka që fjalët nuk mund ta thonë dhe publiku duhet të marri kënaqësinë e duhur.
CMG: Pse zgjodhët Bullgarinë për vijimësinë e karrierës suaj dhe si e shikoni të ardhmen tuaj në lidhje me muzikën në këtë vend?
Eni Haxholli: Unë për momentin ndodhem në Bullgari, por nuk mund të them që do të jetë gjithçka e lidhur vetëm me këtë vend sepse jam i hapur edhe drejt vendeve të tjera. Jam pritur mirë ku kam patur mbështetjen e duhur dhe mendoj që të jap maksimumin tim këtu ku jam momentalisht.
CMG: Ju përveç se instrumentist jeni i agazhuar dhe në fushën e mësimdhënies ku jepni leksione muzike.
Eni Haxholli: Mësimdhënia është diçka shumë sfiduese sepse duhet të japim nga njohuritë tona që kemi marrë nga pedagogët tanë, por njëkohësisht duhet të shërbejmë që këtë dije ta delegojmë dhe tek brezat e rinj sepse është një përgjegjësi e jona.
CMG: Sa të interesuar janë të rinjtë sot për të studiuar qoftë për një instrument të caktuar apo muzikë në përgjithësi?
Eni Haxholli: Interesat janë shumë personale, por në momentin që ne diçka jua servirim në mënyrën e duhur patjetër që ka përqafim dhe nga brezat e rinj.
CMG: Ju jepni edhe kurse muzike online me studentë të huaj. Nga cilat vende janë këta studentë dhe si ju lindi ideja për të dhënë mësim online?
Eni Haxholli: Gjithçka nisi në kohën e pandemisë ku ne u mbyllëm dhe më erdhi një ide që të krijoja një profil timin. Studentët janë nga vende të ndryshme si SHBA, Kina, Kanadaja, Zelanda e Re, Australia dhe Mbretëria e Bashkuar, pra janë të kombësive të ndrysme.
CMG: Si ka qenë eksperienca juaj me studentët kinezë?
Eni Haxholli: Studentët kinezë janë shumë të përkushtuar dhe kam pasur në këto tre vite studentë të grupmoshave të ndryshme të cilët kanë përgjegjësi. Ky instrument mësohet thjesht për pasion, dhe kjo është diçka që mua më shtyn të kem një dedikim për të gjithë studentët që të marrin maksimumin e dijeve të mia dhe të bëjnë maksimumin e tyre për t’u zhvilluar.
CMG: Në karrierën artistike ju keni kompozuar si dhe keni shkruar tekste këngësh. Pra përveç muzikës një pasion tjetër është dhe letërsia?
Eni Haxholli: Poezia është nga format e letërsisë që mua më inspiron shumë. Kam kompozuar këngë për fëmijë dhe më vonë unë mund të thellohem më tepër. Ndjej diçka që mund ta komunikoj me shumë artistë të ndryshëm, ndërsa bashkëpunimet e mia me letërsinë dhe shkrimet do të vijojë sepse është diçka që mua më lidh shumë.
CMG: Të studiosh për një instrument duhet të kesh dhe njohuri të përgjithshme për muzikën në përgjithësi?
Eni Haxholli: Kultura mbi të gjitha është shumë e rëndësishme për të gjithë muzikantët dhe artistët sepse duhet të njihen me format e tjera të artit, me pikturën, skulpturën si dhe me historitë e filmave. Pra ëshë diçka që muzikantët gjatë gjithë kohës i shtyn drejt diçkaje më profesionale.
CMG: Cili është mendimi juaj për nivelin e mësimdhënies në fushën e muzikës në Shqipëri?
Eni Haxholli: Unë doja t’i vlerësoja për atë që kanë dhënë dhe duhet të jemi mirënjohës për të gjithë ata që bënë të mundur të japin njohuritë e tyre dhe të fokusohen për zhvillimin e brezave të rinj sepse është shumë e rëdësishme që në Shqipëri të këtë prurje dhe brezi i ri të rikthehet tek muzika dhe sidomos tek muzika klasike.
CMG: Gjatë qëndrimit tuaj në Bullgari përveç punës së përditshme çfarë ju pëlqen tjetër nga ky vend?
Eni Haxholli: Ka një vlerësim për muzikën klasike dhe kjo është diçka që unë doja të ishte më e përhapur në Shqipëri, që dhe të rinjtë të kishin mundësi dhe të punësoheshin si muzikantë, por dhe publiku të kishte mundësi të njihej akoma dhe më shumë.
CMG: Jeni i kënaqur me arritjet tuaja profesionale të deritanishme?
Eni Haxholli: Do thoja që për ne është gjithmonë një proçes që nuk mbaron kurrë. Nuk di të them që jam i kënaqur me veten time, por di të them që po punoj që maksimumin tim ta shpreh në çdo shfaqje.
CMG: Përveç muzikës keni të jera pasione në jetë?
Eni Haxholli: Më pëlqen hiking, të ngjitem maleve është diçka që hulumtoj dhe më inspiron. Natyra më inspiron, deti gjithashtu si një person që vjen nga një qytet bregdetar i Durrësit, dhe kjo është që unë më vonë me natyrën do të doja më shumë eksplorime të vendeve të veçanta.
CMG: Cilat janë projektet tuaja artistike në të ardhmen?
Eni Haxholli: Do të doja shumë që në të ardhmen të kem disa koncerte të miat personale si solist me orkestra këtu në Shqipëri. Gjithashtu të zhvilloj disa masterclase me studentë të flautit këtu dhe në Kosovë. Do doja që të isha bashkë me një projekt timin për muzikën klasike si festival në Shqipëri.
CMG: Një mesazh për të rinjtë që duan të ndjekin rrugën e muzikës.
Eni Haxholli: Të punojnë, të përkushtohen, të njohin format e tjera të artit, të jenë të pranishëm në shfaqje sepse do të rriten shumë nga pjesëmarrja e tyre gjatë teatrove dhe koncerteve të orkestrës sonfonike në Shqipëri dhe të provojnë sepse ne kemi breza shumë të talentuar. Duhet punë dhe vetëbesim sepse çdo gjë është e mundur.