Nëse shkon në Kinë, jo rrallë të zënë sytë parulla që kanë ndër të tjera edhe dy hieroglifë, që shqiptohen si “ai” dhe “guo”. Veç e veç ata duan të thonë përkatësisht “dashuri” e “vend”, ndërsa bashkë mund të përkthehen si “atdhedashuri” apo “patriotizëm”. Por duke pasur parasysh epshmërinë e morfemave/fjalëve të kinezishtes për sa i përket përkatësisë në pjesë ligjërate, shumë mirë “ai” mund të shërbejë edhe folje dhe “ai guo” mund të jetë edhe një thirrje: “Duaje atdheun”. Sidoqoftë, ky nuk është një artikull për gjuhën kineze, por për atë që është pa dyshim një ndër çelësat e asaj pse Kina sot është vendi me arritjet më të jashtëzakonshme, pararojë në shumë fusha. Në Kinë nuk është turp ta duash atdheun e të luftosh për ta bërë atë sa më të fortë e të begatë. Pa dyshim ky është “sekreti i hapur” i suksesit të Kinës dhe arsyeja përse mbase të paktë janë ata që dyshojnë se ky do të jetë “shekulli i Kinës”
Foto: VCG
Sot në Perëndim atdhetaria është bërë demode, madje – enkas apo jo - barazohet prej “policëve” të korrektesës politike e dogmës “progresive” edhe me të këqija të tilla si nacionalizmi i sëmurë, ksenofobia, e deri te racizmi e homofobia. Zëvendësimi i identitetit kombëtar me identitete të tjera e ka kthyer në fakt perëndimorin në një amebë që merr formën e ideologjisë sunduese të çastit. E ndërsa ka sportistë amerikanë që i kthejnë shpinën flamurit të tyre kur luhet himni kombëtar, sportistët e sportistet kineze, që gjithnjë e më shumë po ngjiten në podiumet e medaljeve të olimpiadave e kampionateve botërore edhe në sporte ku më parë Kina nuk ka pasur traditë të madhe, falënderojnë së pari vendin e tyre për mbështetjen dhe mundësitë që u ka dhënë për të kapur majat. E ndërsa në ShBA “Betimi për besnikëri” ndaj kombit e flamurit shihet deri edhe si “ksenofob” nga “kultura e fshirjes” së traditës, në Kinë besnikëria ndaj atdheut është një virtyt që përplotëson vlerat vetjake të çdo individi.
Foto: VCG
Por mbase atdhetaria vërtet do të mbetej një koncept egoist nëse nuk do të ndërlidhej, si në konceptin e filozofisë kineze të yin-in e yang-ut, me internacionalizmin - edhe ky një koncept “i vjetruar” - në një botë gjithnjë e më shumë individualiste. Ja pse Kina ka shpallur nisma si ato të sigurisë e të zhvillimit global, apo korniza që e përfshijnë më drejtpërdrejt edhe Shqipërinë dhe që paraqesin mundësi të mira për zhvillimin e përparimin e vendeve që marrin pjesë në to, si “Një brez, një rrugë” (emërtim i përbashkët për Brezin Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit dhe Rrugën Detare të Mëndafshit të Shekullit të 21-të) dhe mekanizmi i bashkëpunimit të Kinës me vendet e Evropës Qendrore e Lindore. Është pikërisht ky vizion largpamës e gjithëpërfshirës që e ka bërë Kinën të paraqitë edhe konceptin e bashkësisë me fate të përbashkëta të njerëzimit. Që në thelb do të thotë se fatet dhe e ardhmja e të gjitha vendeve janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën.
Foto: VCG
Kina ka përcaktuar tashmë detyrën madhore të rilindjes së madhe kombëtare. Do të ishte mirë që çdo vend t’ia vinte vetes një objektiv të tillë e të punonte fort për realizimin e tij. Sepse nëse vend e komb rilind, edhe bota, shtëpia jonë e përbashkët, do të jetë një vend më i mirë. (Artan Goga)