Vetëbesimi në vetvete lidhet me mënyrën se si ne ndihemi për aftësitë tona dhe sa të aftë e shohim veten të bëjmë gjëra të caktuara ose të përballemi me situata të ndryshme. Vetëbesimi krijon një person me iniciativë, krijon një njeri që të jetë i aftë që të luftojë për veten. Në fëmijëri është e vështirë që fëmija të kuptojë këshillat që i jep prindi, të cilat në të ardhmen mund ta ndihmojnë për të krijuar vetëbesimin. E ftuar në Radio Ejani diskuton rreth kësaj teme, Psikoterapiste BVVRT Marsjola Domi.
CMG: Fëmijët që kanë vetëbesim, kjo lind me ta apo krijohet gjatë rritjes?
Marsjola Domi: Sa i përket pyetjes nëse vetëbesimi lind apo krijohet gjatë jetës, unë mendoj se vetëbesimi krijohet gjatë jetës. Duke u rritur, duke u përballur me situata që kërkojnë zgjidhje, që padyshim na vendosin përpara përgjegjësive. Vetëbesimi formohet me vetëbesimin që ne kijojmë gjatë rritjes tek vetja për t'ja dalë ose jo me sukses situatave të caktuara.
CMG: Si mund të krijojë vetëbesimin fëmija apo adoleshenti?
Marsjola Domi: Në krijimin e vetëbesimit tek fëmijët dhe adoleshentët një rol të madh kanë prindërit. Një shprehje e një autori të huaj Matthevv Jacobs, është; "Pas çdo fëmije që beson në vetvete, ka një të rritur që beson tek ai". Kjo do të thotë se, për të krijuar vetëbesimin që është një ndër pikat kryesore të shëndetit mendor tek një fëmijë apo një adoleshent, ata kanë nevojë për prindin, apo më së shumti për nënën e cila ka rolin primar. Vetëbesimi krijohet duke përgëzuar fëmijën për arritjen sa më të vogla, por jo duke u bazuar tek suksesi ose jo i detyrës sepse në rast, nëse kemi një dështim, një humbje, fëmija mund të ketë luhatje të vetëbesimit, pra të vlerësohen përpjekjet që bën fëmija. Fëmijëve u caktohen detyra që të jenë të realizueshme prej tyre, në mënyrë që të kemi mundësi për të arritur sukses. Duke përfshirë fëmijët e vegjël dhe adoleshentët prindi duhet të jetë i vëmendshëm dhe i kujdesshëm që ‘ti mundësojë fëmijës një komunikim të hapur mes tyre, ndjenjë sigurie, mbështetje të pakushtëzuar.
Foto: VCG
CMG: Nëse një adoleshent nuk ka krijuar ende vetëbesim, si mund t’i vijë në ndihmë prindi?
Marsjola Domi: Pavarësisht situatave të ndryshme, prindi duhet që herë pas here të inkurajojë fëmijën për të marë vendim, iniciativë, zgjedhje situatash për të cilat duhet të marrë përgjegjësi, kështu krijon besim tek vetja se ai mundet. Për shembull tek fëmjjët e vegjël prindi duhet t’u japë dy alternativa zgjedhjeje, se çfarë dëshiron fëmija të veshë, kështu fëmija do marrë përgjegjësi për t’u veshur dhe krijon tek vetja se, zgjedhja e tij vlen. Ndërsa për një adoleshent mund të japë 2-3 alternativa se ku dëshiron të shkojë me pushime, kështu adoleshenti beson në zgjedhjen e tij dhe se zgjedhja e tij është e vlefshme. Këto janë disa nga pikat që fëmijët dhe adoleshentët mund të krijojnë vetëbesim. Sigurisht që prindi ka një rol kyç dhe patjetër duhet parë se çfarë ka ndikuar në mungesën e krijimit të vetëbesimit të fëmijës, deri në moshën e adoleshencës, por sërish prindi mund të ndihmojë, duke e lejuar adoleshentin që të krijojë qëllime të vogla dhe jo qëllime jo reale dhe shumë të vështira për t’u arritur sepse ndonjëherë krijimi i ambicjes, vendos qëllime shumë të larta dhe ndonjëherë është e vështirë për t’u realizuar. Kjo gjë ndikon në vetëbesim, nëse fëmija mund t'ja dalë apo jo. Kështu që prindi duhet ta ndihmojë fëmijën të jetë më realist. Nuk duhet të krahasojë arritjet e adoleshentit me të tjerët, kjo është e gabuar edhe pse ndodh shumë shpesh. Prindërit, duke dashur që t’i motivojnë fëmijët, i krahasojnë me motrat e vëllezërit e tyre, me të tjerët që mund t’i njohin dhe kjo gjë ndikon shumë në uljen e veëtbesimit tek fëmija. Ata kanë nevojë madje që të evidentohen sukseset e tyre, që prindi t’i vlerësojë dhe t’i ndajë sukseset e tij me të tjerët. Nuk duhet t’i vënë në lojë, tallje, shaka me iniciativat apo arritjet e adoleshentit, sepse kjo gjë është e gabuar. Sado e vogël mund të jetë një arritje, një synim, duhet të marrë mbështetje nga prindi. Prindi duhet të inkurajojë adoleshentin dhe autonominë e tij, por padyshim në kushte të caktuara. Prindi duhet të jetë mbështetës, të krijojë dashuri, afeksion, prani të pakushtëzuar të fëmijës dhe adoleshentit dhe nuk duhet të mungojë respekti. Respekti për figurën e një individi në rritje, në përpjekje për të krijuar besim tek vetja. Kjo gjë e ndihmon shumë një fëmijë apo adoleshent për të pasur besim tek vetja.
Foto: VCG
CMG: Cila është këshilla juaj si psikoterapiste?
Marsjola Domi: Këshilla ime u drejtohet të gjithë prindërve, në mënyrë që ata të kuptojnë, sa rol të madh kanë në krijimin e vetëbesimit të fëmijëve dhe nëse duan që fëmija i tyre të jetë i suksesshëm,i shëndetshëm, i lumtur, pra duhet të punojnë për të krijuar bësimin tek vetja, tek fëmija i tyre. Nëse ju besoni në fëmijën tuaj, atëherë ai do të besojë në veten e tij.
-E rëndësishme është që prindi të përdorë fjalë të ngrohta, në mënyrë që ta bëjë fëmijën të ndihet krenar për arritjet e tij. Duhet të ndërtoni me fëmijën një marrëdhënie të mirë komunikimi, që në fëmijërinë e hershme dhe deri në adoleshencë, sepse kjo do e ndihmojë atë që të krijojë vetëbesim. Tregojini fëmijës herë pas here se sa shumë e doni, tregojini se jeni krenar për arritjet e tij, tregojini fëmijës se jeni të gatshëm që ti ofroni ndihmë, sa herë që ai ka nevojë. Jepini besim fëmijës tuaj dhe tregojini që edhe kur ata gabojnë, përsëri mund të mësojnë nga gabimet e tyre.
Intervistoi: Sava Lena