Mehdi Zena: Këngën popullore e kemi traditë familjare
2022-09-17 11:09:00


Vëllezërit Zena, të cilët për vite të tëra i kanë dhënë shpirtin këngës popullore elbasanase, kanë qenë protagonistë të saj për dekada të tëra. Mehdi Zena është personaliteti më i vlerësuar i këngës së Elbasanit e ndër më të dashurit ndër interpretuesit e këngës popullore të Shqipërisë së Mesme. Sot ai vjen me një eksperiencë të gjatë në skenë, me mijëra këngë të interpretuara mjeshtërisht dhe qindra koncerte në skenat shqiptare e në mbarë botën. Pavarësisht moshës, Mehdi Zena nuk rresht së interpretuari, kur e ftojnë. Gjakova, qyteti i dytë në shpirtin e tij, i cili e mirëpret gjithmonë. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ai na tregon për karrierën dhe kënaqësinë që ka marrë nga publiku gjatë pesë dekadave në skenë. 

CMG: Vëllezërit Zena një jetë në skenë, duke interpretuar pastër dhe bukur këngën e mirëfilltë popullore të Shqipërisë së mesme. Si kanë qenë fillimet tuaja në muzikën popullore?

Mehdi Zena: Ka qenë viti 1971, ku në Elbasan bëhej festivali i parë i këngës popullore qytetare elbasanase dhe në atë kohë morën pjesë shumë artistë të mëdhenj të kohës. Në atë festival ishte “Artisti i popullit” Bik Ndoja, “Artistja e merituar” Hafsa Zyberi, Fitnete Rexha dhe shumë artistë të tjerë. Në atë kohë unë kisha një duet me të madhin Bik Ndoja dhe një këngë të përpunuar elbasanase nga Alfons Balliçi. Aty kisha dhe një këngë elbasanase me këngëtarin Albert Tafani, dhe që prej asaj kohe nuk jam shkëputur nga muzika popullore. Gjithashtu ishte tradita që bëhej në atë kohë në çdo ndëmarrje, ku merrnin pjesë artistë të ndryshëm, dhe krijoheshin grupe artistike në çdo ndërmarrja. Në ndërmarrjen tonë të ish-Nrsh e Elbasanit, ishte Albert Tafani që ishte berber, ishte vëllai im këpucar, isha dhe unë mekanik riparim-shërbime. Kështu që nga aty më vonë morëm pjesë me estradën, ku pastaj u krijua dhe ansambli “Isuf Myzyri” dhe deri më sot nuk jam shkëputur nga kënga popullore.


CMG: Pra, familja Zena në gjithë këto vite ka qenë shumë e lidhur me këngën popullore qytetare elbasanase.

Mehdi Zena: Ne e kemi pasur edhe traditë sepse babai im Ali Zena ka qenë krahu i djathtë i Isuf Myzyrit. Ai këndonte dhe i binte një vegle muzikore turke që quhet qyr bishtgjatë. Kështu që e kemi pasur traditë familjare këngën popullore.

CMG: Ju keni shumë këngë në duet me vëllain tuaj Demirin, por edhe shumë interpretime solistike. Kë do të veçontit si këngën më të preferuar nga repertori juaj?

Mehdi Zena: Unë e kam idhull këngën “S’paske pas një pikë mëshirë”, kënga e usta Isufit sepse mbas asaj kënge unë lidh katër këngë të tjera dhe gjithmonë në çdo event, skenë, dasma dhe koncerte, unë atë e kam këngën e parë.

CMG: Sa ruhet sot kënga e traditës së Elbasanit dhe a e keni përçuar ju atë te brezi i ri?

Mehdi Zena: Unë mendoj se nuk ka më talente sepse në kohën tonë ishin krijuar ndërmarrjet, por bëheshin dhe shkollat dhe nga këto dilnin talente shumë të mira siç kemi dalë neve por që kanë dalë edhe të tjerë këngëtarë dhe valltarë. Kurse sot nuk ekzistojnë ato fare, dhe prandaj nuk ka talente. Ne në Elbasan kemi Eglantina Toskën, e cila është talent dhe ka arritur të ecë shumë mirë në muzikën popullore.

CMG: Ju keni realizuar dhe një këngë kushtuar Elbasanit në bashkëpunim me Eglantina Toskën, por ka shumë këngëtarë të tjerë që duan duet me juve. Sa i përkrahni ju këto talente të rinj të këngës popullore?

Mehdi Zena: Unë jam i gatshëm për këdo që më kërkon për bashkëpunime. Unë kam shumë këngëtarë nga jashtë që kërkojnë të bashkëpunojnë, sidomos Gjakova i kanë marrë këngët e usta Isufit nga radio. Mirëpo radio atëhere i modifikonte, kështu që unë shkoj shpesh në Gjakovë për dasma dhe ato u habitën në fillim duke më thënë se si ka mundësi që ne e dimë kështu këtë këngë, por kjo qenka ndryshe. Unë nuk jam nga ato njerëz që më kërkojnë ndihmë edhe unë nuk e jap.

Një këngëtar nga Struga më kërkoi një këngë të vjetër elbasanase dhe unë ja tregova dhe ai e shkroi. Ai më pyeti sesa të detyrohem, dhe unë i thashë se po të ishte për detyrim nuk ta kisha dhënë sepse te unë i thashë je i ftuar përherë. Ka shumë të tjerë që e dinë por nuk të ndihmojnë, ndërsa unë jam i gatshëm që këngëtarët e rinj të vijnë në çdo kohë dhe do ti ndihmoj. Në Gjakovë është Xeni, Zenel Doli, Edi Furra dhe të gjithë ato prej meje i këndojnë origjinale këngët, jo se ato nuk i dinin si këngë, por fjalët ishin krejt ndryshe dhe i ngatërronin këngët e Mustafa Bodinit me ato të Isuf Myzyrit.

CMG: Si ndjeheni kur ju quajnë si trashëgimtarët e të madhit Isuf Myzyri?

Mehdi Zena: Kjo është një kënaqësi e madhe, që të jesh trashëgimtar i Isuf Myzyrit do të thotë të jesh i një artisti të madh. Megjithëse nuk është nevoja ta them unë sepse ja ka dhënë shteti në atë kohë titullin “Artist i popullit” edhe pse ai ka qenë pa shkollë, pa këndim dhe pa piano. Ai kishte vetëm një violinë, dhe tekstet e këngëve i shkruante babai im ose ndonjë tjetër.

CMG: Keni marrë pjesë në disa spektakle televizive të këngës popullore, ku jeni pritur mjaft mirë nga publiku. Cilat kanë qenë emocionet që keni përjetuar në skenë me publikun e sotëm?

Mehdi Zena: Është kënaqësi e madhe të marrësh pjesë në këto spektakle, dhe kur del në kafe të gjithë të respektojnë. Nuk mund ta shpreh aq kënaqësi që marr nga publiku kudo që shkoj, jo vetëm në Elbasan që nuk e diskutoj respektin, por kudo që shkoj më ndalojnë dhe nderojnë. Kështu që nuk ka kënaqësi më të madhe për mua.

CMG: A mendoni se kënga popullore qytetare elbasanase e ka kaluar Shqipërinë e mesme?

Mehdi Zena: Patjetër që po dhe nuk e diskutoj këtë. Kënga popullore qytetare elbasanase jo që e ka kaluar Shqipërinë e mesme, por ka dalë jashtë territorit të Shqipërisë. Kosova vdes për këngët e Isuf Myzyrit, sidomos Gjakova, Prizreni dhe Peja, këto janë tri qytete që janë shumë dashamirëse dhe i këndojnë me shumë dashuri dhe kënaqësi.

CMG: Çfarë këshille do t’ju jepnit këngëtarëve të rinj të muzikës popullore që duan të jenë në gjurmën tuaja?

Mehdi Zena: Këshilla ime është që ta këndojnë sa më origjinale këngën popullore. Ka shumë këngëtarë që janë talent për këngën popullore, mirëpo ato kalojnë te rrymat e tjera muzikore sepse kështu ka ardhur dhe koha. Ndërkohë që të rinjtë nëpër dasma kërcejnë dhe kënaqen me muzikën popullore, por nuk ka që ta këndojnë këngën popullore.

CMG: Keni ndonjë projekt muzikor së afërmi?

Mehdi Zena: Në fund të muajit tetor do të kem një koncert në qytetin e Elbasanit, ku do jenë të ftuar Edi Furra me nipin e tij, unë me vëllain tim Demirin si dhe Eglantina Toska.

Intervistoi: Gazmend Agaj