Shënim i redaktorit: Autori Alexander Ayertey Odonkor është konsulent ekonomie, analist financiar i autorizuar dhe ekonomist i autorizuar me një njohje të thellë të peizazhit ekonomik të vendeve të Azisë dhe Afrikës.
Ministri i Jashtëm Kinez Qin Gang dhe Kryetari i Komisionit të Bashkimit Afrikan Moussa Faki Mahamat /Xinhua
Më 11 janar, faza e parë e projektit të ndërtimit me ndihmë nga Kina të selisë së Qendrave Afrikane të Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve (CDC-ja e Afrikës), u përurua zyrtarisht në praninë e ministrit të Jashtëm të Kinës Qin Gang dhe kryetarit të Komisionit të Bashkimit Afrikan (BA) Moussa Faki Mahamat.
CDC-ja e Afrikës, një institucion teknik i specializuar i Bashkimit Afrikan, që synon forcimin e kapacitetit dhe aftësisë të institucioneve të shëndetit publik të Afrikës, ka përfituar jashtëzakonisht nga përkrahja e Kinës. Me mandatin për ta bashkërenduar parandalimin, mbikëqyrjen dhe kontrollin e sëmundjeve në këtë kontinent në partneritet me institutet kombëtare të shëndetit publik dhe ministritë e shëndetësisë të shteteve anëtare të BA-së, një detyrë e vështirë kjo, Kina ka demonstruar shpirtin e përkushtimit të palëkundur ndaj kësaj kauze.
CDC-ja e Afrikës është sigurisht një arritje e qeverisë kineze dhe është vetëm një ndër investimet e shumta të saj. Kina i është përkushtuar forcimit të sistemeve të shëndetit publik të vendeve të kontinentit afrikan. Në fakt, në të mirë e në të keq, Kina ka demonstruar përkushtim të pakrahasueshëm për forcimin e sistemeve të kujdesit shëndetësor në Afrikë.
Kështu, mund të përmendet ndër të tjera që, kur pandemia e COVID-19 shkaktoi krizën ekonomike globale më të madhe në mbi një shekull dhe vendet e pasura po grumbullonin vaksinat, Kina u tregua shembullore, duke ofruar vaksina dhe pajisje mbrojtëse, duke dërguar profesionistë shëndetësorë për të përkrahur përpjekjet e punonjësve shëndetësorë vendorë dhe duke ndërtuar infrastrukturën për të forcuar sistemet shëndetësore publike të Afrikës, një përpjekje në kohë që shpëtoi jetë njerëzore dhe mjete jetese në Afrikë.
Për shembull, kompleksi i ruajtjes së vaksinave plotësisht i automatizuar dhe frigoriferik me ndihmë nga Kina, me një kapacitet prej 150 milionë doza vaksinash në vit, i cili u vu në përdorim në shtatorin e vitit 2022 në Egjipt, është një nxitje kryesore për këtë vend dhe zinxhirin e përgjithshëm furnizues të vaksinave në Afrikë, një moment tjetër historik në bashkëpunimin e shëndetit publik Kinë-Afrikë.
Anëtarët e ekipit mjekësor kinez prezantojnë një grup ilaçesh të ofruara në Qendrën Shëndetësore të Ngat-Bane-së për Dieudonne Zang Mba Obele, kryetar bashkie të Mbalmayos në Ngat-Bane, Kamerun, 20 gusht 2022./Xinhua
Qysh nga viti 1963, mbi 22 000 profesionistë shëndetësorë kinezë janë dërguar në Afrikë për të përkrahur programet vendore, që kanë favorizuar afro 220 milionë pacientë në këtë kontinent. Kina u është përgjigjur vazhdimisht nevojave shëndetësore publike të vendeve afrikane, duke përfshirë financimin e mbi 130 spitaleve e klinikave nga viti 2000 deri më 2020, duke kontribuuar në mënyrë të konsiderueshme në përpjekjet për të zhdukur hendekun e infrastrukturës së sektorit shëndetësor, por vlen të përmendet që kontributi i Kinës nuk është kufizuar vetëm në këto arritje.
Duhet pasur parasysh se Afrika ka barrën më të madhe të sëmundjeve ndër të gjitha kontinentet (për popullsi) dhe numrin e përqindjen më të ulët të profesionistëve shëndetësorë për banorë. Ky kontinent mban 24 % të barrës së sëmundjeve të botës, por ka vetëm afro 3 % të profesionistëve mjekësorë globalë, dhe shumica e popullsisë së kontinentit banon në zonat rurale.
Kina, në mbi 20 vjetët e kaluar, i ka dhënë përparësi zhvillimit të infrastrukturës së teknologjisë së informacionit dhe komunikacionit për të përmirësuar sistemet shëndetësore publike të rajonit. Gjatë kësaj periudhe, Kina ka investuar më shumë se çdo vend tjetër në zhvillimin e infrastrukturës së teknologjisë së informacionit dhe komunikacionit në Afrikë.
Xinhua
Sipas të dhënave nga Konsorciumi i Infrastrukturës i Afrikës, investimet kineze në infrastrukturën e teknologjisë së informacionit dhe komunikacionit të këtij kontinenti i kaluan 1 miliard dollarët për herë të parë në vitin 2015. Ky është një investim i madh dhe i qëndrueshëm për zhvillimin e infrastrukturës së teknologjisë së informacionit dhe komunikacionit ndër vite, që përbën aktualisht themelet e shëndetit digjital të rajonit dhe një zgjidhje të qëndrueshme për sfidat e rrënjosura thellë të shëndetit publik.
Shëndeti digjital mund t'i bëjë sistemet e shëndetit publik më efikase e të qëndrueshme dhe të sigurojë që ato të ofrojnë shërbime mjekësore me cilësi të mirë, të përballueshme e të barabarta, çka është thelbësore për realizimin e Objektivave të Zhvillimit të Vazhdueshëm të OKB-së të lidhura me shëndetin.
Me një popullsi në rritje të shpejtë në Afrikë, hartuesit e politikave dhe drejtuesit e ndryshëm në vendet e këtij kontinenti po përballojnë një detyrë shqetësuese, që të ofrojnë shërbime mjekësore me cilësi të mirë, të përballueshme e të barabarta për mbi 2 miliardë njerëz në afro 30 vjetët e ardhëm, një objektiv që s'mund të arrihet pa shtimin e ndjeshëm të investimeve në shëndetësi.
Qeveritë afrikane dhe drejtuesit përkatës mund të trajtojnë në mënyrë efektive sfidat e vështira të shëndetit publik të kontinentit dhe të zgjerojnë mbulimin e përgjithshëm shëndetësor, nëpërmjet promovimit të zbatimit dhe zgjerimit të shëndetit dhe inovacionit digjital, krijimit të partneritetit strategjik me universitetet e huaja e afrikane dhe me institucionet e shërbimeve mjekësore, për të krijuar më shumë profesionistë shëndetësorë për këtë kontinent dhe për të kultivuar kulturën e mirëmbajtjes në institucionet shëndetësore.
Xinhua
Të gjitha këto mund të arrihen nëpërmjet forcimit të bashkëpunimit të shëndetit publik, së bashku me faktorët e tjerë të jashtëm të përfshirë, që demonstrojnë angazhim të vërtetë për të plotësuar nevojat urgjente të shëndetit publik të rajonit.(Xu Guang)