Muaji i isopolifonisë, kryevepër e trashëgimisë mbrojtur nga UNESCO
2022-11-12 18:00:04


Muaji nëntor konsiderohet si muaji i isopolifonisë, pasi në 25 nëntor të vitit 2005 kjo mrekulli e kulturës shqiptare u përfshi në listën e pasurive të njerëzimit, të mbrojtura nga UNESCO.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Gjirokastër, si një ndër promotoret, mbështetëset e kulturës dhe elementeve kulturore, organizoi një takim me mjeshtrin e isopolifonisë, Roland Cenko, dhe me nxënësit e një shkolle 9-vjeçare, përcjell “ATSH”.

Në fjalën e tij drejtuar të rinjve, mjeshtri Cenko u shpreh se isopolifonia është e vjetër sa vetë historia jonë. “Është folur e përmendur nga shumë njerëz që e kanë dashur Shqipërinë. Është studiuar nga gjuhëtarë e mbledhës folklori, dhe sot mund të themi se është një ndër krenaritë dhe pasuri e rrallë e jona”,- tha mjeshtri Cenko, duke bërë thirrje që brezat ta çojnë përpara me punë, vullnet dhe dashuri.

“Isopolifonia popullore shqiptare” është në listën e “Kryeveprave të trashëgimisë të njerëzimit” mbrojtur nga UNESCO. Juria Ndërkombëtare e mbledhur në Paris nga data 21-24 nëntor 2005, shqyrtoi mbi 60 kandidatura të propozuara për t’u përfshirë në listën “Kryevepër e njerëzimit”, propozime të bëra në rrugë zyrtare nga shtete të ndryshme në çdo anë të botës duke plotësuar dosjet dhe kriteret e shpallura për këtë qëllim. (Irma)