Ekipi kombëtar kinez i kërlingut për femra

2019-03-22 16:06:39 CRI Komenti juaj Printoni

Të dielën mbyllet në Silkeborg të Danimarkës Kampionati Botëror i Kërlingut për Femra. Në këtë kampionat marrin pjesë ekipet kombëtare nga vende të ndryshme, duke përfshirë edhe ekipin kinez, i cili ka qenë një ndër konkurrentët më të fortë për fitimin e titullit kampion. Ky ekip ka një histori të shkurtër, por shumë frymëzuese. Ai u krijua në vitin 2003 dhe brenda gjashtë vjetëve, arriti të ngjitet në rangun më të lartë botëror. Në Kampionatin Botëror të Kërlingut për Femra 2008, ekipi kinez befasoi botën me fitoren e titullit nënkampion dhe një vit më pas, me atë të titullit kampion. Në Lojërat Olimpike Dimërore Vankuver 2010 ekipi i kërlingut i femrave i Kinës fitoi medaljen e bronztë. Në emisionin tonë të sotëm protagoniste do të jenë pikërisht pjesëtaret e këtij ekipi.

Kërlingu në Kinë ka qenë i njohur nga shumë pak njerëz dhe masivizimi i këtij sporti ka qenë i ulët. Siç ka thënë kapitenia e ekipit kombëtar të kërlingut të Kinës Wang Bingyu, "ka më pak sportistë kinezë të kërlingut sesa arinj panda." Megjithëse në Kinë është krijuar një shoqatë kërlingu që në vitin 2000, mungonte një ekip profesional kombëtar, derisa tre vjet më vonë, në 2003, kur Kina u anëtarësua zyrtarisht në Federatën Ndërkombëtare të Kërlingut, u formua ekipi kombëtar i Kinës, i përbërë prej pesë anëtaresh, Wang Bingyu, Liu Yin, Yue Qingshuang, Zhou Yan dhe Liu Jinli.

Në fillim, kushtet sportive për ekipin kinez të kërligut të femrave kanë qenë tepër të vështira. Për arsye të mungesës së mjediseve profesionale për praktikimin e kërlingut, vajzat kineze praktikoheshin në fushat e hokejit. Por meqë akulli i fushës ishte i thyer kur sportistët e hokejit mbaronin stërvitjen, vajzat duhej ta spërkasnin vetë me ujë dhe ta fërkonin me fshesë që ta sheshonin prapë. Nganjëherë, kur të gjitha fushat ishin të rezervuara për stërvitje ose ndeshje, sportistet e kërlingut çoheshin në mes të natës për trajnim.

Wang Bingyu

Wang Bingyu kujton: "Më e tmerrshmja ishte që stërviteshim nga ora 2 deri në 5 të mëngjesit. Faktikisht, duhej të ishim në gjumin më të thellë në orën 2, është koha më e mirë për gjumë, prandaj luftuam me veten për një kohë të gjatë. Ne ishim vetëm. Ishte e dhimbshme."

Përveç mungesës së vendit për stërvitje, edhe të gjitha pajisjet duhej të importoheshin nga jashtë. Në atë kohë, ekipi kinez jo vetëm nuk kishte kushtet e nevojshme, por edhe i mungonin taktika dhe teknika. Pas asaj që mund të quhet periudhë vetëmësimi për një vit, ekipi vendosi të shkonte në vendet me ekipe të forta në këtë sport, për të mësuar nga përvoja e tyre. Dhe kështu në vitin 2004, ekipi kombëtar kinez i kërlingut filloi stërvitjen në Kanada. Në këtë vend të Amerikës Veriore, me 32 milionë banorë, mbi 15 milionë luajnë kërling. Kanadaja është vërtet një vend ku ky sport është i zhvilluar. Në ditët e para të stërvitjes në Kanada, vajzat kineze hasën dështimet e para. Ato nuk arritën të mundnin as kanadezët në moshë të madhe në ndeshje amatore! Për njëfarë kohe, vajzat kineze humbën vetëbesimin dhe u ndjenë keq.

Por me gjithë këtë goditje psikologjike që morën në fillim, ato nuk hoqën dorën, por e forcuan veten me anë të mësimit dhe stërvitjes së palodhshme. Diferenca e tyre me ekipet e forta filloi të zvogëlohej. Në Kampionatin e Kërlingut të Paqësorit, që u mbajt në vitin 2005, ekipi kinez mundi ekipin australian dhe u shpall kampion. Kjo fitore në një kampionat rajonal e shtoi besimin e vajzave kineze, por i trembi mësuesit e tyre kanadezë. Pasi u kthyen në Kanada, klubet kanadeze të kërlingut nuk pranuan t'i trajnonin ato, duke pasur frikë që do të tejkaloheshin dhe do të mundeshin nga vajzat kineze.

Por vigjilenca e kanadezëve nuk do t'i ndalonte hapat e ekipit kinez të kërlingut drejt fitimit të titujve në veprimtari të famshme botërore. Në vitin 2006, ekipi doli i pesti në Kampionatin Botëror të Kërlingut, në vitin 2008 nënkampion dhe pas një viti kampion. Në Lojërat Olimpike Dimërore të Vankuverit 2010, vajzat kineze siguruan medaljen e bronztë, e cila ishte medalja e parë ekipore për delegacionin kinez atë vit. Në vitin 2011, ekipi kinez zuri vendin e tretë në kampionatin botëror.

Pas vitit 2011, për njëfarë kohe, ekipi kombëtar kinez i kërlingut për femra pati një periudhë jofrytdhënëse, nga nevoja për "gjakun e ri". Kur Wang Bingyu shpalli lënin e sportit, nisi zyrtarisht përzgjedhja e pjesëtareve të reja. Pesë anëtaret e tanishme janë Ma Jingyi, Yao Mingyue, Mei Jie, Wang Rui dhe Zhang Lijun, dhe nganjëherë Wang Bingyu del në skenë për të dhënë mbështetje. Pesë anëtaret e reja kanë një rrugë të gjatë për të bërë, po në turneun e tanishëm kanë dhënë rezultate të mira, duke munduar fitueset e medaljes së artë në Olimpiadën Dimërore, vajzat suedeze, si edhe ekipet e Finlandës, Skocisë, Letonisë dhe Danimarkës.

Pritet që vajzat e reja kineze të vazhdojnë traditën e paraardhësve të tyre dhe të ngjiten në maja më të larta.

Ekipi kinez konkurron në Silkeborg, Danimarkë, 2019

Mrekulli
Lajmet Kryesore