Micky Haxhiislami kontribues për pranimin e xhubletës 4 mijë vjeçare në UNESCO
2022-12-01 14:40:06


Xhubleta  shqiptare është regjistruar në UNECSO! Lajmin e ka dhënë, ministrja e kulturës, Elva Margariti e cila e ka cilësuar si një lajm të jashtëzakonshëm për trashëgiminë  kulturore.

“Pas një pune të gjatë, plot përkushtim të një grupi të madh bashkëpunëtorësh, dosja e dije bërjes artizanale të xhubletës u pranua në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO-s.” shkruan Margariti.

Xhubleta 4 000-vjeçare tashmë do të jetë pasuri e gjithë njerëzimit, duke shënjuar në historinë e thesareve të botës se vajzat në Alpet shqiptare vijojnë e veshin xhubletën, njëlloj si dikur në qytetërimin ilir, i cili vijon të trashëgohet ende në këto toka shqiptare. Xhubleta shtohet në listën e pasurive si Butrinti, Gjirokastra, Berati dhe isopolifonia në listën e pasurive botërore që mbrohen nga UNESCO.

Një ndër kontribuesit më të mëdhenj të kësaj ngjarjeje të madhe për kulturën shqiptare është Micky Haxhiislami. Ai është nga Peja ku ka studiuar pranë Fakultetit të Mjekësisë në degën e stomatologjisë. Në vitin 1989 iu drejtua Londrës, ku jetoi dhe punoi deri në fund të vitit 2002. Pas vështirësive të fillimit si çdo emigrant, ai në pamundësi të vazhdimit të studimeve, ka punuar në bare dhe restorante. Në vitin 1992 Micky nisi rrugëtimin e tij në pronat e patundëshme deri në vitin 2002 kur u zhvendos në Tokio, ku jeton dhe punon aktualisht.

Ai e viziton shpesh Shqipërinë dhe Kosovën dhe për këtë shprehet se “Mund të ndërrosh dhe planetin, por rrënjëve nuk ke nga t’u ikësh”

Micky Haxhiislami është themeluesi i Intermedico Japan Co., Ltd., një kompani e fokusuar në produkte për kujdesin shëndetësor dhe ato kozmetike.

Prej vitit 2018, Micky është një nga të vetmit që ka nxitur, diskutime të forta, ndërgjegjësim të qëndrueshëm dhe nuk ndaloi kurrë së insistuari për futjen në listën e UNESCO-s të  xhubletës së Malësisë së Madhe. Ai bashkë më një grup zonjash, të cilat ka zgjedhur edhe t’i falenderojë, nuk e shohin këtë si triumf të tyren, pavarësisht se janë pikërisht këta që nxitën dhe arritën të dërgonin në UNESCO, xhubletën e bukur. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës Micky Haxhiislami flet për jetën e tij dhe këtë ngjarje të rëndësishme, përfshirjen e xhubletës shqiptare në listen e trashëgimisë së UNESCO-s

CMG: Çfarë ju lidh me Shqipërinë?

Micky Haxhiislami: Me Shqipërinë më lidh dashuria. Ky është një vend i bekuar të cilin Zoti e ka falur dhe ne jemi këtu për ta mbrojtur. Më lidhin kujtimet e mia të cilat janë të gjalla ende dhe sot. Gjithashtu më lidh pasioni im për historinë dhe për ta njohur vendin sepse në fakt ne kemi kaluar etapa aq shumë të vështira sa nuk na është mundësuar ta njohim historinë siç duhet. Shqipëria ka histori të begatë ndaj dhe unë sot e trumpetoj këtë ngjarje të madhe sepse nëpërmjet kësaj ne i japim mundësi pasardhësve tanë që të njohin vendin e tyre. Çfarë na përket ne është e jona dhe çfarë është e jona është e brezave.


CMG:  Pse jeni kaq të lidhur pas historisë dhe çfarë vendi zë historia e xhubletës tek ju ?

Micky Haxhiislami: Sigurisht që jam shumë i njohur me historinë e Shqipërisë dhe njëherazi edhe i lidhur, por ajo që më mban edhe më të lidhur përveç ngjarjeve të tjera është patjetër xhubleta.

Interesimi im shumë i shtuar për xhubletën ka nisur që në vitin 2018. Kam nisur të bëj promovimin e saj dhe të ndikoj tek institucionet sepse e ndieja detyrim moral.

Xhubleta është një vjeshje tipike e grave të Malësisë së Madhe, Rugovë dhe trevat shqiptare në Malin e Zi. Ka një prejardhje të lashtë, e cila lidh qytetërimet e vjetra mesdhetare.

Mbi të gjitha çka është më rëndësishmja është fakti që kjo xhubletë na mban gjallë historinë dhe prejardhjen tonë iliriane.

Është trashëgimi e qartë dhe vetëm nëpërmjet e saj mundemi ta mbajmë gjallë.

Emblema me e gjallë e xhubletes mbetet padiskutim shqiponja e përcjellë ashtu e pazhdukur pavarësisht kalimit të viteve. Ndaj dhe unë insistova deri në ditën e fundit pasi mbi të gjitha dëshiroj që kombi im të ketë historinë e tij.

Ka edhe motive të tjera dhe simbole që mund të quhen të mistershme, por patjetër mund të gjejnë shpjegim ndaj dhe tashmë kjo veshje i përket mbrojtes nga UNESCO.

CMG: Nga kush e keni njohur rëndësinë e xhubletes?

Micky Haxhiislami: Jam magjepsur së pari nga njohuritë e Dr. Linda Spahiu, e cila ka një njohuri të shquar në lidhje me  xhubletën dhe ajo nuk është kursyer për ta promovuar dhe për t'i dhënë zë. Ka qenë pikërisht ky zë, i cili më bëri mua dhe shumë të tjerë që ta ndjekim e t'i japim mbështetje. Kjo mund të them që ka qenë zanafilla. Kur kam parë koleksionin e saj jam magjepsur,  por dhe nga ndërthurja që i bënte ajo me dijen mbi këtë vlerë kombëtare. Ky është një moment apo hapësirë që mua më jepet dhe dua mos të humbas rastin për ta falenderuar këtë grua, misionare të palodhur të fjalës, e cila ka punuar fort për përcjelljen e dijes mbi xhubleten.

Më ka magjepsur mua, por edhe shumë të tjerë të cilët sot i shohim të kënaqur, të gëzuar dhe krenare që xhubleta mbrohet nga UNESCO.

CMG: Si e u ndjetë pas një pune disavjeçare kur mësuat se xhubleta do të mbrohet nga UNESCO?

Micky Haxhiislami: Nuk di ta përshkruaj atë çast, ato emocione sepse sapo preka telefonin një seri mesazhesh kishin mbërritur. Mesazhet ishin falenderuese për punën time gjatë këtyre vjetëve, por gjithashtu edhe për shumë të tjerë si unë .

U ula në kolltuk dhe disa lotë shpërthyen e më në fund besova se historia do përcillet ndër breza.

Djali dhe partnerja ime gëzuan bashkë me lumturinë time edhe pse larg atdheut tim të dashur.

CMG: A ka ende edhe shumë gjëra të tjera që duhen vënë në dukje ?

Micky Haxhiislami: Historinë e Shqipërisë? Absolutisht po. Ka pasur shumë arsye për të cilat nuk është folur ndoshta dhe nuk është lejuar që të përcillen këto ngjarje apo edhe vlera, por tani me zhvillimin teknologjik na është hapur një dritare mundësish që askush nuk na ndalon të sjellim fakte dhe argumente mbi rrënjët tona. Ajo që na duhen është kohë, vullnet dhe punë.

Për të ndërtuar një jetë më të mirë dhe më të shëndetshme është e mundur vetëm nëse njohim historinë tonë .

Intervistoi Megi Latifi