Bursat evropiane rriten pas lajmeve për forcimin e ekonomisë kineze
2023-04-20 14:34:00

Foto nga VCG

Bursat kryesore të Evropës u hapën më lart të martën, pas lajmeve se ekonomia e Kinës tejkaloi pritshmëritë në tremujorin e parë të këtij viti, bën të ditur “Xinhua”.

Zyra Kombëtare e Statistikave të Kinës (NBS) njoftoi të martën se ekonomia e vendit u rrit me 4.5 për qind në baza vjetore në tremujorin e parë të vitit. Krahasuar me tre muajt e fundit të 2022-shit, ekonomia u rrit me 2.2 për qind.

“Ekonomia kombëtare e Kinës bëri një fillim të mirë këtë vit dhe pritshmëria e tregut pa një përmirësim të ndjeshëm”,- tha zëdhënësi i NBS-së, Fu Linghui, në një konferencë për shtyp.

Lajmi për ecurinë ekonomike të Kinës dha një nxitje për tregjet evropiane, pasi investitorët spekuluan se nga performanca e ekonomisë së dytë më të madhe në botë do të përfitonte tregtia globale.


Lexoni më shumë>>>



Rritja e tregjeve të aksioneve u pa si një zhvillim pozitiv për tregjet që janë goditur nga inflacioni i lartë i shkaktuar nga konflikti Rusi-Ukrainë, shqetësimet për sektorin financiar pas dështimit të dy bankave rajonale në Shtetet e Bashkuara dhe ngadalësimi tregtisë ndërkombëtare.

“Pa dyshim, një lajm i mirë nga ekonomia kineze është një lajm i mirë për ekonomitë e tjera”,- tha Javier Noriega, kryeekonomist i Bankës së Investimeve me qendër në Milano “Hildebrandt dhe Ferrar”, në një intervistë për “Xinhua”. “Ekonomia e Kinës ka dalë nga bllokimet e koronavirusit dhe duket se po kthehet në formën e saj para pandemisë”,- tha ai. (Elona)