Parodistët e Vlorës prej dekadash janë një trupë profesioniste estrade, që kanë marrë jo pak vlerësime nga publiku, ku dhe sot pas kaq dekadash edhe pse të reduktuar në numër, ata vijojnë me po të njëjtin pasion për punën duke sjellë humorin e bukur, që pëlqehet nga publiku. Katër parodistët e Vlorës kanë qenë historikisht grupi më i njohur dhe i dashur në të gjithë vendin, nga të gjithë shqiptarët. Prej një jete të tërë, ata kanë performuar në skenën e Vlorës, të gjithë Shqipërisë, por edhe jashtë saj, teksa gjithmonë kanë realizuar shfaqje që janë mirëpritur nga publiku. Në një intervistë ekskluzive për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) Afrim Agalliu tregon për fillimet dhe karrierën mbi 50 vjeçare në skenë me parodinë, bashkëpunimet me trupat e tjera artistike si dhe projektet në vazhdim.
CMG: Çfarë kujtoni nga puna juaj ndër vite me estradën e qytetit të Vlorës bashkë me grupin e Parodistëve të Vlorës, por dhe me të tjerë aktorë të humorit?
Afrim Agalliu: Është histori vitesh dhe jo pak, por gati mbi 50 vjet në skenë. Kështu që është një nostalgji dhe padiskutim ka qenë një rrugë e vështirë, e cila ka pasur dhe problematikat e saj, por gjithësesi unë kujtoj me nostalgji vitet e para kur unë dhe Agron Hamo kemi filluar në vitin 1967 si amatorë në një moshë relativisht të re, rreth 17 vjeç. Më pas në vazhdimësi vjen viti 1974, ku nga lëvizjet amatore vjen Mane Lumani dhe në vitin 1978 vjen Muhamet Lika dhe u bë katërshja e famshme, që në atë kohë na kanë quajtur “katër musketerët” sepse kemi bërë dhe një parodi për musketerët. Kështu që është një nostalgji e madhe për ato vite dhe një respekt i jashtëzakonshëm dhe nuk do të rri pa i përmendur atë brez artistësh të mrekullueshëm të cilët transmetuan tek ne vlerat në mënyrë të veçantë të parodisë. Ata ishin humoristët e parë, që nga regjisori Myqerem Ferra, Gaqi Vishi, Leka Kruta, Minella Mita, Meliha Ferra, Evgjeni Shtrepi, dhe më pas të tjerë si regjisorët Lad Balla, Pëllumb Kulla ndoshta për pak kohë sepse më pas ai shkoi në Fier. Pra ka qenë një kontribut i jashtëzakonshëm jo vetëm i tyre, por edhe i libretistëve të asaj kohe, i pazëvendësueshmi Flamur Laro i cili ka një kontribut të jashtëzakonshëm në formimin tonë si parodista sepse ishte një mjeshtër i vërtetë i shkrimit të parodisë. Më pas vijnë autorë të tjerë si Ferdinand Hysi, Aleksandër Duka dhe shumë të tjerë për të cilët kemi një respekt të madh dhe i kujtojmë me shumë dashuri dhe nostalgji.
Doja të veçoja dy aktorë të famshëm Leka Kruta dhe Myqerem Ferra, të cilët në vitin 1974 e lanë parodinë dhe e transmetuan atë tek unë dhe Agroni dhe që nga ajo periudhë ata nuk kënduan më parodi, por më pas këtë gjini kaq të bukur ne e përvetësuam dhe natyrisht vazhdojmë të jemi dhe sot aktiv.
CMG: Në ato vite kanë funksionuar edhe estradat e rretheve dhe sot nuk ekzistojnë më këto estrada. A mendoni se mos funksionimi i estardave e ka varfëruar artin nëpër rrethe?
Afrim Agalliu: Kjo është një mangësi e madhe sepse nuk ekszistojnë më këto trupa. Më vjen shumë keq kur kujtoj që këto trupa kanë qenë shumë aktive, ku në vit kishim një plan si detyrë që të nxirrnim 5 premiera në vit dhe për të dhënë rreth gati 200 shfaqje në vit. Natyrisht që është mangësi e madhe kjo mosekzistenca e këtyre trupave artistike sepse ka pasur aktorë të mrekullueshëm, dhe ne në atë kohë jemi miqësuar dhe jemi bërë gati një familje pothuajse me të gjitha trupat artistike. Ka qenë një eksperiencë shumë e bukur, ku çdo vit organizoheshin konkurse në njëfarë mënyre, por këto atëhere quheshin shkëmbim eksperience dhe natyrisht nëpërmjet këtyre konkurseve ne kishim se çfarë merrnin nga këta kolegët tanë, qoftë ne nga ata dhe ata nga ne.
Unë i kujtoj me nostalgji artistët e mrekullueshëm të atyre viteve, që nga Aleko Prodani në Korçë, Zef Deda, Tano Banushi dhe Zyliha Miloti në Shkodër, në Durrës me Muharrem Hoxhën dhe Fadil Hasën, gjithashtu Cekja në Berat, artistët e mrekullueshëm të Fierit, apo dhe aktorët e Sarandës e deri në Dibër. Me artistët dibranë të cilët ishin një trupë e vogël modeste, por kishin kripën dhe lezetin e tyre. Edhe pse ishin trupa të vogla kishte aktivitete dhe vlonte qyteti, dhe është për të ardhur keq për faktin që këto nuk ekzistojnë më. Nuk e di, por kjo ndoshta është një politikë e cila për mua personalisht më ka bërë shumë përshtypje fakti që të gjitha ato trupa janë mbyllur.
Për çfarë arsye janë mbyllur? Ndoshta aktorët janë plakur dhe kanë dalë në pension, por shumë mirë se ka aktorë të rinj që mbarojnë dhe shkollën e lartë ku mund të vijnë dhe të jenë këto trupa dhe jo të mbyllen. Në fakt unë do të doja të evidentoja një fakt këtu në Vlorë, që të paktën unë dhe Agroni vazhdojmë të jemi akoma pranë trupës tonë, pra bashkia ka bërë një përjashtim sepse nuk na ka nxjerrë në pension. Përkundrazi na ka thënë që ne mund të rrimë dhe të vazhdojmë dhe të jemi aktiv. Ne në gjithë këto vite pavarësisht që e kemi kaluar moshën e pensionit, ne jemi aktivë sot. Ndoshta unë dhe Agroni në këtë periudhë kemi dalë në pension figurativisht, por që jemi aktiv dhe vazhdojmë të jemi pranë trupës tonë.
CMG: Keni vënë në skenë ndonjë shfaqje kohët e fundit në teatrin e Vlorës?
Afrim Agalliu: Ne në janar të këtij viti kishim një premierë ku unë isha regjisori dhe autor i shfaqjes, dhe e titulluam “Humor i vaksinuar” sepse kjo situatë gati dy vjeçare e pandemisë kishte problematikat e veta dhe kryesisht jemi përqëndruar te këto problamatika. Më vjen shumë keq që nuk ka më aktivitete nëpër rrethe, por këto aktivitete janë vetëm në Tiranë nëpërmjet formateve televizive.
CMG: Kur ka qenë kulmi i karrierës suaj në këto 50 vite në skenë?
Afrim Agalliu: Unë do të thosha që periudha në të cilën ne u evidentuam ka qenë rreth viteve 73-74, kur ka qenë premiera e parë e filmuar në TVSH dhe ishim vetëm unë dhe Agroni, por kulmin ne e kemi arritur kur ishim të katër bashkë sepse duke qenë të katër secili kishte cilësitë dhe aftësitë e veta dhe bënim një kompleks në të cilin vlerat shtoheshin. Me kalimin e viteve ndodhi ajo që ndodhi, ku Mania iku në vitin 2005 për arsye shëndetësore, dhe para tre vjetëve u nda nga jeta dhe Meti, kështu që kemi ngelur unë dhe Agroni. Unë nuk mund të evidentoj dot dhe të them që në një ditë të caktuar ne kemi qenë në kulmin tonë. Ne në vitin 1987 kemi marrë çmimin “Aktorët më të mirë të vitit”, por unë nuk e quaj se ishte vërtetë kulmi jonë ai. Unë them që kulmi jonë vazhdon të jetë e të mbetet edhe tani sepse flet eksperienca jonë, flasin vitet dhe gjithë kjo periudhë në të cilën ne kemi kontribuar dhe vazhdojmë të kontribojmë.
CMG: Mendoni se të rinjtë sot kanë interes dhe prirje për parodinë?
Afrim Agalliu: Të rinjtë sot kanë shumë interes në dukje për t’u evidentuar. Unë e ndjej këtë sepse prej gati 17 vite bëj dhe punën e regjisorit këtu në Vlorë, flas për qytetin tim që të rinjtë kanë interes dhe vijnë tek ne. Mendoj se interesin e kanë të përkohshëm dhe nuk e kanë interes për të qëndruar këtu, por që Vlora të jetë një trampolinë për të ardhur në Tiranë, për të qenë të atashuar në formatet televizive si Portokallia apo Al Pazar dhe formatet të tjera televizive. Gjithësesi unë kam parë interes te të rinjtë këtu për të kënduar parodinë dhe sidomos në Vlorë, sepse Vlora e ka traditën shumë të mirë për parodinë që nga të parët që unë përmenda më lart. Unë para dy vjetësh mora përsipër të drejtoja trupën e të rinjve të Vlorës, disa amatorë të rinj dhe me iniciativë të gazetarit Ergys Alushi dhe autor i shfaqjes, e realizuam atë me të rinjtë e kësaj trupe. Ndërkohë aty u formua një grup prej katër të rinjsh që imitonte ne të katërt, të cilët e nisën shumë mirë dhe vazhdojnë të jenë aktiv dhe sot.
CMG: Më së shumti në paroditë tuaja keni prekur temat sociale në vend. Pse pikërsiht këto tema?
Afrim Agalliu: Sepse ne e konsiderojmë artin mesazh, nuk mund të performosh dhe të bësh një material pa transmetuar një mesazh te publiku, i cili është i interesuar dhe vjen të ndjekë. Nuk mund të bëhet materiali për të qeshur kot, absolutisht. Ne jemi të formuar me këtë bindje, që artisti i vërtetë dhe profesionisht kur del para spektatorit duhet patjetër të transmetojë një mesazh, në të kundërt unë nuk e konsideroj artist.
Unë tani kam rezervat e mia kur shoh formatet televizive. Natyrisht ata duhen përgëzuar për faktin që bëjnë shfaqje në numër të madh sepse të bësh brenda javës një shfaqje është një lodhje e tmerrshme, por përgjithësisht materialet e tyre nuk përcjellin mesazh.
CMG: Cilat janë projektet tuaja artistike që prisni t’i realizoni së shpejti?
Afrim Agalliu: Unë dhe Agroni tani jemi në një moshë që kemi arritur njëfarë pjekurie, duke pasur parasysh eksperiencën tonë gati mbi 50 vjet në skenë, por themi që të bëjmë një recital tonin. Deri më sot unë kam pasur në ngarkim një trupë të tërë me këngëtarë, me aktorë të tjerë të estradës së Vlorës dhe tani themi që ka ardhur koha që të bëjmë një recital. Për këtë jemi duke bashkëpunuar me autorët si Pëllumb Kulla, Haxhi Rama, dhe ndërkohë shpresojmë që të jetë diçka e bukur dhe të kemi sukses. Si fillim e kemi pak të vështirë sepse mendojmë shumë se çfarë do të bëjmë dhe si do të dalim para spektatorit. Ne jemi shumë të përgjegjshëm për atë që marrim përsipër për të realizuar.
CMG: Ky recital do të realizohet në qytetin e Vlorës, apo në Tiranë?
Afrim Agalliu: Ne kemi shumë shfaqje që na kanë ikur kot dhe nuk janë xhiruar sepse kjo është e keqja, duke qenë në provincë natyrisht nuk mund të realizosh dot atë që mund të realizosh në Tiranë. Në Tiranë në gjithë këto shfaqje që ne kemi pasur në atë periudhë 17 vjet unë si regjisor, kemi ardhur vetëm njëherë para 7-8 vjetësh sepse për të ardhur në Tiranë ka probleme ekonomike, duhen dieta, hotele, duhet transporti. Kjo është e vështirë sepse janë problemet ekonomike në radhë të parë pastaj ato të tjerat. Shpresojmë që ne mund ta realizojmë këtë recital jo vetëm në Vlorë, por mund të vijmë edhe në Tiranë sepse na ka marrë shumë malli. Gjithashtu mund ta japim edhe në qytete të tjera, por e shoh pak si të vështirë për arsye financiare.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit e Radio Ejani.
Afrim Agalliu: Ju uroj të gjithë dëgjuesve të radios tuaj të kenë jetë, shëndet edhe kuletë.
Intervistoi: Gazmend Agaj