Dikur në adoleshencë, dashuria mbahej gjallë nëpërmjet komunikimit të letrave sesa takimeve dhe kontakti nuk mund të shkonte përtej puthjes. Shkolla dhe aktivitetet e saj ishin ambjentet e vetme ku adoleshentët e dashuruar mund të njiheshin apo të vazhdonin lidhjen e tyre. Ndërsa sot nuk funksionon kështu. Nëse dikush e pëlqen dikë nuk e ndalon në rrugë për t’ja shprehur pëlqimin, por ka mënyra të tjera të teknologjisë për t’i shprehur si, rrjetet sociale Facebook, Instagram, Tik-tok etj. Të rinjtë i dërgojnë ftesë personit që pëlqejnë, i bëjnë komplimente për fotot, e më pas nisin bisedën me të, deri në momentin që lënë takim në ndonjë lokal për kafe, pub-e, etj. Koha dhe vendi i takimeve vazhdon të mbetet ende problematike në çdo periudhë kohe. Adoleshentët e dashuruar që të realizojnë takimet e tyre, kryesisht lenë orën e mësimit që të takojnë të dashurin, ose gjejnë pak kohë në pushimin e gjatë në shkollë. Ndryshe nga brezat e mëparshëm, vetë adoleshentët nuk i quajnë serioze lidhjet e tyre në këtë moshë. Mësuese Gilberta Simoni, por edhe disa adoleshentë na tregojnë për Radio Ejani në lidhje me këtë temë.
CMG: Përshëndetje mësuese! Ti u ke dhënë mësim adoleshentëve në shkollën e mesme, por a shihje adoleshentë të dashuruar?
Gilberta Simoni: Në klasat e mia mendoj se ka adoleshentë të dashuruar dhe ata duken. Dallohen se nuk e kanë mendjen në mësim, ndryshojnë mënyrën e veshjes. Dhe po t’u afrohesh pa e patur mendjen, te libri kanë shkruar emrin e personit me të cilin janë dashuruar. Kjo është një nga mënyrat pse ata në këtë moshë bien nga mësimet. Dhe kjo gjë që më shqetëson.
CMG: Në cilën moshë nisin dashuritë e para në kohët e sotme?
Gilberta Simoni: Mosha kur bien në dashuri është rreth 14 vjeç e sipër. Mënyra se si dashurohet në ditët e sotme ështe ndryshe nga mënyra se si dashurohej kur unë isha në gjimnaz. Dikur takimet bëheshin vetëm kur shkonim në aktivitete me shkollën, në eskursione, komunikohej vetëm me letra nëpërmjet një shoku apo një shoqeje që çonte mesazhin. Nuk e dinin shumë njerëz, vetëm një rreth shumë i ngushtë shoqëror. Ndërsa sot ka ndryshuar çdo gjë, është komplet ndryshe, komunikimi është nëpërmjet Facebook-ut, Instagramit, Tik-tok-ut. Adoleshentët janë më të lidhur me rrjetet sociale, u bëjnë një like një fotoje personit që kanë simpati, e ftojnë për kafe, e më pas e bëjnë lidhjen publike po në rrjtetet sociale, duke treguar që janë në lidhje.
CMG: A flasim adoleshentët sot për këto pëlqime me ju si mësuese apo edhe me mësues të tjerë?
Gilberta Simoni: Kryesisht janë të prirur të krijojnë një lidhje romatike dhe kanë krijuar lidhje që kanë zgjatur një vit, gjashtë muaj apo edhe më shumë. Madje disa mendojnë se një lidhje e tillë mund të zgjasë edhe gjithë jetën. Është bukur t’i dëgjosh, më kujton edhe kohën time, kur lidhjet në gjimnaz vazhdonin edhe më vonë. Unë kam shoqe të miat të cilat janë lidhur që në gjimnaz dhe vazhdojnë të jenë të martuara edhe sot. Mendoj se është një përzjerje e kohës së sotme me dëshirën për të dashuruar, që vjen nga koha ime sa i përket lidhjeve romatike. Disa nxënës madje më thonë: “Ti mësuese nuk e kupton”, unë vërtetë disa gjëra nuk i kuptoj, por dëshira që ata duan të krijojnë një lidhje romatike dhe që të mbajnë përgjegjësi për lidhjen që kanë, vazhdon të ekzistojë edhe sot.
CMG: Çfarë këshille u jep adoleshentëve si mësuese?
Gilberta Simoni: Këshilla ime mund të duket si jo moderne, por kur më pyesin, unë u them që ta shtyni më tepër marrëdhënien tuaj sa më shumë, dhe të mundohen të njohin njëri- tjetrin sa më shumë. Sepse dua që të jenë të përgjegjshëm për ndjenjën që kanë dhe ta kuptojnë tamam se si është dashuria, dhe a është vërtetë ajo zgjedhja e tyre. Dashuria e parë në gjimnaz është diçka e bukur me shumë emocione, provohet për herë të parë dhe nuk të jepet mundësia më vonë.
Nxënës të shkollës së mesme tregojnë për temën se, çfarë është dashuria në adoleshencë?
Adoleshenti 1: Është moshë e papjekur për të rënë në dashuri.
Adoleshente 2: Adoleshenca është mosha që dashuron pa kushte.
Adoleshente 3: Dashuria në adoleshencë është një ndjenjë e zjarrtë, por afatshkurtër.
Të gjithë pa përjashtim edhe pse dashuria e parë mund të ketë qenë e hidhur, mund të mos i kemi vlerësuar aq sa duhet në atë moshë, mund të kenë qenë shumë të shkurtra, kanë influencuar raportin tonë me marrëdhëniet në tërësi, qëndrimet ndaj dashurisë dhe ndaj vetvetes. Është e rëndësishme, që të marrim në konsideratë dhe të vlerësojmë drejt raportet e para që krijojnë fëmijët tanë, pëlqimet e para, shqetësimet e para në marrëdhënie, pyetjet e para dhe çdo gjë e parë që i bashkëngjitet kësaj aventure emocionuese, siç është dashuria në moshën e adoleshencës. Sepse kur një adoleshent bie në dashuri, ai në të vërtetë “bie” në një ndjenjë të thellë gjithëpërfshirëse, të cilën nuk e ka përjetuar dhe do ta përjetojë ndonjëherë, si emocionet e dashurisë së parë!
Intervistoi : Sava Lena