Dashamir Baruni: Turistët mahniten me këngët tona tradicionale
2022-10-15 10:02:50


Dashamir Baruni është këngëtar i njohur i muzikës popullore nga qyteti i Krujës. Ai në karrierën e tij muzkore ka realizuar disa këngë popullore, të cilat janë pritur mjaft mirë nga artdashësi. Prej vitesh ai është solist i Grupit të Pleqve të Krujës. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) Dahamir Baruni tregon për rrugëtimin e tij muzikor, pjesëmarrejn në evente të ndryshme artistike brenda dhe jashtë vendit si dhe projektet në vazhdim. 


CMG: Kur kanë qenë fillimet tuaja në muzikën popullore?

Dashamir Baruni: Unë e kam trashëgimi muzikën sepse vij nga një familje muzikantësh që nga gjyshi, babai dhe xhaxhallarët, të cilët kanë qenë të gjithë muzikantë. Unë kam nisur që në moshë të vogël dhe 13 vjeç kanë qenë fillimet e mia ku kam dalë nëpër dasma dhe evenimente të shkollës. Gjithashtu në shkollën e mesme merrnim pjesë nëpër aktivitete të ndryshme. Kështu e kam nisur rrugën e muzikës.

CMG: Cilat kanë qenë aktivitetet muzikore që keni marrë pjesë me grupin tuaj muzikor?

Dashamir Baruni: Unë më vonë jam aktivizuar me grupin tim, ku kam marrë pjesë nëpër festivale të këngës popullore. Në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës jam aktivizuar me Grupin e Pleqve të Krujës, ku unë jam solist. Jemi gjithnjë mbështetës të muzikës popullore tradicionale.

CMG: Grupi Karakteristik i Pleqve të Krujës vazhdon të performojë në aktivitete të ndryshme, pra nuk është shkëputur nga muzika krutane.

Dashamir Baruni: Pjesëtarët e Grupit të Pleqve të Krujës  pothuajse janë larguar të gjithë nga jeta sepse është dhe mosha, por ne gjithmonë e kemi ripërtërirë me talente të rinj grupin. Një nga këta jam dhe unë dhe ne jemi përfaqësues të grupit karakteristik të pleqve të Krujës.

CMG: Muzika krutane hyn në trevën e Shqipërisë së mesme, por ka disa këngë me ritme të veçanta.

Dashamir Baruni: Janë disa këngë që kanë ritme shumë të veçanta, por dhe këngët e grupit karakteristik të pleqve që ne i këndojmë në program nuk janë shumë të thjeshta nëse i dëgjon dhe i punon, sidomos në ritëm. Ngaqë ne i kemi trashëgimi dhe nuk i kemi pasur shumë të vështira për t’i përçuar këto këngë.

CMG: Ju keni publikuar disa materiale muzikore dhe njeri prej tyre titullohet “Dasma krutane”. Kjo është këngë tradicionale krutane dhe krijim i ri i juaji?

Dashamir Baruni: Ajo është një këngë e re e realizuar nga unë, por i jam përshtatur  traditës krutane sigurisht. Është kënga e parë që kam bërë dhe e kam promovuar me videoklip. Ndërsa një tjetër këngë e imja “Testegjyli” është këngë tradicionale krutane, e cila është shumë e vjetër si këngë dhe ne e kemi trashëguar nga populli. Tashmë   këndohet nëpër evenimente dhe dasma.

CMG: Dasmat dhe gëzimet familjare janë pjesë e eventeve muzikore. Keni marrë pjesë në evente të tilla në Krujë apo vende të tjera?

Dashamir Baruni: Patjetër që po, sidomos në Shqipërinë e mesme, por vitet e fundit kemi shkuar edhe në vende të tjera. Unë nuk kam lënë qytet të Shqipërisë pa shkuar në dasma dhe gëzime familjare.

CMG: Përveç këngëve popullore të trevës që ju përfaqësoni, keni kënduar dhe këngë të krahinave të tjera?

Dashamir Baruni: Sigurisht që po, sepse sot po nuk njohe të gjitha trevat nuk mund të quhesh këngëtar. Nuk mund ta përfaqësosh 100 për qind trevën e veriut, por deri diku do ta prezantosh patjetër. Unë kam dhe një ansambël të vogël popullor   me valltarë “Albaina Folk” dhe marrim pjesë në evenimente të ndryshme për turistët.

CMG: Cilat kanë qenë përshtypjet e turistëve të huaj kur kanë ndjekur performancat e ansamblit që ju drejtoni?

Dashamir Baruni: Përshtypjet kanë qenë nga më të mirat sepse ne promovojmë jo vetëm muzikën, por dhe zakonet permes këngëve tradicionale, dhe ju tregojmë sesi ka vijuar tradita shqiptare me veshjet kombëtare. Ata mahniten. Kur dëgjojnë këngët tona tradicionale ata mbesin shumë të kënaqur dhe mahniten nga performanca jonë. Ka raste që turistët vijnë shumë të lodhur  dhe kur fillojmë ne të performojmë, ata shplodhen duke u argëtuar.

CMG: Ka pasur raste që turistët të bashkohen në valle me valltarët e grupit tuaj folklorik?

Dashamir Baruni: Patjetër që kërcejnë bashkë me ne sepse në programin tonë kemi dhe valle që ju mësojmë atyre vallet dhe këngët shqiptare. Nganjëherë këndojnë nga një strofë kënge, duke u argëtuar shumë.

Lexoni më shumë: 

Mehdi Zena: Këngën popullore e kemi traditë familjare


CMG: Kostumin popullor të Krujës e vishni kur interpretoni këngët popullore tradicionale?

Dashamir Baruni: Unë e vesh gjithmonë kostumin popullor. Madje nuk kam vetëm të Shqipërisë së mesme, por dhe të  Tropojës, të Çamërisë që i përdorim në raste të ndryshme.

CMG: Ju në fillim thatë se e keni trashëguar muzikën popullore. Po brezi më i ri e ka trashëguar nga ju?

Dashamir Baruni: Brezi më i ri janë të gjithë që merren me muzikën popullore dhe po përfundojnë studimet e larta. Djali im është për kanto, djemtë e vëllezërve janë në Akademinë e arteve, dikush me klarinetë dhe dikush me kitarë apo piano. Të gjithë janë muzikantë dhe janë duke studiuar dhe ne bëhemi një formacion i plotë orkestral, por dhe ata vetë po formojnë grupin e tyre të ri.

CMG: Flasim për aktivitetet tuaja muzikore jashtë vendit. Në cilat vende keni shkuar për koncerte dhe si jeni pritur nga publiku?

Dashamir Baruni: Në të gjitha aktivitetet jemi pritur shumë mirë sepse muzika shqiptare është shumë e kërkuar për të gjitha trevat. Kemi shkuar në koncerte në Itali me një grup të Çamërisë dhe na kanë pritur jashtëzakonisht mirë. Gjithashtu kur kemi qenë në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut na kanë bërë një respekt të madh. Kemi qenë edhe në Bullgari dhe në të gjitha këto evente na kanë pritur vërtetë shumë mirë.

CMG: Kohët e fundit keni publikuar ndonjë këngë të re dhe a keni në plan për ndonjë material të ri muzikor?

Dashamir Baruni: Unë kam publikuar disa këngë të tjera, ku njëra titullohet “Ilaç për shpirtin tim”, një këngë shumë e bukur që ja kam kushtuar babait sepse ai i bie violinës. Kam plan të realizoj një këngë tjetër, por dhe djali ka bërë një këngë të re për herë të pare. Ka një muaj që e ka promovuar dhe po ecën shumë mirë.

CMG: Kush janë bashkëpunëtorët tuaj në realizimin e këngëve?

Dashamir Baruni: Unë kam bashkëpunuar me kompozitorin Edi Balili për  këngët “Dasma krutane” dhe “Ilaç për shpirtin tim”, që e ka kompozuar nipi im i cili ka studjuar për fizarmonikë. Ai e ka kompozuar këtë këngë në studion e Edit sepse ka përfunduar shkollën për producent muzike. Unë në studion e Edi Balilit i kam realizuar këngët e mia.

CMG: Mesazhi juaj për brezin e ri për ta ruajtur muzikën popullore?

Dashamir Baruni: Mesazhi im është ta trashëgojnë këngën, muzikën popullore, vallet sepse janë perla dhe nuk mund t’i gjesh në asnjë vend të Ballkanit dhe Europës. Ne kemi muzikë shumë të pëlqyeshme dhe shpresoj që ta trashëgojnë edhe të rinjtë.

CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe adhuruesit tuaj.

Dashamir Baruni: Ju përshëndes duke ju uruar suksese të gjithëve.

Intervistoi: Gazmend Agaj