Vizitat e Macron dhe von der Leyen në Kinë, objektivat dhe pritshmëritë
2023-04-14 11:10:12

Vizitat në Kinë nga liderët e Francës dhe Bashkimit Evropian pritet të sjellin mundësi të reja për të rifilluar dhe nxitur bashkëpunimin në më shumë sektorë në epokën pas pandemisë, si dhe të ngushtojnë dallimet e tyre, duke rigjallëruar unitetin për zgjidhjen paqësore të  çështjeve të nxehta globale. Këto vizita i komenton në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës kryeredaktorja e portalit online Argumentum.al, Marjana Doda.

Vizitat e Macron dhe von der Leyen në Kinë, objektivat dhe pritshmëritë

Nga fundi i vitit të kaluar, pas pandemisë Covid 19 është vërejtur një fluks vizitash të liderëve evropianë në Kinë. Vizitat nisën me kancelarin gjerman Olaf Scholz për të vijuar me kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez dhe javën e kaluar presidenti francez Macron dhe kryetarja e KE-së Ursula von der Leyen

Flamujt Kinë-BE (Foto VCG)

Flamujt Kinë-BE (Foto VCG)

Vizitat në Kinë nga liderët e Francës dhe Bashkimit Evropian pritet të sjellin mundësi të reja për të rifilluar dhe nxitur bashkëpunimin në më shumë sektorë në epokën pas pandemisë, si dhe të ngushtojnë dallimet e tyre duke rigjallëruar unitetin për zgjidhjen paqësore të  çështjeve të nxehta globale. Këto vizita i komenton në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës kryeredaktorja e portalit online Argumentum.al, Marjana Doda.

CMG: Ka ndonjë domethënie fluksi i vizitave të krerëve të shteteve europiane Gjermani, Spanjë dhe tani Francë e KE në Kinë, në një periudhë pas pandemike?

Marjana Doda: Kjo tregon së pari se Kina nuk është më vetëm një fuqi ekonomike, por ka një rol të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare në aspektin gjeopolitik. Një fakt që as nuk mund të injorohet e as të neglizhohet. Olaf Scholz është i pari lider evropian që vizitoi Kinën pas Kongresit të 20-të të PKK-së. Kjo ishte gjithashtu vizita e tij të parë pas ardhjes në fuqi si kancelar gjerman.

Sigurisht këto vizita marrin një rëndësi më të madhe tashmë ku prej një viti situata gjeopolitke është e trazuar dhe ku retorika e luftës dhe konflikteve të ashpra janë prezente më shumë se kurrë në krye të agjendës ndërkombëtare.

Vijon më pas një muaj shumë i rëndësishëm diplomatik ndërmjet Kinës dhe Europës.

Vizita e kryeministrit spanjoll Sanchez në Kinë, pavarësisht se erdhi në 50 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve në agjendën kryesore pati ngjarjet ndërkombëtare.

Marjana Doda në intervistë për CMG

Marjana Doda në intervistë për CMG

Këto vizita tregojnë qasjen e rëndësishme të Europës ndaj Kinës jo vetëm në aspektin ekonomik, por dhe në atë gjeopolitik. Ne e kemi parë dhe e kemi pranuar Kinën sa i përket zhvillimit të saj ekonomik, si një lider në gjeopolitikën botërore. Ky fakt po pranohet tashmë dhe nga vendet e tjera dhe kryesisht nga Bashkimi Europian.

Eshtë një moment ky kyç sepse Kina ka ardhur me një vizion të ri në qasjen e saj në politikën e jashtme

Sikundër vetë Kina e ka theksuar shpesh herë rëndësinë e një bote shumëpolare, besoj se këto vende e përkrahin këtë ide dhe se Kina mund të luajë një rol të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare. Kina e dëshmoi muajin e kaluar se është gati të luajë një rol të rëndësishëm në rajon dhe më gjerë, ku ne pamë që dy shtete si Arabia Saudite dhe Irani rivendosën marrëdhëniet diplomatike falë ndërmjetësimit të Kinës.

CMG: Vizita e presidentit francez Macron në Pekin duket se ka qenë e suksesshme, gjë që është bërë publike dhe nga vetë ai. Kreu francez i shtetit shoqërohej nga një delegacion prej 60 figurash të njohura nga qarqet politike, të biznesit dhe kulturore të Francës. Të dy palët publikuan një deklaratë të përbashkët, duke mbuluar të gjitha aspektet e forcimit të dialogut politik, promovimin e përbashkët të sigurisë dhe stabilitetit botëror, të shkëmbimeve ekonomike, rifillimin e marrëdhënieve kulturore, përgjigjen e përbashkët ndaj sfidave globale etj. Si e komentoni vizitën e presidentit Macron në Kinë?

Presidenti Macron në Kinë (Foto VCG)

Presidenti Macron në Kinë (Foto VCG)

Marjana Doda: Pa diskutim një vizitë e sukseshme. Kjo jo vetëm në raportin Francë-Kinë, në raport të ngushtë të drejtpërdrejtë ekonomiko-politik, por mbi të gjitha në raportin Francë-Kinë përballë sfidave gjeopolitike.

CMG: Të dy vendet kanë një marrëdhënie të konsoliduar sepse vitin e ardhshëm do të shënohet 60 vjetori i këtyre marrëdhënieve.

Marjana Doda: Vizita e Macron në Kinë me një delegacion prej 60 figurash të njohura në aspektin politik, kulturor dhe ekonomik, tregon së pari rëndësinë e bashkëpunimit afatgjatë, ku synohet nxitja e shkëmbimeve ekonomike e kulturore.

Sikundër u shprehën vetë liderët, Macron dhe Xi Jinping, Kina dhe Franca, janë të vendosur për një botë shumëpolare dhe për një rol më të madh në marrëdhëniet ndërkombëtare, për një partneritet strategjik gjithëpërfshirës ku të praktikojnë multilateralizëm të vërtetë për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin global.

Presidenti Xi theksoi se Kina dhe Evropa janë dy forca kryesore, tregje të mëdha dhe qytetërime të mëdha në botë. Marrëdhëniet Kinë-Evropë ndikojnë në mirëqenien e të dyja palëve dhe stabilitetin dhe prosperitetin e botës në përgjithësi. Kina do ta mbajë politikën e saj për Evropën të qëndrueshme në një afat të gjatë, do të vazhdojë ta shohë Evropën si një forcë të pavarur në një botë shumëpolare dhe do të qëndrojë e përkushtuar ndaj një Kinë-Evropë.

Përtej kortezive që përfshihen në një vizitë zyrtare të një niveli të lartë, ajo çfare e bën të suksesshme  këtë vizitë është se presidentët Macron dhe Xi Jinping përfaqësojnë dy vizione, të cilat në këndvështrimin tim kanë gjetur një pikë të përbashkët gjatë kësaj vizite, madje ajo hodhi dhe hapin e parë të bashkëpunimit ndërmjet Kinës dhe Francës për përmbushjen e këtyre vizioneve.

Vizioni i Xi Jinping  “Komuniteti me fate të përbashkëta për njerëzimin” si një zotim për rolin e saj në botë, një rend ndërkombëtar më të drejtë dhe më gjithëpërfshirës. 

Po ashtu, Kina kohët e fundit ka avancuar tre dokumente mbi Iniciativën e Zhvillimit Global, Iniciativën e Sigurisë Globale dhe Iniciativën e Qytetërimit Global si alternativa publike për të promovuar modernizimin botëror dhe përparimin e qytetërimit njerëzor. Këto iniciativa formojnë themelin e vizionit të Kinës për të ardhmen.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka shpalosur vizionin e tij për të ardhmen e Bashkimit Europian. Macron ka bërë thirrje për krijimin e një forcë të përbashkët ushtarake dhe politikave të përgjithshme sa i përket mbrojtjes dhe luftës kundër terrorizmit. Presidenti francez ka ftuar gjithë liderët e Bashkimit Europian të bashkëpunojnë me të në reformimin e bllokut.

Takimi trepalësh Xi, Macron, Von der Leyen (Foto Xinhua)

Takimi trepalësh Xi, Macron, Von der Leyen (Foto Xinhua)

Presidenti francez ka guxuar duke folur për të vërteta të mëdha   duke filluar që  nga reformimi i BE-së dhe deri tek   “vdekja e trurit të NATO-s”, që përkthehet për një rivitalizim të kësaj organizate, të pakten kështu la të nënkuptoje Macron.

Ndërsa gjatë vitit të kaluar me kryesimin gjashtëmujor të Presidencës së Bashkimit Evropian, Franca prezantoi dhe “Komunitetin politik europian”. Një organizatë e re europiane që do të lejonte vendet demokratike që ndajnë vlera, të gjejnë një hapësirë të re bashkëpunimi në fusha të ndryshme”.

Pra Macron eshte konsistent me aksionet e tij politike, që do të thotë se ekziston një frymë e nevojshme ndryshimi. Pra një erë e re në gjeopolitikën tonë si në kontinentin europian dhe në kontinentin aziatik, ku tashmë vizioni i Xi Jinping për një botë shumëpolare po materializohet falë dhe këtyre vizitave nga krerët europianë, të cilët tani janë gjithë sy e veshë nga Kina.

Kur flasim për vizione ka nevojë për bashkëpunimin dhe të liderëve të tjerë europianë, por në vizitën e Macron në Pekin kam parë që tashmë ata hodhën hapin e pare të përbashkët për të krijuar një bashkëpunim të ri. Të dy palët kanë rënë dakord jo vetëm për një ecuri në marrëdhëniet dypalëshe, por mbi të gjitha për ta çuar këtë partneritet strategjik në një nivel të ri.

CMG: Në të njejtët  ditë me presidentin Macron vizitoi Pekinin zyrtar dhe presidentja e Këshillit të Europës Ursula von der Leyen. Ky vit shënon 20 vjetorin e krijimit të partneritetit gjithëpërfshirës strategjik Kinë-BE, por marrëdhëniet Kinë-BE që nga viti 2021 kanë qenë të ftohta. Pas takimit me kreun kinez të shtetit Xi, shefja e KE-së u shpreh pro rifillimit të dialogut ekonomik BE-Kinë. Ndërsa presidenti Xi tha se Kina dhe BE duhet të krijojnë mirëkuptim “korrekt” të ndërsjellë dhe të shmangin keqkuptimet dhe gjykimet e gabuara.

Marjana Doda: Nëse do të ndalemi te takimi trepalësh midis presidentit kinez Xi, homologut francez Macron dhe shefes së KE-së do ta cilësoja me togfjalëshin: dialog, partneritet dhe pragmatizëm. Kina dhe BE-ja janë dy tregje të mëdha, por dhe qytetërime të mëdha dhe bashkëpunimi i tyre ngrihet në një nivel tjetër ekonomik, por dhe gjeopolitik si dhe ka një ndikim dhe rëndësi globale.

Vizita e presidentes së KE-së von der Leyen  në Kinë ishte dhe një mundësi për të adresuar marrëdhëniet ekonomike, politike dypalëshe por dhe për të siguruar një bashkëpunim edhe më të hapur përballë sfidave globale me të cilat përballemi sot, siç janë çeshtjet e klimës, por dhe konflikti Rusi-Ukrainë.

Duke qenë se jemi në një vit jubilar që shënon 20 vjetorin e krijimit të partneritetit gjithëpërfshirës strategjik Kinë-BE, kjo vizitë e presidentes së Këshillit të Europës është dhe një sinjal për një ristart të marrëdhënieve ekonomike dhe bashkëpunimi të mëtejshëm Kine-BE

Kina mbështet integrimin evropian dhe autonominë strategjike dhe mbështet BE-në për të luajtur një rol aktiv në çështjet ndërkombëtare dhe njekohësisht kërkon të njejtën gjë dhe nga BE, që të respektojë qasjen e Kinës në arenën ndërkombëtare.

CMG: Konflikti Rusi-Ukrainë ishte në fokus të bisedimeve midis liderëve Macron dhe Von der Leyen me presidentin dhe kryeministrin kinez. Duke u përballur me shqetësimet e Francës dhe Evropës, Kina propozoi pesë masa specifike, duke përfshirë mbështetjen e palës evropiane për të luajtur një rol në zgjidhjen politike të krizës, duke respektuar rreptësisht ligjin ndërkombëtar humanitar dhe rifillimin e bisedimeve të paqes sa më shpejt të jetë e mundur. Macron dhe Von der Leyen shprehën "gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar me Kinën për të gjetur një mënyrë për të promovuar paqen dhe bisedimet".

A pritet të ndikojnë këto bisedime në përfundimin e krizës në Ukrainë ?

Marjana Doda: Pas propozimit me një plan prej 12 pikësh për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë, Kina kërkon armëpushim dhe negociata për paqen dhe pas vizitës zyrtare të Xi Jinping në Moskë, natyrisht që e gjithë vëmendja është drejt Kinës.

Ndaj me të drejtë të gjitha mediat ndërkombëtare cituan Presidentin francez Emmanuel Macron  ku i kërkoi homologut të tij kinez Xi Jinping të luajë rolin e tij dhe të "sjellë të gjithë rreth tryezës së bisedimeve" për konfliktin Rusi-Ukrainë.

Xinhua

Xinhua

Gjatë takimit të tij dypalësh me presidentin kinez, Macron iu referua një "partneriteti strategjik" midis dy vendeve dhe tha se ka të bëjë gjithashtu me "bisedimin e paqes dhe stabilitetit në botë".

Personalisht mendoj se ky partneritet Kinë-Francë, mund t’i japë fund këtij konflikti që është kthyer në një rrezik serioz për të gjithë për sa kohë përmendet retorika e armëve bërthamore.

Kujtojme se ky konflikt  ndodh në lindje të Europës ndaj dhe vetë BE dhe antarët e saj me të drejtë janë të shqetësuar jo vetëm për përshkallëzimin e saj por dhe për pasjot ekonomike, sociale që shkakton ky konflikt. Nga ana tjetër, një nga palët e këtij konflikti është Rusia shtet fqinj me Kinën dhe domosdo është shqetësuese dhe për Kinën qe fqinji i saj është në këtë diskurs të rrezikshëm lufte.

Përveç kësaj edhe si anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Franca dhe Kina duhet të bashkëpunojnë për të ruajtur një rend ndërkombëtar të aftë për t'u përballur me sfidat aktuale.

Ajo çfarë unë vlerësoj te anagzhimi dhe zotimi i Kinës edhe gjatë vizitës së Macron lidhur me konfliktin Ukrainë-Rusi, është te mbështetja e ligjit ndërkombëtar, organizatave ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara dhe mbi të gjitha te grupet më të margjinalizuara në konflikt siç janë fëmijët, gratë, vajzat, pra mbrojtjen civile, si dhe në aspektin humanitar.

Me rëndësi është se Kina ka kërkuar rreptësisht ndalimin e përdorimit të armëve bërthamore, duke kërkuar premtim solemn për këtë fakt.

Kina është sot aktori kyç që mund të ndërmjetësojë paqen mes Rusisë dhe Ukrainës.

Intervistoi Eda Merepeza