Sipas studimeve nga Education Policy Institute dhe The Prince’s Trust u zbulua se shëndeti mendor i adoleshentëve kërcënohet nga përdorimi i madh i rrjeteve sociale. Sipas studimit thuhet se mirëqenia dhe vetëvlerësimi ishin të ngjashme tek të gjithë fëmijët në shkollën fillore. Mirëqënia e djemve dhe e vajzave preket në moshën 14 vjeç, por shëndeti mendor i vajzave goditet më fort. Një në tre vajza ishte e pakënaqur me aspektin fizik në moshën 14 vjeç krahasuar me një në shtatë vajza në fund të shkollës fillore. Numri i të rinjve të prekur, me shumë gjasa, nga sëmundje mendore është rritur në raportin një në gjashtë krahasuar nga një në nëntë të rinj në vitin 2017. Niveli i mirëqenies në të dyja gjinitë zvogëlohet në adoleshencë, gjatë së cilës vajzat preken më fort, por vetëvlerësimi i vajzave stabilizohet kur ato hyjnë në adoleshencën e vonë, ndërsa vijon të ulet për djemtë.
Sipas BBC përdorimi i madh i rrjeteve sociale ishte i lidhur me mirëqenien dhe vetëvlerësimin negativ, pavarësisht gjendjes mendore të një të riu, me vajzat të cilat përjetojnë depresion dhe dëshpërim. “Ata që ndihen më keq mund t’u drejtohen rrjeteve sociale, për të gjetur ngushëllim dhe për t’u ndierë pjesë e komunitetit” – tha dr. Amy Orben, kërkuese në Emmanuel College, University of Cambridge. “Nuk është një vakuum, funksionon në të dyja kahet”. Studimi përdori të dhënat e 5000 të rinjve në Angli, nga Millennium Cohort Study.
E ftuar në Radio Ejani Loreta Kruja, punonjëse sociale pranë Qendrës “Emanuel” në qytetin e Lushnjes, jep opinionin e saj për këtë temë.
CMG: Rrjetet sociale janë bërë një trend i kohëve të fundit. Çfarë riskon konkretisht kjo varësi ndaj tyre?
Loreta Kruja: Trendi i kohës, pra moda e fundit është që të gjithë fëmijët duke filluar nga target grupi i një fëmijërie të hershme e deri në adoleshencë, kanë një varësi ndaj rrjeteve sociale. Padiskutim që varësia për një kohë të gjatë ka një ndikim negativ në shëndetin mendor dhe jo vetëm të kësaj grupmoshe, por ky është një problem edhe për moshat e mëdha dhe është shumë e rëndësishme të drejtohen tek një profesionist. Prindërit janë të parët që identifikojnë problematikat tek fëmijët e tyre, si ato të shikimit, të ankthit, stresit, që mund të shkojnë deri tek depresioni, madje dhe deri në mbivlerësim apo nënvlerësim të vetes.
CMG: Aplikacionet më të përdorura për fëmijët janë kryesisht “tik-tok”, “Snapchat”. A janë njësoj të dëmshme edhe këto sepse fëmijë i shohin si argëtim dhe mënyrë komunikimi me shoqërinë?
Loreta Kruja: Rrjetet sociale janë një trend i kohës dhe një varësi e madhe psikologjike, por kjo varësi, së pari ka një ndikim të jashtëzakonshëm në vjedhjen e kohës së tyre fizike, që do të thotë një fëmijë i vogël e ka më të lehtë të qëndrojë me telefon pranë rrjeteve sociale sesa të përfshihet në lojërat psiko-sociale, në aktivitete, në ngjyrosje, në vizatime, pra ku zhvillojnë kreativitetin e tyre, në mjedise me lojëra sportive, etj. Fëmijët duan ta mbushin kohën e tyre në rrjetet sociale në “Tik-tok”,” Instagram” , çka bëjnë që të modelojnë sjelljet e të tjerëve, që shpeshherë janë të gabuara. Mundet që një fëmijë të jetë më i pasur se një tjetër, mundet që një fëmijë të ketë më shumë vetëbesim se një tjetër dhe duke e treguar me filtra të ekzagjeruar dhe jo realiste, kjo dëmton rëndë shëndetin mendor të fëmijëve, imazhin dhe perceptimin e gabuar për realitetin, sepse bota virtuale është një realitet tjetër dhe ajo reale është realitet tjetër dhe bën që fëmijët kur dalin nga bota e rrjeteve sociale, të mendojnë se dhe bota reale është kështu. Në këtë mëmyrë shëndeti i tyre mendor fillon një disbalancë, në një konflikt social, psikologjik, ndëpersonal. Fillon një konflikt me komunikimin, fëmijët kanë probleme në këtë pikë.
Nëse shohim një fëmijë, mund ta bëni një test shumë të thjeshtë, nëse fëmija është duke luajtur në telefon dhe prindi e pyet se çfarë do të hajë apo çfarë do të bëjë, të jeni të sigurtë që do ta kthejë përgjigjen pas disa pyetjeve. Kjo ndodh sepse fokusi dhe vëmendja e fëmijës është 100 përqind në rrjetet sociale. Pra humbet komunikimi, humbet ndjeshmëria sociale, formohet një ankth dhe stres psikologjik, dashur pa dashur. Kjo ndikon në formimin e personalitetit të fëmijëve. Padiskutim që rrjetet sociale janë shumë të dëmshme në mënyrën se si fëmijët ndërveprojnë me njëri -tjetrin. Ata vendosin orare të caktuara me njëri -tjetrin për të komunikuar nëpërmjet rrjeteve sociale dhe e shohin si mënyrë argëtimi, por nuk e kuptojnë që janë duke rënduar shëndetin e tyre mendor. Rrjetet sociale janë një gjë e mirë për të komunikuar me njërëzit që ne i kemi larg, por qëndrimi në to për fëmijët dhe adoleshentët ka rrezikshmëri të lartë tek mënyra e krijimit të personalitetit të tyre, te mënyra e sjelljes, tek agresiviteti. Fëmijët që kalojnë kohë të gjatë në rrjetet sociale kanë më shumë propabilitet që të bëhen agresiv
CMG: Ju si specialiste a e keni patur raste të ngjashme që keni trajtuar nëpër shkolla?
Loreta Kruja: Sigurisht që kam patur shumë raste të ngjashme, por ajo që më bën përshtypje në ambjentet e shkollës, duke filluar që nga klasat e para e deri tek adoleshentët padiskutim, kalojnë shumë kohë në rrjetet sociale. Unë personalisht kam bërë një pyetësor dhe fëmijët më kanë thënë se qëndrojnë në rrjetet sociale më shumë se 5 apo 6 orë në ditë. Një shifër kjo që zë relativisht një kohë shumë të madhe.
CMG: Çfarë këshille do u jepje prindërve për këtë problematikë?
Loreta Kruja: Sigurisht që prindërit janë aktorët kryesorë dhe shumë të rëndësishëm janë ata që duhet të gjejnë mekanizma, metoda që duhet t’i mbajnë larg fëmijët nga rrjetet sociale. E di që është e vështirë për të gjithë, për shkak të zhvillimit të teknologjisë, të informacionit, të zhvillimit shumë të vrullshëm, por jo e pamundur. Madje mund të referohen këto problematika edhe tek specialistët e shëndetit mendor, tek punonjësi social, psikologu, sociologu, e neuropsikiatri. Në rast se prindërit vërejnë se fëmijët kanë një izolim në vetvete, në rast se fëmijët mund të kenë dhe bullizëm në rrjetet sociale, duhet të referohemi patjetër te specialisti. Duhet të gjejmë se cilat janë pikat e forta të fëmijëve, duhet të gjejmë metoda që t’i përfshijnë fëmijët në aktivitete sociale, sportive, në aktivitete të arteve të bukura, mjafton që fëmijët të jenë gjatë gjithë ditës aktivë, si në mjedisin e shkollës dhe pasditja të jetë e angazhuar, në mënyrë që fëmijët të kenë sa më pak kohë për të kaluar në rrjetet social. Duke i angazhuar në aktivitete kulturore, orientim social më të mirë dhe orientimi psikologjik e emocional që është shumë i rëndësishëm. Sepse sot shohim që fëmijët kanë problematika emocionale e psikologjike pothuajse shumë të rënduara.
Është shumë e rëndësishme që të kemi një bashkëpunim midis prindërve dhe profesionistëve. Sa më pak qëndrime në rrjetet sociale sepse dëmtojnë rëndë mënyrën e të perceptuarit dhe krijojnë imazhe jo të vërteta të botës që ne jetojmë.
Intervistoi: Sava Lena