Zhang Dan/Zhang Hao, patinatorët kinezë që u duartrokitën edhe në dështim

2019-03-01 15:08:34 CRI Komenti juaj Printoni

Nga 2 deri në 12 mars do të zhvillohet në qytetin rus Krasnoyarsk Universiada e 29-të Dimërore, një veprimtari shumësportëshe për studentët sportistë. Një prej disiplinave të përfshira në programin e universiadës dimërore është edhe patinazhi artistik. Në emisionin e sotëm do të flasim për një çift patinatorësh kinezë që kanë fituar titull kampion në sezonin 2006-2007 të Universiadës Dimërore. Ata kanë fituar gjithashtu edhe zemrat e shikuesve me vendosmërinë e tyre në Lojërat Olimpike Dimërore 2006 në Torino të Italisë, ku fituan një medalje argjendi. Ata ishin një çift sportiv për 14 vjet, dhe midis tyre ka pasur një frymë mirëkuptimi të pashprehur. Ata janë Zhang Dan dhe Zhang Hao. Meqë kanë të njëjtin mbiemër, ata njihen edhe si "Dy Zhang-ët"

Karriera e "Dy Zhang-ëve"

Zhang Dan ka lindur më 4 tetor 1985 në provincën Shandong, ndërsa Zhang Hao më 6 korrik 1984 në qytetin Harbin të provincës Heilongjiang, qytet që njihet si djepi i kampionëve të sporteve dimërore në Kinë. Në vitin 1998, Zhang Dan dhe Zhang Hao u bashkuan dhe filluan patinazhin dysh. Në Olimpiadën Dimërore të vitit 2002, në qytetin amerikan Salt Lake, Zhang Dan dhe Zhang Hao u shfaqën për herë të parë në skenën olimpike, por atë vit ata u renditën vetëm në vendin e 11-të. Megjithatë pas katër vjetësh, në Torino të Italisë, Zhang Dan, edhe pse u rrëzua dhe u lëndua në gjurin e majtë, e përfundoi bashkë me Zhang Hao-n programin e tyre, duke fituar medaljen e argjendtë dhe adhurimin e shikuesve për shpirtin e tyre sportiv. Ky ishte edhe rezultati më i mirë i arritur ndonjëherë nga patinatorët kinezë në historinë olimpike. Ky rekord u theu në vitin 2010 nga bashkatdhetarët e tyre Shen Xue dhe Zhao Hongbo, të cilët fituan medaljet e arta në Vankuver të Kanadasë.

Krahas përvojës së tyre në skenën olimpike, Dan dhe Hao kishin fituar famë edhe në veprimtari të tjera ndërkombëtare. Në vitin 2001, "Dy Zhang-ët" fituan titullin kampin në Kampionatin Botëror të Patinazhit Artistik për të Rinjtë. Një vit më pas, ata zunë vendin e 9-të në Kampionatin Botëror për të rritur, por fituan medaljet e bronzta në Kampionatin e Katër Kontinenteve. Në këtë veprimtari të fundin ata zunë vendin e dytë dhe të tretin përkatësisht në vitet 2003 dhe 2004. Në vitin 2005 "Dy Zhang-ët" siguruan katër çmime të rëndësishme: vendin e tretë në Kampionatin Botëror, titullin kampion në dy gara të Çmimit të Madh të Patinazhit Artistik, titullin nënkampion në Finalen e Çmimit të Madh të Patinazhit Artistik dhe medaljen e artë në Lojërat e 10-a Kombëtare të Kinës.

Pas Lojërave Dimërore Olimpike në Torino, dy partnerët në sport mbajtën renditjen e tyre brenda tre të parëve në Kampionatin Botëror dhe Kampionatin e Katër Kontinenteve deri në vitin 2012, kur u ndanë si çift. Zhang Hao vazhdoi të konkurrojë me patinatore të tjera, ndërsa Zhang Dan shpalli vendimin e tërheqjes nga sporti për të ndjekur studimet më lart.

Momenti Olimpik

Në Lojërat Olimpike Dimërore të Torinos 2006, Zhang Dan dhe Zhang Hao fituan medaljen e argjendë në patinazhin artistik dysh. Ky vit mund të thuhet se shënon një gur kilometrik, sidomos për Zhang Dan-in. Ajo dhe Zhang Hao, përballë rivalëve të fuqishëm rusë Elena Berezhnaya dhe Anton Sikharulidz, vendosën të luftonin me kërcim i katërfishtë. Të shoqëruar nga tingujt e melodisë së famshme kineze "Legjenda e Dragoit", Zhang Dan dhe Zhang Hao u nisën drejt objektivit të tyre për të fituar medaljen e artë. Ata rrëshqitën rrjedhshëm në akull plot elegancë dhe shkathtësi në fillim. Kur Zhang Hao e flaku Zhang Dan-in në ajër për kërcimin e katërfishtë Salchow, pa e kryer lëvizjen, Zhang Dan u rrëzua me forcë në fushë dhe përplas në tabelat rrethuese ... Në pallatin e sportit "Palavela" të Torinos u përhapën menjëherë britmat e spektatorëve. Kur të gjithë mendonin se Zhang Dan dhe Zhang Hao do të tërhiqeshin nga konkurrimi, rifilloi muzika. Në duartrokitjet e të gjithëve, Zhang Dan u çua dhe u kthye në qendër të pistës së akullit. Kërcime, rrotullime, rrëshqitje... lëndimi i Zhang Dan-it i shtoi pak ngjyrë trishtimi garës, por "Dy Zhang-ët" e përfunduan programin e tyre me një shfaqje prekëse. Ata fituan në fund medaljen e argjendtë. Më e rëndësishmja është që ata treguan frymën e Olimpiadës me vendosmërinë e tyre. Zhang Dan-i, me gjithë dështimin në kërcim, arriti të linte përshtypje të thellë te çdo njeri i pranishëm në pallatin e sportit ose para ekranit të televizionit.

 Lojërat Olimpike Dimërore të Torinos 2006

Lënia e sportit prej Zhang Dan-it

Pas Olimpiadës Dimërore të Torinos, të gjithë mendonin se Zhang Dan dhe Zhang Hao do të ngjiteshin në majën më të lartë në Olimpiadën e ardhshme. Por realiteti tregoi të kundërtën. Zhang Dan, megjithëse ishte më shumë sesa 25-vjeçare, pati një "pranverë të dytë" të zhvillimit fizik dhe gjatësia e saj arriti në 1.7 metra! Kjo është një gjatësia maksimale për një sportiste të patinazhit artistik dysh. Me këtë ndryshim, të dy zbuluan që bashkërendimi mes tyre dhe një sërë lëvizjesh nuk kryheshin aq lehtë si në të kaluarën. Më vonë, kur Zhang Hao pësoi thyerje të kockës së dorës, të dy patinatorët filluan të shqyrtonin të ardhmen e tyre bashkë. Zhang Dan-it, që në atë kohë, i lind ideja e tërheqjes.

Edhe trajneri i saj Yao Bin tha që Zhang Dan kishte "lartësinë" më të madhe ndër të gjithë patinatoret e ekipit kombëtar. U rrit jo vetëm gjatësia e saj, por edhe pesha. Ky ndryshim nuk ndikoi shumë në lëvizjet individuale të Dan-it, por gjërat vështirësoheshin për partnerin e saj, sidomos kur ai duhej ta ngrinte ose ta hidhte.

Më në fund, Zhang Dan vendosi të tërhiqet nga sporti. Por ajo tha që nuk i vinte keq dhe se kishte vetëm mirënjohje për trajnerin. 14 vjet bashkëpunimi me partner Zhang Hao, ishin me gëzime e hidhërime, me përpjekje dhe përkushtim, dhe mbi të gjitha me një sukses që do të bëjë që emrat e tyre të mbeten gjatë në kujtesë.

(Wang Xianya)

Mrekulli
Lajmet Kryesore